E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastërtia, vëzhgimi i KSHH "nxin" burgjet

 

TIRANE - Në burgjet shqiptare mungojnë mjaft prej kushteve elementare. Alarmi vjen nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, përfaqësues të të cilit kanë monitoruar pak ditë më parë Burgjet 313 e 325 në kryeqytet, si dhe ata të Fushë-Krujës dhe Lezhës. Sipas KSHH-së, gjatë vëzhgimit janë monitoruar disa aspekte, si infrastruktura, kushtet e jetesës, kujdesi social dhe edukativ, shërbimi shëndetësor, takimet me familjarët, mekanizmi i ankesë-kërkesave si dhe janë marrë takime me personat e dënuar. Në raportet e nxjerra pas monitorimit, KSHH pohon se nëpër burgje vërehet mbipopullim, aq sa në Burgun 325 ka gra që flenë nga dy bashkë në të njëjtin krevat si dhe raste të tjera, kur të burgosurit flenë përtokë apo nëpër qeli qëndron dyfishi i kapacitetit. Kryesisht qelitë e katit të parë të shumë burgjeve kanë rezultuar të ishin me lagështirë, ndërsa ka mungesë të ujit të rrjedhshëm dhe në mjaft burgje edhe të energjisë elektrike pa ndërprerje, gjë që sipas KSHH-së kushtëzon respektimin e normave të higjienës. Nëpër disa prej burgjeve të monitoruar ka rezultuar se dushet ishin jashtë funksionit, ç'ka kondiciononte larjen me ujë të ftohtë. Ndërkohë është vërejtur gjithashtu se ambientet e ajrimit janë të pambuluara dhe në rast të kushteve të këqija atmosferike pengohej ushtrimi i të drejtës së ajrimit. Përsa i përket dhunës fizike dhe psikologjike, gjatë kontaktit të dërguarve të KSHH-së me të dënuarit e Fushë-Krujës, janë paraqitur disa pretendime për përdorim force në datën 4 tetor 2008, për të cilat Prokuroria e Krujës ka filluar procedimin penal. Bëhet fjalë për revoltën në këtë burg në fillim të muajit tetor. Po kështu KSHH ka vërejtur edhe mangësi përsa i përket shërbimit shëndetësor. Në mjaft burgje ka pasur mungesë medikamentesh dhe stafi mjekësor, sidomos për gratë e burgosura mungon mjeku gjinekolog. Por edhe në rastet kur ka pasur ilaçe dhe mjekë, ambientet për këtë qëllim ndodheshin jashtë standardeve të higjienës. Gjatë inspektimit të bërë nga përfaqësuesit e KSHH-së, ka rezultuar se e drejta për takim me familjarët në përgjithësi nëpër disa burgje realizohej, por në kushte shumë të vështira, sidomos në institucionin e paraburgimit 313. "Dhoma e takimit e grave me familjarët në këtë institucion nuk krijonte as kushtin më minimal për të realizuar këtë të drejtë, pasi ishte pa ndarje, pa stola dhe tavolina, dhomë e errët etj.", thotë KSHH, duke përfunduar se norma ushqimore në përgjithësi respektohej në burgje.                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›