E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Bujqësia, qendër graviteti e programit të PS

Turi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, me siglën "Dialog me Shqipërinë", është ndalur në Voskopojë të Qarkut të Korçës, ku ka zhvilluar edhe konferencën rajonale të këtij qarku. 

Në qendër të diskutimeve, që kreu i opozitës pati me banorët e kësaj zone, kanë qenë problematikat dhe vështirësitë në sektorin e bujqësisë, bënë të ditur burime të zyrës së shtypit të PS-së. Duke marrë fjalën në këtë konferencë rajonale, kryetari i PS-së, Rama, është shprehur se, "Partia Socialiste në programin e saj do ta vendosë bujqësinë si qendrën e gravitetit të zhvillimit të vendit, pasi nuk mund të ketë Shqipëri evropiane pa një fshat të zhvilluar". "Jemi një nga vendet më të pasura në Evropë dhe sot është koha që ne të marrim përsipër përgjegjësinë historike, për të ndërtuar një program real, konkret dhe pune, që në 4 vjet ne t'i kthejmë fshatit dinjitetin, për të marrë pushtetin që ka  abuzuar me njerëzit e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi", u shpreh gjatë fjalës së tij, Rama. Kreu i selisë rozë u ndal edhe në programin që ka kjo forcë politike për të hyrë në zgjedhjet e ardhshme të 2009, duke theksuar se "programi i ri nuk mund të mos lindë, nëse vërtet nuk i dëgjojmë njerëzit dhe procesi i dialogut është rruga për të garantuar dëgjimin e të gjithë atyre që kanë diçka për të thënë, kur është fjala për problemet e tyre". "Sot është koha që ne nga ana tjetër të marrim përsipër përgjegjësinë historike, për të ndërtuar një program real, konkret dhe pune, që në 4 vjet ne t'i kthejmë fshatit dinjitetin në radhë të parë, i cili është grabitur nga politika e llogarive të çetave, për të marrë pushtetin dhe për të abuzuar me njerëzit e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi", tha Rama.                  a.l

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›