E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjidhet problemi i mbingarkesës, largohen 30 të paraburgosur

26/02/2005  Pas protestës të të dënuarve, reagojnë drejtuesit e policisë në Fier

FIER – Është zgjidhur problemi i mbingarkesës së dhomave të paraburgimit në komisariatin e Policisë së Fierit. Mbi 30 të paraburgosur janë larguar dje nga dhomat e paraburgimit në këtë komisariat, të cilët kishin marrë dënimet me vendim të formës së prerë të Gjykatës.

Nga burime të policisë lokale, mësohet se kontigjenti i mësipërm i të burgosurve kishte kohë, që rrinte në këto ambiente për shkak të mostransferimit nëpër burgjet e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë. Mbipopullimi i dhomave të paraburgimit me këta të dënuar, u pasua me kushte të vështira të jetesës së tyre, duke i detyruar ata që shpesh të protestonin.

Vetëm disa ditë më parë, gjysma e të burgosurve, nga 92 që gjendeshin gjithsej aty, vendosën të futeshin në grevë urie në shenjë proteste. Pas marrëveshjes me drejtues të policisë në Fier, u ra dakord ndërprerja e saj, pasi shumë shpejt do të bëhej transferimi i tyre.

Transferimi i të burgosureu realizua pas denoncimit të kushteve të këqija të yre në shtyp, si dhe pas reagimit një ditë më parë të Avokatit të Popullit. Një inspektim i përfaqësuesve të Avokatit të Popullit konstatuan se kushtet higjienike, në të cilat qëndrojnë të paraburgosurit në komisariatin e policisë së Fierit janë shumë të vështira. Sipas tyre, të paraburgosurit gjatë natës nuk lejohen që të shkojnë në tualet gjatë natës për të kryer nevojat personale.

“Ne vumë re se gjatë natës të paraburgosurit urinonin në shishe plastike dhe në mëngjes i nxirrnin jashtë”, thanë inspektorët e Avokatit të Popullit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›