E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillim i mbarë në të majtën shqiptare

Nga Kujtim Mateli

u2_kujtim mateliDitët e fundit, skena e politikës shqiptare përjetoi një lëvizje në sensin pozitiv të gjërave. Dështimi total i kësaj qeverisjeje bëri që LSI të tërhiqet në kohën e duhur duke kuptuar se nuk mund të bashkëqeveriset, kur përqasjet politike janë të kundërta. Programi politik i së majtës është vështirë të shartohet me atë të së djathtës, sidomos kur nënshartesa (PD) është e kalbur. Po edhe aleati tjetër i kësaj qeverisjeje, PDIU, nuk pranoi të merrte ndonjë post ministror duke bërë kështu të ditur mospëlqimin e saj për qeverisjen e PD, pavarësisht se ndodhet në një koalicion me të. Po edhe ca forca të tjera të përfaqësuara në nivele më të ulta dhe që kanë shërbyer si garniturë e kësaj qeverisjeje, mund të largohen një e nga një pa bujë, ashtu siç edhe hynë në këtë koalicion. Siç duket, qeverisja e PD ngeci në moçalin e korrupsionit dhe priten zgjedhjet e 23 qershorit për ta nxjerrë Shqipërinë në udhën e progresit dhe të Rilindjes.

***

Largimi i LSI nga koalicioni qeverisës, e tronditi rrjedhën normale të politikës shqiptare. Siç duket, pesha e kësaj force politike është e konsiderueshme, pasi tronditi jo vetëm koalicionin qeverisës, por edhe një segment të vogël të së majtës, ku disa parti politike u alarmuan për këtë rikthim të LSI në vatrën e saj dhe i kërkuan kreut të PS të refuzonte ardhjen e saj në të majtën shqiptare. Po edhe individë që i përkasin PS, kanë qenë të dyzuar, nëse duhet apo jo që LSI të bëjë pjesë në të njëjtin koalicion. Qëllimi i këtyre forcave politike dhe individëve nuk kanë qenë dashakeqës, por shqetësim se a do të votohemi nga elektorati ynë duke patur në koalicion një segment të qeverisjes aktuale. Pyetja e shtruar: marrim më shumë vota duke qenë një front opozitar, që ka denoncuar vazhdimisht korrupsionin e kësaj qeverisjeje në nivelin e kërkuar apo këto vota do të shtohen duke patur në të dhe votat shtesë të LSI për t`i shtuar sigurinë fitores? Përgjigja e kësaj pyetjeje vështirësohet, sepse askush nuk e di cili do të jetë reagimi i elektoratit, pasi secili shpreh mendimin individual që mund të mos përputhet me mendimin e shumicës.
Mendimi pro dhe kundër tregon interes, se njerëzit janë të interesuar për një mbarëvajtje të vendit të tyre. Po këto mendime nuk mund të vazhdonin gjatë dhe vendimi duhej marrë në përputhje me interesat e qytetarëve. Interesi i shqiptarëve dhe veçanërisht i elektoratit të majtë, është që të sjellë në qeverisje Partinë Socialiste bashkë me aleatët e saj. Elektorati e vlerëson secilën forcë politike sipas kontributit që ajo ka dhënë në zhvillimin e vendit. Kjo do të thotë se nuk do të votohesh automatikisht duke qënë në koalicionin e Majtë. Vota e elektoratit shkon në përputhje me kontributin e çdo force politike. E majta vjen në pushtet duke bërë që asnjë votë e elektoratit të saj të mos tjetërsohet, tjetërsim që është kryer pas procesit të votimit. Duke parë kompleksitetin e procesit të ndërlikuar të zgjedhjeve, Partia Socialite dhe Kryetari i saj ftojnë LSI të bëhet pjesë e këtij koalicioni.

***

Po z. Edi Rama nuk është vetëm kryetari i PS. Kryetari i PS, është njëkohësisht dhe Lideri i së Majtës shqiptare. Parësore është përfshirja në një koalicion të vetëm e gjithë partive të majta. Madje bashkëpunim dhe përfshirje me të gjitha forcat opozitare. Në këto momente, e djathta qeverisëse, e tkurrur më shumë se çdo herë tjetër nga varfëria dhe korrupsioni që ka mbërthyer vendin, nuk mund të vazhdonte të mbahej me frymë nga e majta shqiptare. LSI, vjen në spektrin e vet politik, me program të qartë qeverisës, edhe pse dështoi në një tentativë bashkëpunimi me të djathtën. Përvoja e hidhur që provoi në një qeverisje të dështuar, nuk do të thotë se asaj i është errësuar vizioni europian. Vizioni europian është errësuar tek forca e vetme qeverisëse që është PD. LSI nuk arriti dot t`i jepte dritë dhe udhë një qeverisjeje të dështuar, ndaj dhe vendosi të largohej.
***
LSI kërkon votat e asaj pjese që e mbështesin atë për programin dhe kontributin e saj politik. Është e ditur që ajo ndihet komod në këtë pozicion ku po vjen. Në spektrin e së majtës do të maksimalizohet nga votuesi i saj. Në cilindo pozicion tjetër që ajo do të vendosej, do të votohej më pak.

Po kur flitet për një koalicion të së Majtës kundër kësaj qeverisjeje që i rrënoi ekonomikisht shqiptarët, lind nevoja që të mos përjashtohet asnjë forcë politike dhe ftesa të jetë e hapur edhe për ato parti të tjera që ndodhen në këtë qeverisje të djathtë, pasi ndonjë prej tyre, shumicën e elektoratit e kanë të majtë, siç është Partia e Çamëve.
Fryma e bashkëpunimit që po krijohet në hapësirën e koalicionit të majtë, siç duket po sjell në një emërues të përbashkët të gjitha ato forca politike që janë me elektorat të majtë, por që kanë qenë joshur nga pushteti dhe kanë shkuar tek kjo qeverisje e djathtë. Veç duhet thënë se nuk kanë lënë shije të mirë tek elektorati shqiptar, por kjo nuk do të thotë që të shkohet deri atje sa t`u mbyllet dera e shtëpisë së tyre në koalicionin e majtë. Nëse Edi Rama do të bënte të kundërtën, nisur nga kritere subjektive, që të përjashtonte nga Koalicioni parti politike, nuk do të ishte bashkues i së majtës, por përçarësi i saj. Si Lider i së Majtës, ai ka shtrirë dorën e bashkëpunimit për të gjitha forcat politike.

****
Tek e majta shqiptare, partitë bashkojnë vlerat e tyre. Mendoj se ardhja e LSI është hapi i duhur që do ta kthejë të majtën shqiptare, të hapur me të gjitha forcat politike që aspirojnë për një Shqipëri europiane.
Përfshirja e të gjitha forcave politike në një Koalicion të vetëm opozitar për të çrrënjosur një qeverisje që i shkaktoi dëme të rënda vendit, edhe pse përmes disa kundërtish të pa rëndësishme, po i ndërgjegjëson se vetëm kontributi i tyre brenda këtij koalicioni i jep vlerë votës së shqiptarëve. Çdo koalicion që formohet jashtë së majtës, mbart rrezikun e tjetërsimit të votës së shqiptarëve, sepse shqiptarët duan ta shohin këtë qeverisje, rrënjëdalë pas 23 qershorit.
Fryma e re dhe besimi tek e majta shqiptare, po i shëmbëllen një shpërthimi pranveror. Njerëzit po orientohen drejt dritës, drejt së mirës, drejt ëndrrave të tyre. Shpresat e vrara nga dimri i gjatë e i akullt që solli qeverisja e PD, po zëvendësohen me besimin e optimizmin. Orientimi masiv i elektoratit drejt PS dhe së majtës, shihet në bisedat e zakonshme midis njerëzve. Kemi shansin të Rilindim Shqipërinë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›