Ilir Qirici, djaloshi shqiptar që mundi fatin
25/04/2005 "Karroca është ajo që më ndihmon të bëj gjithçka: të lëviz, të punoj, të shkoj në shkollë. Do të dëshiroja, që të gjithë që kanë të njëjtin problem me mua të kishin një karrocë të tillë". Janë këto vetëm disa fjalë të djaloshit shqiptar, Ilirjan Qirici, që dëgjohen te dokumentari "Një ftesë nga Iliri". Një dokumentar i aktorit dhe regjisorit të mirënjohur Mevlan Shanaj, i cili, në premtimin që i kishte bërë Lir Qiricit, për të shfaqur për të afërmit dhe publikun shqiptar, filmin me metrazh të shkurtër të Qiricit "Darka" e prezantoi në sallën e Akademisë së Arteve "Black-Box". Dokumentari ishte ndaluar në jetën e Qiricit, i cili mbeti i paralizuar, pas një zhytje në det. Mbi të gjitha, ajo që të impresiononte ishte kurajoja, guximi dhe pathyeshmëria e tij para fatkeqësisë së madhe. Një familje e lidhur shumë ngushtë, ku sakrifica duket se e humbet sensin e fjalës. Një i ri, që pavarësisht se i "mbërthyer" në një karrocë me rrota, diti të mundë fatin, të sfidojë gjithçka dhe të realizojë ëndërrën e tij, atje në Amerikën e largët dhe të bëhet regjisor. Një përpjekje vigane, e një njeriu që kur shkeli në SHBA, nuk dinte asnjë fjalë anglisht, por mundi të mbaronte shkëlqyeshëm studimet për regji. Por nuk do të ndalej vetëm te kjo, ai vazhdon të këmbëngulë që të hyjë më thellë në profesionin që e kishte ëndërruar gjithmonë. E "kokëfortësia" e tij i dha frytet e veta. Gati një vit më parë, ai mundi të realizonte filmin e tij të parë të metrazhit të shkurtër "Darka". Një film që, me shumë origjinalitet, tregon se sa të brishta janë marrëdhëniet njerëzore, se si në një çast gjithçka mund të shembet, por edhe një problem të madh social: fëmijët që vuajnë ndarjen e prindërve. Për fat të keq, dëshira e Qiricit që ky film të prezantohej në Festivalin Ndërkombëtar të Tiranës, për filmin me metrazh të shkurtër, nuk u realizua. Organizatorët nuk e përfshinë në filmat konkurues. Por këtë dëshirë të tij, si një premtim të pathyeshëm, e realizoi Shanaj, i cili mundësoi që të afërmit, miqtë dhe artëdashësit kryeqytetas, të njihen jo vetëm me "Darkën", por mbi të gjitha me djaloshin shqiptar, që sfidoi fatin dhe goditjen e tij.