E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Pas vrasjes, Ornela ma la pistoletën mua”

26/02/2005  Bëhet sgurimi i dëshmisë së vrasjes në universitetin “Fan Noli”

KORÇË – Pas vasjes së shoqes, studentja e kishte lënë pistoletën në çantën e saj, të clën ia la “në ruajtje” një shitëseje të rastësishme.

Vrasja e studentes Suela Sina është rikthyer dje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Korçë. Gjatë seancës së zhvilluar është siguruar një dëshmi e rëndësishme e gruas, ku ditën e krimit e akuzuara si autore e vrasjes, Ornela Capollari kishte lënë armën. Sipas burimeve pranë gjykatës së rrethit të Korçës, është bërë e ditur se dëshmitarja quhet Brikena Kalaja, rreth të 40-ve dhe është shitëse në një nga dyqanet përgjatë bulevardit “Gjergj Kastrioti”, në qytetin juglindor.

Sigurimi i provës

Me sa duket, studentja e gjuhëve të huaja, Ornela Capollari, menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes ka lënë armën të fshehur brenda një çante te kjo shitëse, duke i thënë asaj ta mbante me kujdes dhe se do vinte për ta marrë ditën e nesërme. Brikena duke dëgjuar për vrasjen e studentes pak momente më vonë si dhe duke kujtuar gjendjen e shqetësuar, në të cilën kishte parë Ornelën, kur kishte lënë çantën, është shtyrë për të parë se çfarë kishte në çantë. Brenda saj, shitësja ka gjetur një pistoletë të tipit TT. Rreth 3 orë pas ngjarjes, Brikena është drejtuar për tek organet e policisë, duke treguar gjithçka që kishte ndodhur. Këto dhe të tjera hollësi, të cilat nuk bëhen të ditura për arsye sigurie dëshmitarja ka treguar ditën e djeshme para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gjergji Koço.

Ndërkohë ka qenë prokurori i çështjes, Edmond Shytka, i cili ka njoftuar gjykatën për ekzistencën e dëshmitares së lartpërmendur si dhe ka kërkuar dëshminë e saj, e cila do të përdoret si provë në një seancë të ardhshme, në ngarkim të së akuzuarës Ornela Capollari.

Hetimet

Megjithatë, ende ka shumë paqartësi rreth ngjarjes së ndodhur në fillim të këtij viti, në dhomën nr. 61 të konviktit pranë universitetit “Fan Noli” në Korçë. Studentja Capollari ka mohuar kryerjen e vrasjes. Nga ana tjetër, prokuroria ka siguruar një letër ku shkruhej: “Baba, e bëra unë”, por që përsëri 21-vjeçarja e ka mohuar se ishte shkrimi i saj. 3 orë pas ngjarjes, policia gjen armën e krimit, por akoma nuk është thënë asgjë përfundimtare për gjurmët e gishtave të gjendura në të. Misteri ende mbështjell këtë krim, duke ngritur dyshime edhe rreth personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje, madje edhe për armën e krimit, dyshohet të jetë përdorur edhe për ekzekutime të tjera. Motivi i ngjarjes duket se ka qenë xhelozia për një djalë, por këto të dhëna mbeten pak të besueshme. Shpresohet që dëshmia e marrë nga Brikena Kalaja të hedhë dritë mbi atë ngjarje, e cila tronditi jo vetëm studentët, por mbarë opinionin publik.

10 janar 2005

Vrasja në universitetin e Korçës

Orët e pasditës së datës 10 janar të këtij viti, kanë qenë të fundit orë për Suela Sinën. E rikthyer nga pushimet e dimrit ajo ka rihyrë në dhomën e saj të konviktit pasi është kthyar nga shtëpia. Por së bashku me rikthimin vajzën mendohet se e ka pritur dhe një sherr me shoqen e saj, me të cilën ndante dhomën e konviktit. Ornela Capollari, e nxitur nga një xhelozi e skajshme, dyshohet se, pasi është grindur me shoqen e saj ka nxjerr një armë dhe e ka qëlluar një herë të vetme në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. Ngjarja e rëndë është zbuluar shumë shpejt nga vajzat e tjera, që jetonin në konvikt, të cilat kanë dhënë alarmin. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur dhe uniformat blu të komisariatit të Korçës, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kanë marrë deklarimet e vajzave konviktore për gjithçka që dinin rreth ngjarjes. Blutë nuk kanë dalë pasditen e 10 janarit pa marrë me vetë në komisariat dhe shoqen e dhomës së viktimës Sina, Ornela Capollari. Kjo e fundit ka qenë e vetmja e dyshuar për krimin e rëndë të ndodhur pak më shumë se një muaj më parë. Vajza nuk e ka pranuar krimin, e aq më pak motivin. Gjithsesi, për të është prerë fleta e arrestit dhe gjykata e Rrethit të Korçës, pak ditë pas ngjarjes ka dhënë dhe masën e sigurisë “burg pa afat” për studenten Capollari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›