Gaye vazhdon, Tiko rikthehet
25/04/2005 Në ndeshjen e së shtunës kundër Shkumbinit, Dinamo i ka marrë tri pikët falë qetësisë së Masseye Gaye dhe saktësisë së Ligor Tikos. Mesfushori senegalez ka shënuar për herë të dytë rradhazi nga pika e bardhë e penalltisë, për skuadrën e tij, duke ruajtur gjakëftohtësinë në momentin deçiziv. Përpara penalltisë me Shkumbinin, Gaye ka marrë përsipër ekzekutimin nga pika e bardhë edhe në Elbasan, kur përsëri skuadra e tij ishte në disavantazh dhe dihet tashmë se çfarë atmosfere mbizotëronte në atë ndeshje në “Ruzhdi Bizhuta”. “Bëra thjesht detyrën, është shprehur me modesti mesfushori senegalez për “Metropol Sport”. Në përgjithësi nuk kam problem që të përqëndrohem në ndeshje, sado presion që të ushtrohet nga tifozët. Trajneri e di këtë dhe më ngarkon mua që të ekzekutojë penalltitë. Unë bëj detyrën e ngarkuar. Kuptohet që jam i gëzuar që po shënoj për të dytën herë rrjesht, por më i gëzuar jam që kamë ndihmuar skuadrën time që të marri rezultate pozitive”. Gjithashtu të shtunën stafi teknik i bluve ka parë me kënaqësi të rikthehet tek goli, sulmuesi, Ligor Tiko. Sulmuesi korçar ka shënuar me një kokë golin e dytë të bluve, e si rrodhi ndeshja edhe të fitores, duke konfirmuar se po rikthehet në formën e tij të mëparshme. Tikos i është dashur për shumë kohë që të luftojë për t’u rehabilituar nga dëmtimet dhe mesa duket tashmë ka arritur në nivelin e tij. Ky është një lajm mjaft i mirë për Canajn, pasi një Tiko në formë do të thotë një armë e fuqishme në duart e tij, sidomos për këto katër ndeshjet e fundit ku bluve iu duhet patjetër maksimumi i mundshëm i pikëve.