S’mbanin uniformë, vërejtje 4 shefave të komisariateve
Dashamir Biçaku
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, ndëshkon me vërejtje katër shefa të komisariateve të Tiranës, pasi qëndronin në shërbim pa veshur uniformën zyrtare. Masat me vërejtje janë dhënë gjatë një takimi që kreu i policisë zhvilloi dje me strukturat e policisë së kryeqytetit. Kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, kishte thirrur në takimin që u zhvillua në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës krerët e shtatë komisariateve të kryeqytetit. Bashkë me Prençin në takim ka qenë edhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Hamdi Fiora, si dhe tre zëvendësdrejtorët Arben Caka, Gjergj Jorgo dhe Xhavit Çiçi. Ajo që i ka rënë në sy menjëherë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, ka qenë mungesa e uniformës së policisë te pjesa më e madhe e krerëve të komisariateve. Nga ndëshkimi kanë shpëtuar vetëm shefat e Komisariateve nr. 2 dhe nr. 6, të cilët kanë pasur të veshur uniformën e Policisë së Shtetit me gradat korresponduese. Paraqitja e shefave të komisariateve me veshje civile, ka bërë që menjëherë kryepolici Prençi të marrë masën disiplinore të vërejtjes për secilin nga zyrtarët që nuk ka respektuar uniformën zyrtare në orarin e shërbimit. Një veprim i tillë mësohet se është ndërmarrë nga Preçi si sinjal për të forcuar disiplinën e efektivëve të Policisë së Shtetit dhe drejtuesve të strukturave të ndryshme blu. Një prej elementëve më të rëndësishëm në këtë drejtim për paraqitjen dinjitoze të punonjësve të policisë, është konsideruar edhe mbajtja e uniformës zyrtare. Për këtë shkak, edhe kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë nuk ka nguruar të heqë një vijë ndëshkimore në dosjen e secilit prej shefave të komisariateve, që nuk ishin paraqitur me uniformë në takimin e organizuar në Drejtorinë e Tiranës. Gjatë këtij takimi, kryepolici Prençi ka dhënë porositë në lidhje me masat e marra, si dhe respektimin e ligjit për tubimet në vende publike. Sipas Prençit, efektivët e Policisë duhet të kenë kujdes nga elementë të ndryshëm të interesuar për të precipituar situatën. Prençi është informuar për masat e marra dhe koordinimin e veprimeve, garantimin e mbarëvajtjes së mitingut të djeshëm para Parlamentit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, ka kërkuar nga strukturat e policisë së Tiranës parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe forcimin e punës për rritjen e rezultateve kundër kriminalitetit.