E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë përreth shkollave, çdo javë 12 të rinj në urgjencë

11/02/2011  Arrestohen 3 të rinj, shpërndanin tek një shkollë 9-vjeçare. Mjeku Gjehovori: Situatë shqetësuese

ELBASAN-Tre të rinj janë vënë në prangat e policisë, pasi janë kapur në afërsi të një shkolle me lëndë narkotike. Mësohet se policia ka organizuar një operacion të koduar “Taverna” duke sjellë edhe arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve dhe të një 21-vjeçari me banim përreth shkollës “Ali Agjahu” në qytetin e Elbasanit. Sipas policisë janë vënë në pranga shtetasit L. C, 16 vjeç, J. P. 21 vjeç me banim në lagjen “Shën Koll” dhe D.R 16 vjeç me banim në lagjen “Brigada 17 Sulmuese” Elbasan. Arrestimi i tyre u bë pasi mbërritën informacione se këtë shtetas ndodheshin pranë shkollës 9-vjeçare “Ali Agjahu” dhe dispononin me vete drogë. Menjëherë agjentët e policisë kanë mbërritur në vendin e ngjarjes duke arrestuar në flagrancë tre të rinjtë. Gjatë kontrollit iu gjetën 13 doza të lëndës narkotike të llojit kanabis sativa. Agjentët dyshojnë se të rinjtë e shpërndanin për nxënësit e shkollës. Kjo ka sjellë procedimin e tyre për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Agjentët janë duke hetuar për bashkëpunëtorë të tjerë. Ditët e fundit efektiva të policisë kundër drogës janë duke monitoruar të gjitha shkollat e qytetit pas informacioneve për shpërndarje të lëndëve narkotike përreth tyre. Sipas drejtuesve të këtij sektori, operacioni i nisur do të vazhdojë.

Droga dhe duhani

Droga, duhani dhe pijet alkoolike janë të pranishme pothuajse në të gjitha ambientet e shkollave në 9-vjeçare dhe të mesme në Elbasan. Mosha më e prekur nga ky fenomen është nga 13 deri në 18 vjeç. Sipas mjekut Behar Gjevori, mbi 12 raste në jave kërkojnë ndihmë sepse paraqiten me komplikacione të rënda nga përdorimi i narkotikëve. “Është ekipi jonë që është ndeshur me fenomene të tilla dhe subjekte që alternojnë nga moshat 13-14 në 20-35 vjeç. Kur vijnë janë në gjendje kritike dhe sapo dorëzohen në spital, shokët e tyre largohen për ti shpëtuar policisë. Kemi trajtuar shumë raste dhe kemi pasur sukses”, deklaron Gjevori. Në Elbasan nuk ka mjekë të specializuar për këto raste, ndërkohë që thuhet se trafikantët dhe shpërndarësit janë duke u dhënë lëndët narkotike falas në mënyrë që të krijojnë një klientelë të sigurt më vonë. Në qendër të shënjestrës janë universitetet dhe shkollat e mesme të qytetit. Ndërsa mësohet se në këtë qytet është ulur numri i punonjësve të policisë që kujdesen për anti-drogën, burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë tregojnë shifrat e fenomenit të përdorimit të drogës në qytetin e Elbasanit. “Drejtoria e Elbasanit ka marrë masat e duhura për parandalimin e përdorimit të lëndëve narkotike. Nuk do të ketë asnjëherë kompromis me përdoruesit e drogës dhe alkoolit në radhët e nxënësve”, ka deklaruar Valbona Begu, zëdhënëse e policisë së Elbasanit. Në planet e afërta të drejtuesve lokalë të shëndetësisë është krijimi i një qendre për trajtimin e të toksikuarve. Aktualisht ekziston një qendër këshillimi dhe shpërndarje metadoni falas për përdoruesit e drogave.

Pranga 26-vjeçarit, udhëtonte me marijuanë dhe heroinë

BERAT- Policia e Beratit ka arrestuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme një 26-vjeçar nga qyteti i Beratit, të cilit i është bllokuar në mjetin me të cilin udhëtonte një sasi marijuanë dhe një sasi heroine. Burime të policisë së qarkut të Beratit bëjnë të ditur se rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme është bërë ndalimi i 26-vjeçarit Sokol T., lindur dhe banues në këtë qytet. Ndalimi i ka ardhur pasi nga informacionet e siguruara në rrugë operative se ai udhëtonte me një sasi droge në mjetin e tij, informacion i cili ka rezultuar pozitiv. Kështu, sipas burimeve të policisë, agjentët e antidrogës kanë kërkuar mbrëmë ndihmën e uniformave blu, pasi gjatë një kontrolli që kanë bërë në mjetin tip Benz kanë bllokuar rreth 40 gram lëndë narkotike mariuanë dhe rreth 10 gram heroinë. S. Gorrica

Sipas dëshmitarëve ngjarja ishte banale

Sherr mes një grupi të rinjsh, plagosen rëndë 2

FIER- Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Fierit. Dy shtetas të rinj kanë ngelur të plagosur rëndë me armë zjarri pas një sherri banal mes grupit të tyre. Dy të rinj, të cilët u zunë mes tyre për motive banale dhe më pas janë qëlluar me armë zjarri sipas banorëve përreth, dëshmitarë okularë të ngjarjes. 2 të rinjtë Mariglen Mellari dhe një shoku i tij janë qëlluar duke marrë plagë të rënda në trup, i pari në shpatull dhe i dyti në bark. Ata janë transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Fierit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15 e 30 minuta në një nga rrugicat e lagjes “29 nëntori” në Fier. Shkaqet e këtij debati sipas dëshmitarëve okularë banorë të kësaj lagjeje kanë qenë krejtësisht banale. Dy grupet e të rinjve rreth 5 veta gjithsej janë zënë me fjalë fyese me njëri-tjetrin dhe më pas njeri prej tyre ka rrëmbyer armën një pistoletë që mbante me vete dhe ka qëlluar në drejtim të dy shokëve të tij. Personat e tjerë janë ende të paidentifikuar nga policia, pasi ngjarja është e paqartë. Mësohet se grupi i të rinjve është edhe përdorues droge. A. Damini

Aksident i rëndë automobilistik në Lushnjë.

Vdesin burrë e grua, plagosen rëndë 2 të tjerë

LUSHNJE- Një aksident i rëndë tragjik ka ndodhur në aksin rrugor Fier-Lushnjë në vendin e quajtur Rotondo e Savrës në afërsi të Lushnjës. Bilanci i këtij aksidenti ka qenë me pasoja fatale për 2 bashkëshortë dhe plagosjen rëndë të 2 të afërmve të tyre, të cilët udhëtonin së bashku me të njëjtin mjet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20 në afërsi të Savrës në autostradën Lushnjë-Tiranë. Burime nga vendngjarja pohojnë se viktima e parë e këtij aksidenti tragjik quhet Enver Sulko 64 vjeç drejtues i automjetit. Ai ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip Mitsubishi me targa TR 2573 me bashkëshorten e tij Pupulina Sulko 60 vjeç. Automjeti ka qenë me shpejtësi tepër të madhe, pasi të afërmit dhe çifti i bashkëshortëve ktheheshin për në shtëpinë e tyre në Tiranë pas një darke me të afërmit e tyre në Fier. Shpejtësia tej normave të lejuara ka bërë që drejtuesi i tij të mos bëjë të mundur hyrjen në Rotondo, por të përshkojë rrugën drejtpërdrejt duke u përplasur me disa bordure dhe masa betoni anës rrugës. Si pasojë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme 64-vjeçari dhe më pas bashkëshortja e tij gjatë transportimit për në spitalin e Lushnjës. Dy shtetasit e tjerë Arben Cauli dhe Selman Bala janë në gjendje të rëndë në spitalin civil të Lushnjës në kujdes të rreptë shëndetësor. Policia ka kryer veprimet e para hetimore dhe sipas burimeve të para shkaku i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të automjetit nga drejtuesi i tij.

A. Damini

Me motoçikletë

Aksidenton rëndë fëmijën,

ndalohet 20-vjeçari

DURRES- Është aksidentuar rëndë një fëmijë teksa po kalonte rrugën pranë tregut në Durrës, ndërsa autori i aksidentit është ndaluar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes së rëndë. Altin Roci 20 vjeç nga Durrësi ka qenë duke drejtuar motoçikletën tip KIMIKI pa targa në afërsi të tregut industrial në qytetin bregdetar teksa ka shtypur fëmijën N. Xh. Vajza 9-vjeçare, sipas policisë së Durrësit, ka qenë këmbësore, ndërkohë që 20-vjeçari pas aksidentit ka tentuar të afrojë ndihmë. Qytetarët kanë nxitur për të dhënë ndihmë dhe e kanë transportuar fëmijën për në spitalin rajonal të qytetit ku edhe gjendet. Mjekët kanë pohuar se vajza është në një situatë kritike për shkak të dëmtimeve shumë të rënda që ka pësuar. Motori i ka kaluar mbi trup vajzës 9-vjeçare, e cila thuhet se ka qenë në shoqërinë e prindit në ato çaste. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare lidhur me shkaqet e ngjarjes, e cila ka vënë nën përgjegjësi për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor 20-vjeçarin Altin Roci. Xh. G

U grindën për motive banale

Plagos me thikë dy vëllezër,

arrestohet 30-vjeçari

DURRES- Është arrestuar nga policia shtetasi B. C., ngase ai është akuzuar se ka konsumuar veprën penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”. Ngjarja ka ndodhur në mesditën e së enjtes teksa shtetasit Xh. T. 45 vjeç dhe G. T. 43 vjeç janë qëlluar me thikë në trup nga i njëjti person. Ka qenë një sherr banal, sipas policisë, që ka çuar konfliktin drejt vetëgjyqësisë, ndërsa personi i akuzuar për plagosjen e dy vëllezërve është vënë në kushte arresti. Grindja që më pas ka pasur në përdorimin e thikës ka ndodhur në lagjen e quajtur “Grumbullimi” dhe është parë nga shumë dëshmitarë të rastit. Nga të dhënat e para policia deklaron se sherri ka lindur për shkak të një konflikti pa motive të forta, ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse i akuzuari Bledar C. e ka kryer plagosjen në cilësinë e mbrojtjes apo të kanosjes së dy personave. Të plagosurit janë në spitalin rajonal me dëmtime të rënda në trup, por pa pasoja për jetën. Xh. G

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›