E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dua takim special me burrin”

 Fatos MahmutajNjë 35-vjeçare e izoluar prej 5 vitesh në qeli, nënë e një djali 7 vjeç, bën që t’i lejohen takimet speciale me bashkëshortin, gjithashtu i arrestuar. Të dënuar të dy në mungesë për të njëjtën vepër penale, të arrestuar në të njëjtin moment ndërsa jetonin si emigrantë në Greqi, dy bashkëshortët Shaqiri nga Elbasani do të përfundonin në qeli që nga fundi i vitit 2004 dhe prej asaj dite do të shiheshin vetëm pak herë, kur dikasteri i burgjeve do ju krijonte mundësinë për të shoqëruar njërin nga bashkëshortët te tjetri. Por edhe këto takime nuk kanë qenë më të gjatë se 30 minuta, janë bërë si takime të zakonshme. Duke u pretenduar se kërkon të ruajë familjen 35 vjeçarja, pak ditë më parë i’u është drejtuar me një letër Drejtorisë së Burgjeve dhe disa OJQ-ve që ushtrojnë aktivitet në fushën e burgjeve ku kërkon të ndërhyjnë për t’i lejuar një takim special me bashkëshortin. “Unë e quajtura A.Sh., nga Elbasani vuaj dënimin me 15 vjet burg së bashku me bashkëshortin tim, i cili është dënuar 18 vjet. Jam nëna e një djali 7 vjeçar, për të cilin momentalisht në mungesën tonë, kujdeset nëna ime, e cila është e sëmurë”, shkruan në letrën e saj e burgosura 35 vjeçare, e cila më tej pohon se: “Ju drejtohem juve si institucion i ligjit për të më ndihmuar në mundësimin e një takimi special me bashkëshortin tim Valmir Shaqiri që ndodhet edhe ky duke vuajtur dënimin pranë burgut të Drenovës në Korçë. Ne kemi bërë takime të zakonshme, (kohëzgjatja e të cilëve ka qenë 30 minuta) por mendoj se bërja e një takimi special do të na ndihmojë që të mbajmë sa më afër lidhjet familjare, pasi një familje që të jetë e bashkuar kërkon afrimitet”. Me tej në letrën e vet 35 vjeçarja thotë se shpreson në mirëkuptimin e institucioneve që u është drejtuar me letër për t’i realizuar mundësia e këtij takimi special, të cilin e ka kërkuar që prej pesë vitesh që kur është ekstraduar nga qelitë greke në Shqipëri së bashku me burrin e vet. Duke argumentuar ligjërisht kërkesën e vet, 35 vjeçarja e burgosur, të cilës i kanë mbetur për të vuajtur edhe rreth 8 vite burg pohon se është mbështetur në nenin 41 të ligjit numër 8328 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, ku parashikohet se të burgosurve u lejohen takimet, vizitat, korrespondencat dhe informacioni. “Të dënuarit lejohen të kenë takime dhe korrespondenca me familjarët dhe persona të tjerë”, thuhet në këtë ligj, në të cilin është bazuar e dënuara. Burime nga burgjet pohojnë se çifti Shaqiri ishin ekstraduar nga Greqi njëri pas tjetrit në vitin 2005. Disa muaj më parë ata ishin arrestuar nga policia greke ndërsa qëndronin në këtë shtet që nga viti 1999. Arrestimi i tyre ishte kryer me qëllim ekstradimi pasi emrat e dy bashkëshortëve  ndodheshin në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kjo për faktin se ndaj tyre rëndonte një akuzë e rëndë, siç ishte trafikimi i fëmijëve dhe shfrytëzimi i tyre për punë në një vend tjetër. Ndërkohë, pas ekstradimit në Shqipëri Valmir Shaqiri është transferuar nëpër disa burgje të vendit, ndërsa bashkëshortja e tij është mbyllur në qelitë e 325-ës, të vendimit burg për gratë në vendin tonë.Gjykata: Fajtorë për trafikimin e një vajze 7 vjeçareBashkëshortët Shaqiri u ekstraduan në ‘05, dënimi 33 vjet për të dyTIRANE – Me anë të një deklarate zyrtare Interpol-Tirana ka pohuar në vitin 2005 se ka ekstraduar nga Greqia në 18 gusht 2005 36 vjeçaren A.Sh, nga qyteti i Elbasanit. Sipas Interpolit kjo shtetase ka qene e shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Elbasanit, me një vendim të datës 6 janar 2003, e ka dënuar me 15 vjet heqje lirie për veprën penale të  “trafikimit të fëmijëve”. Në vendimin e gjykatës thuhet se shtetësia A.Sh. në bashkëpunim me bashkëshortin e saj Valmir Shaqiri në shtator të vitit 1999 kanë “blerë” të miturën E.D., me qëllim për ta detyruar të dilte për të lypur në rrugët e Greqisë. Gjykata ka argumentuar se Valmir Shaqiri së bashku me bashkëshorten e tij kanë emigruar në Greqi, dhe në gusht 1999 kanë marrë për qëllime punësimi në Greqi një vajzë 7 vjeçare, duke i premtuar familjes së të miturës një pagesë mujore, por nga çifti Shaqiri vajza është përdorur për lypësi në Greqi. “Në sajë të bashkëpunimit mes Zyrës Qendrore Kombëtare të Interpol Tirana  dhe Interpolit Grek është bërë i mundur arrestimi i kësaj shtetaseje, me qëllim ekstradimin e saj dhe vuajtjen e dënimit për veprën penale për të cilën është deklaruar fajtore nga Gjykata Shqiptare”, thuhet në njoftimin zyrtar të Interpol-Tiranës. Ndërkohë, bashkëshorti i saj Valmir Shaqiri, i dënuar me 18 vjet heqje lirie për të njëjtën vepër penale ishte ekstraduar nga Greqia më datë 25 shkurt të vitit 2005. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›