E Shtunë, 31 Tetor 2026

Joakim Lëv: Të gjithë gabuam

Vetëm një ditë pas asaj humbjeje të papritur me Kroacinë, trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv, ka analizuar gabimet e lojtarëve të tij, si dhe është shprehur për mundësitë që ka Gjermania për t’u kualifikuar për në çerekfinale. 

Zoti Lëv, cilat ishin shkaqet e humbjes me Kroacinë?
Në këtë ndeshje nuk treguam disa nga gjërat kryesore. Në 15 minutat e para nuk gjetëm dot tempin e lojës dhe u vumë në gjumë nga kroatët.
Por, në fakt, kështu vazhdoi e gjithë loja...
Gjatë ndeshjes nuk qemë në gjendje ta rrisnim tempin e lojës. Nuk luajtëm asnjë top vertikal në sulm dhe kështu i dhamë mundësi kroatëve të fitonin çdo dyluftim me kokë kundër sulmuesve tanë. Dhe kur humbnim topin, nuk ishim në gjendje të organizoheshim në kohën e duhur.
Gjatë ndeshjes, Mikael Balak ka qenë shumë larg mundësive të tij. A jeni i të njëjtit mendim?
Nuk duhet të bëjmë gabimin dhe ta fokusojmë çdo gjë tek ai. Sepse, edhe kur Balak ka qenë i dëmtuar, ne kemi zhvilluar ndeshje të mira. Pra, lojtarët e tjerë kanë marrë përsipër përgjegjësitë. Kroatët ia arritën mjaft mirë qëllimit të mbulonin Balak me dy lojtarë, kështu që ai nuk pati asnjë mundësi tjetër.
Balak e Frings deklaruan se disa lojtarë hynë në fushë ndaj Kroacisë me mendjemadhësi. A e keni vënë re diçka të tillë?
Shenja të tilla nuk ka pasur. Seanca e fundit stërvitore përpara ndeshjes ishte e një niveli mjaft të lartë dhe të gjithë lojtarët kanë qenë të angazhuar. Gjithkush e ka ndjerë se skuadra ka qenë e motivuar dhe e përqendruar për takimin kundër Kroacisë. Sepse do të ishte vërtetë fatale hyrja në një ndeshje me mendjemadhësi, në një kohë kur ke fituar vetëm një ndeshje.
Mos do të thotë se në skuadër kanë filluar çarjet e para, pas deklaratave të Balak dhe Frings?
Një gjë është e sigurt që nuk ka për të ndodhur kurrsesi: që të fillojmë dhe t’ia shtyjmë gabimin njëri-tjetrit. Të gjithë kemi bërë gabime në këtë takim. Kështu që duhet t’i diskutojmë ato me njëri-tjetrin. Ky ishte vërtet një kthim prapa, por nuk do të thotë se do shpërfytyrohemi si skuadër.
E si do të ndreqen këto gabime?
Jemi duke menduar për të ndryshuar diçka në skuadër, për ndeshjen me Austrinë. Kemi tre lojtarë, Filip Lahm, Marsel Jansen dhe Lukas Podolski, të cilët nuk do stërviten për dy ditë deri të shtunën. Prandaj, kam menduar të fus ndonjë futbollist tjetër, që është në gjendje të sjellë disa impulse në lojën tonë.
A mendoni për një tërheqje, nëse Gjermania eliminohet tani?
Ne nuk mendojmë për gjëra, të cilat edhe mund të ndodhin. Ne besojmë dhe jemi aq të fortë sa të mundim Austrinë. Pra, do të kualifikohemi patjetër në çerekfinale.

Modriç: Unë lider? Ka edhe më të mirë
Ylli i Kombëtares së Kroacisë, Luka Modriç, ka përgëzuar punën e bërë nga shokët e skuadrës. “Fitorja ndaj Gjermanisë ishte mjaft mahnitëse, por të them të drejtën e prisja. Jemi një skuadër shumë e fortë, me lojtarë cilësorë dhe e kemi merituar plotësisht pjesëmarrjen në Evropian, duke eliminuar skuadra të mëdha si Anglia. Unë lider? Nuk mendoj. Jam munduar të jap një kontribut sa më të vlefshëm për skuadrën time. Gjithsesi, nuk jam më i mirë se të tjerët. Secili prej nesh është i shkëlqyer në rolin që ka”.

Vastiç: Goli im më i rëndësishëm
Mesfushori 38-vjeçar, Ivica Vastiç, me golin e tij të shënuar në minutat shtesë të takimit ka siguruar pikën e parë për Austrinë në këtë Evropian. “Ky ishte goli më i rëndësishëm në karrierën time me kombëtaren”, tha mesfushori veteran Ivica Vastiç. Për 38-vjeçarin Vastiç, ky ishte goli i 14-t për të në ndeshjen e 50-të me fanellën e Kombëtares. “E studiova më përpara lëvizjen e portierit polak, Artur Boruç, prandaj nuk kisha pse të mendohesha shumë për atë penallti”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›