E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë pranë Kakavijës, kapet studenti

 

GJIROKASTER

Brenda dy ditëve policia bllokon një tjetër sasi narkotike në tentativë për t'u përcjellë drejt Greqisë. Një student i Universitetit të Gjirokastrës bie në pranga, ndërsa dy shokët e tij që shoqëronin 108 kg marihuanë, i shpëtojnë policisë. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Stacionit të Policisë të Kakavijës në orët e para të mëngjesit të së hënës. Njësiti i shërbimit të Policisë Kufitare, duke vëzhguar me kamera termike në afërsi të një pike karburanti rreth 1 km larg kufirit me Greqinë, ka konstatuar tre persona të pajisur me çanta të mëdha shpine. Lëvizja e personave të panjohur në drejtim të jugut, vuri në alarm uniformat blu, të cilët janë afruar në distancë mes tyre duke i bërë thirrje të ndalonin. Sipas burimeve zyrtare policore, të tre personat e panjohur kanë refuzuar t'i përgjigjen thirrjes së policisë dhe në çast braktisën çantat përtokë duke u larguar më pas me shpejtësi në thellësi të territorit shqiptar. Errësira dhe mjegulla e dendur që kishte mbuluar një pjesë të luginës, favorizoi arratisjen nga vendngjarja të tre personave. Në këtë kohë njësiti policor ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të Stacionit të Policisë Kakavije si dhe të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilat kanë rrethuar zonën. Arratisja e njërit prej tre personave, nuk ka zgjatur shumë pasi u kap rreth 1 km nga vendi i ngjarjes. Klodian Basha, 24 vjeç nga fshati Qesarat i Tepelenës, është kapur nga uniformat blu në afërsi të një fabrike të përpunimit të qumështit, pasi nuk ka mundur dot të bashkohet me shokët e tij të cilët e kanë lënë atë me ndrydhje të këmbës së djathtë. Basha, student në vitin e tretë në degën e Ekonomikut në Universitetin e Gjirokastrës, njëkohësisht pronar i një lokali në afërsi të konviktit të vajzave të Universitetit, është dërguar urgjentisht në Komisariatin e Policisë, ku pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe profesionale u arrit të dokumentohej vepra penale, duke sjellë arrestimin në flagrancë të tij. Në vendin ku tre personat braktisën çantat me marihuanë, grupi hetimor pas inspektimit në terren, konstatoi se në brendësi të tyre ndodheshin pako të ndara në formë katrore me nga 12 kg secila. Policia ka evidentuar gjithsej dhe njëkohësisht sekuestruar në cilësinë e provës materiale 108 kg marihuanë. Uniformat blu po punojnë ndërkohë për kapjen e dy shtetasve të tjerë, të cilët janë identifikuar se cilët janë, por për arsye hetimi, emri i tyre nuk bëhet publik. Materialet pas plotësimit me detaje të tjera shtesë, do t'i përcillen Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ky është rasti i dytë brenda 48 orëve që Policia Kufitare në bashkëpunim me atë të Gjirokastrës, zbulojnë sasi të ndryshme lëndësh narkotike, në tentativë për të kaluar drejt shtetit fqinj. Shërbimet kufitare dy ditë më parë në vendin e quajtur "Gryka e Bogazit" sekuestruan 60 kg marihuanë dhe një armë automatike e tipit "kallashnikov". Autorët mundën të largoheshin menjëherë sapo pikasën se po u afroheshin forcat e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›