E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drouhaud: PD ka mbështetjen e Partive Popullore Evropiane

25/04/2005  Sekretari i UMP-së Franceze, të drejtuar nga Shirak,kritika mbi qeverisjen socialiste

Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Franceze "Bashkimi për Lëvizjen Popullore", Pascal Drouhaud, thekson se është i nevojshëm rotacioni i pushtetit në Shqipëri. Madje, me tone të ashpra ai thekson se BE, ka vënë re hapa të ngadaltë në reformat që duhet të zbatojë Shqipëria. Sekretari i Partisë së Drejtuar prej Zhak Shirak, thekson se në Kuvendin e PD-së, janë vënë re ndryshime thelbësore si dhe janë ofruar njerëz që do të garantojnë një shtet të së drejtës. Megjithatë, Drouhaud thekson se, vetëm zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, do të sjellë hapjen e bisedimeve me Shqipërinë si dhe hedhjen e hapave konkretë, në integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Zoti Drouhaud, si e vlerësoni kuvendin që zhvilloi Partia Demokratike dhe cili është komenti juaj mbi programin elektoral të shpalosur në të?

Partia UMP (Partia Bashkimi për Lëvizjen Popullore), është një parti unike e djathtë, ne punojmë bashkë prej disa vitesh. Zoti Berisha ishte i ftuar në Kuvendin e partisë sonë përpara një viti dhe, tashmë ne u thirrëm të marrim pjesë në punimet e Kuvendit të PD-së. Mendoj që ky Kuvend ishte inicues për ndryshimet, është një Kuvend i unitetit përbërës të PD-së, për të fituar më pas unitetin e popullit shqiptar për ndryshime. Prandaj, ky mund të quhet një Kuvend historik. Ai anonçon ndryshimet e mëdha në Shqipëri. Ndryshimet që kanë të bëjnë me situatën dhe përmirësimin e saj. Eshtë një Kuvend ekstremisht interesant. Së pari, ai tregon mbështetjen e madhe të Partive Popullore Evropiane, midis të cilave dhe partia e Zhak Shirak. Nga ana tjetër, tregoi forcën e projektit të paraqitur nga zoti Berisha, që është një program konkret afër njerëzve, që kërkon ti përgjigjet një shteti të drejtë dhe të ndershëm. Për këtë arsye, ndryshimet u inicuan nga ky Kuvend. Unë si francez dhe qytetar i BE-së, po vuaj ta shoh Shqipërinë të dalë nga vështirësitë që ka sot. Kjo ishte dhe arsyeja që dje u prononcuan disa fjalë nga personalitete të rëndësishme. Do desha të përmendja këtu fjalët ndryshim, mirëqënie dhe drejtësi.

Sa ka ndryshuar imazhi i PD-së dhe liderit Berisha në këto vite në raport me vitin 1997, në partitë e vendeve anëtare të BE-së?

Ndryshimet në gjirin e Partisë Demokratike, janë gjenerator i inteligjencës së vetë Berishës. Ka momente kur gjërat shkojnë mirë, ka momente kur gjërat nuk shkojnë mirë. Ne i njohim të gjithë këto aspekte gjatë jetës sonë publike dhe personale. Vitet në opozitë të zotit Berisha, e kanë lejuar atë të bëjë analizat e situatës, të thithë rreth partisë vlerat më të mira të shoqërisë shqiptare. Këtu, nuk e kam fjalën vetëm për drejtuesit aktualë siç janë Ritvan Bode, Jozefina Topalli, Bamir Topi, apo Besnik Mustafaj, por edhe zgjerimin e saj me anëtarë të shoqërisë civile. Përgjatë këtyre viteve, Berisha ka mundur të ristrukturojë një PD të fortë dhe efikase, dhe të propozojë një program për të ardhmen. E gjithë kjo është produkt i një pune e sakrifice të madhe, kjo është kuptuar mirë nga komuniteti Evropian. Dua të theksoj se platforma e paraqitur dje në Kuvend, është një platformë e parametrave të partive që kanë një vizion të qartë qeverisës dhe që përshpejton hapat për integrimin e Shqipërisë në Evropë.

Folëm për opozitën, do desha të dija një opinion tuajin dhe për imazhin e qeverisë dhe forcës aktuale që drejton Shqipërinë. Cili është imazhi i saj në qeveritë e vendeve të BE-së, pasi ju zoti Drouhaud, jeni dhe një njohës i mirë i politikës shqiptare dhe Evropiane?

Eshtë imazhi i një zhgënjimi. Ka dy dosje shumë të rëndësishme për Shqipërinë në nivelin politik ekonomik dhe ndërkombëtar. E para, është marrëveshja e asociim-stabilizimit dhe integrimi euroatlantik. Janë të dyja negociata që po ecin shumë ngadalë. Komuniteti ndërkombëtar ja ka bërë të qartë qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar se duhet një shtet i drejtë dhe solid. Prova më e mirë për një shtet të drejtë, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Dua të them dhe diçka të qartë për të gjithë shqiptarët. Shteti i së drejtës nuk mund të vendoset me këtë qeveri, kjo qeveri në 8 vjet ka qenë një zhgënjim total për vendet e perëndimit. Duhet një erë e re, duhet një frymëmarrje e re. BE-ja vazhdon të zgjerohet, vazhdon të forcohet me shtete të tjera. Edhe për sa kohë do të vazhdojë Shqipëria të qëndrojë jashtë kësaj strukture? Dhe për sa kohë pasurimi i një grupi të ngushtë njerëzish të veshur me pushtet duhet të mbajë peng integrimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me BE?

Dhe në rast se këto zgjedhje kontestohen?

Ju jeni në procesin e marrëveshjeve për asociim-stabilizimin, ky është hapi i parë! Mos harroni se BE-ja është një ansambël vlerash demokratike dhe politike, të mbështetura mbi transparencën, drejtësinë dhe respektin për të drejtën e zgjedhjes. Dhe në rast se këto vlera nuk respektohen në Shqipëri, nuk do të ketë një ditë të integrimit të Shqipërisë në Evropë. Prandaj ju thashë pak më parë se Kuvendi i PD-së, ka për synim të themelojë një Shqipëri të re, që ka sensin e përgjegjësisë, dhe të unitetit për të gjithë shqiptarët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›