E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërd-Euro 2008

Edmond Tupja 

Me sa kam parë e dëgjuar, mjaft njerëz mendojnë se, të paktën deri tani, dy janë ngjarjet kulmore të vitit 2008 për shqiptarët: tragjedia e Gërdecit dhe kampionati  evropian i futbollit. E para përbën një ngjarje të nivelit kombëtar me jehonë ndërkombëtare (madje duke kapërcyer brigjet e Atlantikut), që hyri në historinë e Shqipërisë paskomuniste me shkatërrim, vdekje, dëshpërim e kuje; e dyta përbën një ngjarje të nivelit ndërkombëtar, me jehonë kombëtare, që po sjell emocione të fuqishme sidomos për meshkujt shqiptarë, por edhe për një kategori femrash, pa harruar emocionet e humbjes apo të fitimit të basteve të vëna me këtë rast.
Shumëkush, me të drejtë, mund të pyesë se çfarë i lidh këto dy ngjarje kaq të ndryshme, madje të kundërta me njëra-tjetrën. Në pamje të parë, po t’i vëresh me syrin dhe mendjen e shumicës dërrmuese të bashkatdhetarëve të mi, ato nuk i bashkon asgjë, absolutisht asgjë. Asgjë, përveç faktit që sa më shumë jetojmë me emocionet pozitive të Euro 2008-s, aq më shumë e harrojmë Gërdec 2008-n me emocionet e tij tejet negative. Si është e mundur kjo? – pyesin e duhet të pyesin ato pak ndërgjegje të shqetësuara që e kanë të vështirë t’i harrojnë, qoftë edhe përkohësisht, tragjeditë e përmasave kombëtare. Për fat të keq, po, ja që na qenka e mundur. Atëherë, përse vallë qenka e mundur kjo? – do të ishte pyetja e dytë e të njëjtave ndërgjegje të shqetësuara.
Sigurisht, sociologë, analistë e opinionistë mund t’i japin përgjigje të sakta kësaj pyetjeje të dytë, duke bërë analiza shkencore objektive. Por përgjigjen filozofike me duket se e ka parathënë Erih-Maria Remarku në romanin e tij “Obelisku i Zi” me frazën e mëposhtme: “Kujtesa kërkon të mbijetojë, por mbijetesa është e mundur vetëm nëpërmjet harresës”.
Për mospjesëmarrjen e ekipit tonë kombëtar në Euro 2008-n, përgjegjësinë e kanë trajnerët, ndihmëstrajnerët dhe vetë lojtarët; sidoqoftë, kjo mospjesëmarrje, me gjithë shijen e keqe që u la tifozëve shqiptarë të futbollit, nuk solli asnjë mynxyrë: duke punuar e duke u stërvitur më tepër, ndoshta pas katër vitesh, ekipi ynë kombëtar do të marrë pjesë në Euro 2012-n. Kurse, nga ana tjetër, për tragjedinë e Gërdecit, përgjegjësinë dhe fajin e mban pjesëmarrja, d.m.th. përlyerja e politikës shqiptare ndër vite dhe tani (qeveritarë e opozitarë, të djeshëm e të sotëm, të majtë e të djathtë) në afera të papastra me kumbim korruptiv e me pasoja tejet të rënda për fatet e shqiptarëve të thjeshtë, të thjeshtë jo rrallë herë deri në naivitet.
Me gjithë vërtetësinë e padiskutueshme të mendimit të Erik-Maria Remarkut, diçka më shtyn të them se ka ardhur koha që të përpilohet një fjalor historik i kujtesës shqiptare, ku, përkrah gjithë ngjarjeve historike të lavdishme, por sidomos atyre të mynxyrshme për kombin e popullin shqiptar, të gjejnë vendin e tyre edhe ngjarje të tilla tragjike si trazirat e vitit 1997 dhe zezona e Gërdecit. Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, botim i vitit 1980, fjala “gërdec” ka kuptimin ‘sifiliz’, që, deri para se të hynin gjerësisht në përdorim antibiotikët, ishte një sëmundje seksualisht e përcjellshme vdekjeprurëse, kurse shprehja “u gdhi gërdec” ka kuptimin ‘u gdhi i vdekur’; ky emër, “Gërdec”, dukej kështu i paracaktuar për gjëmën që do të pësonin banorët e këtij fshati, gjëmë që nxori në pah edhe një herë papërgjegjshmërinë e pafalshme të strukturave drejtuese të ushtrisë, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të krerëve të ekzekutivit shqiptar që nga viti 1997 e këtej.
Le të shpresojmë që kjo situatë do të përsëritet pas katër vjetëve, por në kahe të kundërt: që ekipi ynë kombëtar do të arrijë më në fund të marrë pjesë në Euro 2012-n, dhe se ekipi ynë qeveritar i atëhershëm nuk do të marrë pjesë në afera të papastra që mund të shpien në ngjarje tragjike, si ajo e Gërdec 2008-s, për fatet e shqiptarëve të thjeshtë, të thjeshtë jo rrallë herë deri në naivitet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›