E Hënë, 2 Nëntor 2026

Elbasani pa jetë kulturore, mungojnë ambientet

25/04/2005  Në qytetin e Elbasanit, teatri "Skampa", ku nuk mungojnë edhe aktivitetet politike, të intensifikuara gjatë ditëve të fundit, është i vetmi ambient në dispozicion të artistëve, edhe për prova. Shumë artistë që marrin guximin për të sjellë për publikun artëdashës pjestë teatrale, koncerte instrumentale dhe veprimtari të tjera kulturore, ndeshen me një problem thelbësor në realizimin e dëshirave të tyre, me mungesën e ambienteve. Këtë fakt e pohon edhe drejtori i Qendrës së Kulturës, Blerim Narazani, i cili i njeh nga afër vështirësitë që hasin artistët, si gjatë provave ashtu edhe deri në ngjitjen e tyre në teatrin "Skampa", si i vetmi ambient ku mund të shfaqen spektakle të ndyshme për publikun e gjerë. Prej disa vitesh, godina e qendrës së kulturës, është planifikuar të shembet për vetë pozicionin e saj, në një ndër rrugët kryesore të qytetit të Elbasanit, por edhe për arsye të amortizimit të godinës. Por, mundësitë e pushtetit vendor, duken të limitura në këtë fazë, pasi duhet një investim i rëndësishëm jo vetëm për të shëmbur godinën, por edhe për të riparuar rrugën. Ndërsa, për ngritjen e një qendre kulturore të re, as nuk bëhet fjalë. Si rezultat i këtij planifikimi që parashikon hedhjen poshtë të godinës së vjetër, gjatë gjithë kësaj kohe në ambientet e brendëshme, në të cilat zhvillohen herë pas here aktivitet të ndryshme kulturore, nuk është vënë aspak dorë, fakt që ka shkaktuar shkatërrimin e tyre të mëtejshëm. Kthimi i truallit dhe objektit pronarëve të vjetër, ka pushtuar, pothujse, të gjithë institucionet kulturore në Elbasan. Në procesin e kthimit janë teatri "Skampa" dhe muzeu Etnografik, ndërsa pjesa më e madhe e muzeve, janë tashmë pronë e pronarëve të vjetër. Ndërkohë, "shtëpia e kulturës" mbetet peng, prej disa vitesh, e zgjerimit të rrugës kryesore që përshkon Elbasanin. Çdo vit, artistët lajmërohen për shembjen e godinës, ndërsa në sallën e vetme jo vetëm nuk mungojnë, por shtohen vazhdimisht aktivitetet politike.

Blerim Narazani, drejtori i emëruar muajt e fundit, tregon se edhe aktiviteti më i ri, që synon të sjellë në skenë një koncert recital pas disa vitesh heshtje, nuk mund të jetë në nivelet e pritura. "Artistët nuk kanë mundësi të bëjnë prova për të perfeksionuar pjesët", shprehet ai shumë i shqetësuar në lidhje me suksesin e këtij koncerti. Duke folur për "Metropol", drejtori Narzani thekson se, pavarësisht se janë mbështetur financiarisht nga pushteti vendor, "infrastruktura lë shumë për të dëshiruar", duke shtuar se e vetmja shpresë për artistët elbasanas, mbetet skena e teatrit "Skampa".

Cilat janë vështirësitë e përgatitjes së një programi kulturor në Elbasan?

Mbështatja finaciare nuk ka munguar asnjëherë nga pushteti vendor dhe, për këtë, ne kemi përcjellë gjithmonë falenderime dhe në emër të publikut, por infrastruktura që na rrethon, lë shumë për të dëshiruar. Një mori aktivitetesh kulturore për një qytet si Elbasani kërkojnë edhe skena, ambiente për prova etj., por të gjitha këto kufizohen vetëm nga skena klasike e teatrit "Skampa", si e vetmja mundësi. Më 25 prill, ne sjellim në skenë një recital të kompozitorit elbasanas Klement Marku, i rikthyer në Shqipëri. Por, gjatë këtyre ditëve më shumë se provat, jemi përballur me probleme të shumta që, si gjithmonë, lidhen me mungesën e ambienteve dhe infrastrukturës së nevojshme, për të realizuar një koncert. Skena e teatrit "Skampa" është e vetmja ku ne mund të zhvillojmë provat, pasi në godinën e Shtëpisë së Kulturës për vetë kushtet e saj është e pamundur dhe instrumentistët e kanë patur të pamundur të përgatiten normalisht.

Sa i vështirë ka qenë realizimi i këtij koncerti recital?

Kompozitori Klement Marku, njihet për pjesët e tij dhe përfaqësimin e të gjitha zhanreve të muzikës. Uverturat, simfonitë, muzika e dhomës dhe shumë pjesë të tjera janë pjesë përbërëse e këtij koncerti, i cili për vetë specifikën do të ketë edhe një publik të përzgjedhur. Orkestra e qëndrës së kulturës do të sjellë për publikun në mbrëmjen kushtuar kompozitorit Marku një qiell koncertal, pas një muaji përgatitjesh të vështira, për vetë kushtet që përmendëm më lart. Shpresojmë që publiku ta presë mirë koncertin, i cili mund të jetë një start i mirë i këtij zhanri, i mungur prej disa vitesh në Elbasan, edhe pse talentet nuk kanë munguar.

Cila do të ishte zgjidhja për qendrën e kulturës?

Nëse është vendosur që ajo të shembet, le të shembet dhe të kemi një godinë tjetër ku të zhvillojmë aktivitetet kulturore të qytetit. Fondet e nevojshme për ndërtimin e një godine të re, janë të papërballueshme nga pushteti vendor. Aktivitetet që zhvillojmë gjatë vitit janë të mbështetura, në pjesën më të madhe, nga Bashkia e Elbasanit. Nuk mund të lë pa përmendur sponsor të ndryshëm, por ai që e mban gjallë jetën kulturore të qytetit, është institucioni vendor. Kemi bërë disa herë kërkesë, për ndërtimin e një godine apo edhe përshtatjen e një ambienti tjetër, por deri tani nuk kemi asnjë përgjigje dhe, të gjitha aktivitetet tona kryhen në godinën që është planifikuar të shembet, ndërsa tentojmë të shfrytëzojmë skenën e vetme, e cila përballon të gjitha aktivitetet kulturore në qytet.

Ilir Sulkja: I pamundur ndërtimi i një godine të re

Ilir Sulkja, drejtor i sektorit të kulturës pranë Bashkisë së Elbasanit, konfirmon vështirësitë që hasin artistët, si rezultat i mungesës së ambienteve, por gjithashtu deklaron se pushtetit vendor e ka të pamundur të përballojë nivelin e investimeve gjigande që kërkohen. "Ndërtimi i një godine të re për qendrën e kulturës është i pamundur me fondet e bashkisë dhe, për këtë, i është kërkuar ndihmë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Megjithëse, ka kohë që kërkohet ndërtimi ose riparimi i një objekti tjetër, përgjigjia ka munguar dhe ne jemi në fazën e parë përsa i përket zgjidhjes së këtij problemi. Godina aktuale do të shëmbet me miratimin e qendrës së re të qytetit, pasi duhet të zgjerohet rruga ku ajo ndodhet, por mundësitë për të transferuar qendrën e kulturës janë të pakta. Megjithatë, ne po shqyrtojmë disa mundësi, për të sistemuar qendrën e kulturës provizorisht".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›