E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vritet ish-polici,hakmarrje ndaj vëllait

25/04/2005  Krim i rënë në qendër të Bajram Currit, vdes pas një ore e gjysëm, i plagosuri

TROPOJË - Ish-punonjësi i policisë Tahir Breçani, u vra dje me kallshnikov në qendër të qytetit të Bajram Currit, ndërsa po shkonte nga tregu për në banesën e tij. Nga burimet e policisë, mësohet se shkak i vrasjes së Breçanit, mund të ketë qenë një grindje e vëllait të tij, pas së cilës, autorët kanë zgjedhur këtë lloj hakmarrje.

Ngjarja

Ngjarja ndodhi rreth orës 13.15 të mesditës së djeshme në rrugën e gjimnazit para bashkisë, kur 40-vjeçari Breçani ishte duke ecur në këmbë. Një automjet tip “Benz” i ishte afruar, ndërsa një person ka nxjerrë kallashnikovin dhe e qëlloi me breshëri plumbash. Breçani mori goditje kryesisht në kembën e djathtë, ku njeri plumb i preku edhe aortën. Shpëtimi i tij nga vdekja u bë i pamundur pasi, edhe në spital nuk kishte me tepër se gjysëm kile gjak të grupit të viktimës.

Ai vdiq pas një orë e gjysmë, kurse helikopteri i Ministrisë së Shendetësisë i nisur nga Tirana, u kthye mbrapsht në Pukë.

Viktima

Sipas policisë lokale, Tahir Breçani, aktualisht një tregtar i vogël, nuk kishte asnjë konflikt personal me banorë të Tropojës apo të ndonjë tjetër zone në veri. Breçani njihej si person pozitiv dhe që në vazhdimësi, është marrë me punën e tij.

Autorët, pasi mendohet të kenë qenë dy, janë larguar me shpejtësi në dalje të qytetit, dhe policia nuk ka mundur as të bëjë identifikimin e tyre.

Motivet

Nga hetimet paraprake, ngelen të dyshuar personat në konflikt me vëllain e Tahirit, Astritin. Ky i fundit, sipas njoftimeve të policisë, disa herë është përplasur dhe ka patur konflikte me individë të tjerë aty. Dy ngjarje me rrahje janë regjistruar midis Astritit dhe një mesuesi në gjimnaz.

Megjithatë, këto janë vetëm dyshime, ndonëse pritet ndonjë shoqërim në polici.

Enigmë autorët e breshërive të një nate më parë

TROPOJË – Ende policia lokale, nuk ka dhënë asnjë informacion për sa i përket autorëve të breshërive të armëve, të dëgjuara në tre anët e qytetit, në orët e vona të mbrëmjes së shtunë, në qytetin e Bajram Currit. Vetëm disa orë pas vrasjes së djeshme, për rreth 10 minuta, qyteti u përfshi nga krismat e breshëritë e armëve. Pas kësaj, policia ende nuk ka konfirmuar asgjë, ndërsa ia veshën situatës politike. Autorët nuk dihen, ndërsa policia lokale mësohet se ka kërkuar ndihmën e Ministrisë së Rendit Publik. Kjo e fundit, ende nuk ka vendosur nëse, në këtë zonë do të shtojë grupet speciale apo jo.

Vrasja e djeshme në qendër të qytetit, ka rritur edhe më shumë pasigurinë. Kjo ngjarja duket se i ka dhenë hije tjetër Tropojës. Banorët besojnë në fillimin e një situate aspak të qetë, duke mos harruar këtu se, edhe vetë komisariati i policisë duket i çmobilizuar.

Kohët e fundit, Tropoja pas disa muajsh qetësi, është përfshirë nga një sërë ngjarjes të rënda, ndërsa nuk kanë munguar edhe arrestime apo përplasjet me armë midis policisë dhe individëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›