E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Si e solla në Burrel bustin e Skënderbeut"

 

BURREL/ HASAN PASHA

Do të hiqet apo jo busti i Skënderbeut nga sheshi kryesor i Burrelit? Kjo çështje është ende e paz-gjidhur, megjithë debatet e krijuara në qytet e më gjerë mbi figurën legjendare historike. Kërkesa u hodh në shqyrtim në Këshillin Bashkiak dy muaj më parë, por dhe pse janë zhvilluar disa mbledhje, diskutimet pro dhe kundër e kanë shtyrë akoma vendimin nëse do ta heqin Skënderbeun për ta zëvendësuar me monumentin e ish-mbretit Zog.
Busti i heroit kombëtar u vendos në sheshin para bashkisë së qytetit të Burrelit rreth 40 vjet më parë. Këtë fakt e kujton mirë historiani Shaqir Stana, i cili ishte dëshmitar i asaj ngjarje të shënuar për qytetin. Stana thotë se ka ndjekur me vëmendje diskutimet në Këshillin Bashkiak dhe prononcimet e drejtuesve vendorë, të cilët janë të një mendimi se ky bust duhet të lërë sheshin ku qëndroi më shumë se 40 vjet dhe në vend të tij të vendoset shtatorja e Ahmet Zogut.
Ish-shefi i arsimit të vitit 1968, Shaqir Stana ishte ai që transportoi nga Tirana në Burrel bustin e Skënderbeut. "Udhëtova me 16 janar të vitit 1968 nga qyteti i Burrelit në drejtim të Tiranës me një gaz rus që e ngiste Ismail Koçi. Fillimisht mbërritëm te shtëpia e skulptorit Kristaq Rama. Gjetëm një pritje të ngrohtë. Më pastaj dolëm nga shtëpia për në studion e Kristaq Ramës. Busti i porositur nga autoritetet vendore të Matit ishte gati. Para se sa ta vendosnim bustin në makinë Kristaqi na porositi dhe na ndihmoi të vinim rërë, në mënyrë që ai të mos dëmtohej gjatë rrugës, e cila realisht ngjante asokohe me rrugët e sotme të fshatrave", tregon historiani. "Nisëm udhëtimin drejt Burrelit ku arritëm rreth mesnatës. Bënte ftohtë, por punëtorët dhe drejtuesit vendorë na prisnin para godinës së Komitetit Ekzekutiv. Punuam gjithë natën. Në të gdhirë të 17 janarit 1968, 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, busti ishte vendosur aty ku ishte menduar", pohon Stana. Sipas tij, më 17 janar të vitit 1968 pranë bustit të Skënderbeut u organizua një ceremoni festive me pjesëmarrjen e qytetarëve të Burrelit, nxënësve të shkollave dhe punonjësve të administratës së asaj kohe. Ish- sekretari i parë, Mustafa Pajenga dhe ish-kryetari i komitetit ekzekutiv Rrahman Kaca përuruan bustin e Skënderbeut. "Historianët folën për jetën dhe trimëritë e heroit legjendar, ndërkohë nxënës të shkollave të qytetit recituan vjersha për Skënderbeun", kujton historiani i njohur në rrethin e Matit. Duke vijuar më tej rrëfimin e tij, Shaqir Stana nuk ngurron të thotë se ka lexuar shumë për Skënderbeun dhe i duket absurde heqja e bustit të tij nga sheshi para bashkisë. "Nuk është aspak normale të diskutohet pas 40 vitesh heqja e bustit të Skënderbeut nga sheshi para bashkisë. Argumenti se ai paska hedhur themelet e godinës së bashkisë nuk është aq bindës sa për të thënë se shtatorja e Ahmet Zogut duhet vendosur në këtë shesh. Zogu ndërtoi edhe burgun, xhandarmërinë. Në këtë kontekst përse ky bust të mos vendoset pranë burgut të Burrelit?", shtron pyetjen Stana. Sipas tij është hera e parë që diskutohet heqja, lëvizja apo spostimi i bustit të Heroit Kombëtar, por do të ishte e udhës që shtatorja e Ahmet Zogut të vendosej në sheshin "Demokracia", pasi çdokush që viziton qytetin e Burrelit dallon shtatoren e ish-mbretit. "Argumentet" e tjerë, sipas tij, se fëmijët hipin mbi bustin e Skënderbeut janë jo vetëm të pabaza por edhe të turpshme.

Debatet për bustin

Gjithçka ka nisur në muajin shtator të këtij viti, pasi këshilltarët e djathtë bashkiakë hodhën dhe idenë e tyre: Busti i Skënderbeut në sheshin pranë bashkisë të zhvendoset për t'i lënë vendin atij të Ahmet Zogut. Ata e kanë bërë propozimin në një takim me historianë, studiues, intelektualë, përfaqësues shoqatash por edhe qytetarë të Burrelit. Në atë kohë u shtruan dy alternativa: vendosja e shtatores së Ahmet Zogut në sheshin para bashkisë, më konkretisht në vend të bustit të Skënderbeut ose vendosja e tij në sheshin qendror të qytetit, në sheshin "Demokracia". Ish-drejtori i Muzeut Historik të rrethit, Sefer Duka është shprehur në këtë takim se: "Nëse shtatorja do të vihet në sheshin "Demokracia" atëherë edhe sheshi duhet të marrë emrin "Ahmet Zogu". Megjithatë është i pranueshëm edhe varianti tjetër, por vetëm që busti i Skënderbeut duhet që t'i përshtatet sheshit "Demokracia", pasi ai aktual është në përmasa të vogla. Intelektualë të ndryshëm kanë dhënë argumentime të ndryshme, por pjesa më e madhe e tyre ishin pro zhvendosjes së Skënderbeut. Prej asaj kohe, çështja ka mbetur pezull, ndërsa debatet vazhdojnë në qytet.

Intelektualët peticion krerëve të shtetit: Ndërhyni për Skënderbeun

BURREL - Çështja e bustit të Skënderbeut nuk është zgjidhur ende në qytetin e Burrelit. Pas dy mbledhjeve të Këshillit Bashkiak dhe diskutimeve të shumta nuk është marrë një vendim përfundimtar në lidhje me heqjen, spostimin apo transferimin e bustit të heroit kombëtar. Pas mbledhjes së fundit, ku shumica e këshilltarëve dha mendimin se në vend të këtij busti duhet të vendoset shtatorja e ish-mbretit Zog, vijnë reagime të ndryshme. Dje një grup intelektualësh dhe ushtarakësh në pension i janë drejtuar me një peticion Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Në fillim të peticionit ata shprehen se nëpërmjet mediave janë njohur me lajmin e turpshëm se këshilltarët e djathtë kërkojnë heqjen e bustit të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu dhe ngritjen në vend të tij të shtatores së ish-mbretit Zog. Intelektualë e ushtarakë në pension japin argumentet e tyre pse ky bust nuk duhet lëvizur nga lulishtja përballë bashkisë, i vendosur aty më 17 janar të vitit 1968. Ata deklarojnë se këshilltarët e Bashkisë Burrel, sidomos ata që kërkojnë heqjen e bustit nuk kanë logjikë e formim profesional të gjykojnë dhe vendosin për vlerat e Skënderbeut. Duke vijuar peticionin e tyre, ushtarakë e intelektualë shkruajnë: "Skënderbeu nuk bënte pjesë në asnjë parti, nuk ishte as i majtë e as i djathtë. Ai ishte i përmasave kombëtare e ndërkombëtare, figurë shumëdimensionale, hero legjendar, ndër 200 personalitetet më të shquara të botës. Ndaj, figura e Skënderbeut nuk mund të preket, nuk mund të luhet aq lehtë. Busti i tij është ngritur në shumë rrethe të Shqipërisë. Krenar qëndron në Prishtinë e tek arbëreshët e Italisë". Nëpërmjet këtij peticioni u bëhet thirrje publikisht këshilltarëve të Bashkisë Burrel: "Larg duart nga figurat madhore të vendit". Vetëm me një referendum popullor mund të vendoset për probleme kaq kardinale.                                                                             h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›