Durrës-Morin, përfundon gjysma e tunelit gjigant
KUKES / JONUZ HALLAÇI
Më 2 korrik do të festohet 50% e punimeve në tunelin e Kalimashit. Kjo është ende e pabesueshme edhe për më optimistët, qëkurse nisi ndërtimi i tunelit më të madh në Ballkan në nëntor të vitit 2007, kur kreu i qeverisë Sali Berisha, në mënyrë simbolike bëri shpërthimin e parë në faqen e malit.
Që nga ajo kohë janë bërë shumë punime, shumë fjalë, akuza e lëvdata për "Bechtel Enka", konsorciumin turko-amerikan që ka marrë përsipër realizimin e tunelit më të madh në rajonin e Ballkanit. Për pjesën më të vështirë të autostradës Durrës-Morin, ndonëse po ecën me hapa të shpejtë, parashikimet e shtyjnë afatin e tij disa muaj pas atij të shënuar në kontratë. Nga ana tjetër, puna në 3 lotet e autostradës nga Kalimashi në Morin po has pengesa, jo vetëm për ritmin e firmave ndërtuese, por dhe për çështjen e papërfunduar të shpronësimeve. Po ç'ndodh realisht në investimin më gjigant e më të kushtueshëm në infrastrukturën e vendit tonë?
Tuneli
Megjithëse është ditë e nxehtë vere, punimet në portalin verior nga Kalimashi në drejtim të Thirrës vazhdojnë. Janë makineri të rënda e moderne që shkatërrojnë masivet e shkëmbit në brendësi të malit, ku në njërën galeri thellësia ka mbërritur në 1500 metra dhe në tjetrën 1400 m. Punimet kryhen në kushte të larta të sigurisë për jetën e tyre dhe i vetmi incident i ndodhur deri tani ka qenë një shembje e vogël, ku u plagosën lehtë dy punëtorë. Kryeinxhinieri Hysen Karrolla, me një përvojë 25-vjeçare në tunele të tilla në vende të ndryshme të Evropës, thotë se primare është mbrojtja e jetës së njerëzve. "Motoja jonë është zero jetë të humbura, pasi dhe makineritë janë teknologjia e fundit e shkencës". Në tunel ecuria është në varësi të fortësisë së shkëmbit që varion nga 50 cm në ditë deri në 4 metra. Dy tubat e fuqishëm të ajrimit dërgojnë ajrin në thellësi, aty ku gjithçka është segmentuar në bazë të projektit: dy galeritë dykalimëshe me dhoma sigurie, lidhje telefonike, vend për zjarrfikëset, galeritë e emergjencës dhe një hyrje nga sipërfaqja me ashensor në mes të tunelit. Tashmë janë betonuar dhe 500 metrat e parë në hyrje të tunelit. Një betonim i lartë sigurie që bëhet në dy anët, por burime pranë projektit thonë se ka sërish ndryshime dhe ka të ngjarë që afati i përfundimit të shtyhet për në mars 2010.
Punimet, pezull drejt Morinit
Ndërkohë, punimet vazhdojnë nga tuneli i Kalimashit në drejtim të Morinit, në një gjatësi prej rreth 37 km. Por jo çdo gjë duket se shkon për mrekulli. Firmat e ndërtimit, të nënkontraktuara nga kompania "Bechtel-Enka", kanë krijuar probleme gjatë ndërtimit të rrugës së re, duke shkaktuar prishjen totale të asaj ekzistuese. Punëtorët e tyre i kanë vendosur mjetet e sigurisë dhe helmetat vetëm ditën kur ishte kryeministri pak ditë më parë, për të parë ecurinë e punimeve. Në afërsi të qytetit të Kukësit projekti është devijuar. Rrugës për në Morin fadromat punojnë pa asnjë shenjë të sigurisë, ndërsa punimet ndërpriten herë pas here. Moskompensimi është pengesa kyçe për vazhdimin normal të tyre. Nga Kukësi deri në Morin janë dhe 9 ura të mëdha që i ka marrë përsipër firma maqedonase "Granit". Në bazë të kontratës së parë, urat duheshin dorëzuar më 3 shkurt të këtij viti, por në atë kohë ishin bërë vetëm gropat e këmbëve. Më vonë ndryshoi projekti dhe urat do të bëhen 4-kalimëshe, duke shtuar dyfish vlerën financiare për to. Ura më e gjatë është ajo e Uzinës, 360 m e gjatë, ndërsa më e larta është në afërsi të tunelit të Kalimashit, 87 m e lartë. Banorët dhe pushteti vendor janë ankuar se firmat në fjalë në komunë e Tërthorës kanë shkaktuar probleme për energjinë, ujësjellësit, banesat dhe shkollat me shpërthime me mina. Remzi Veseli, kryetar i komunës, thotë se shteti po i merr në mbrojtje këto firma që kanë shkelur ligjet dhe afatet, ndonëse punojnë me paratë e shqiptarëve. Sipas Veselit, shteti nuk ka lëvruar as 11 milionë lekët që duhen për të zhvendosur varrezën e Morinit, për të cilën është bërë dhe tenderi. Punimet këtu ngecin, për të vazhduar në pjesën matanë varrezave, deri në urën ndarëse, në kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Turistët e parë për këtë sezon veror që vijnë nga Kosova, teksa mundohen gjatë rrugës së vjetër, shohin të entuziazmuar gjurmën e rrugës së re, e cila do t'i sjellë ata në Durrës për 2 orë e gjysmë në 170 km nga Morini.
Shpronësimet lënë peng autostradën Rrëshen-Kalimash
MIRDITE - Autostrada gjigante nuk ka zgjidhur ende problemet e shpronësimit. Tani që punimet kanë arritur në gjysmën e tyre dhe po kryhet zbatimi i projektit në pikat më të vështira të tij, banorët e zonave nga shkel rruga Durrës-Kukës ankohen për paratë. Një pjesë e tyre nuk janë kompensuar materialisht, edhe pse shtëpitë u janë prishur. Në shumë raste policia e Mirditës ka ndërhyrë, duke shoqëruar banorët e zonës, të cilët kanë rezistuar gjatë aksioneve për prishjen e shtëpive. Po kështu edhe gjatë shpërthimeve që janë shfrytëzuar nga firmat e ndërtimit ka pasur 6 raste dëmtimesh të banesave, në fshatrat Kolës dhe Mashërkorë, por deri tani ata nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim për ta. Rasti më i fundit ka qenë ai i Mhill Gjokës, i cili reagoi kudër shembjes së banesës së tij, por përfundoi disa orë në qeli. Shembjet e banesave janë bërë në kundërshtim me vendimet e qeverisë, të cilat urdhërojnë që këto veprime të kryhen pasi më parë të jetë bërë zhdëmtimi në para i poseduesve të tyre. Mhill Gjoka, banor i fshatit Blinisht të komunës Orosh, thotë se nuk është kundër ndërtimit të kësaj vepre, pasi shtëpia e tij ndodhej shumë pranë trasesë së rrugës së re, por për mënyrën sesi veprohet, kur ende pa i dhënë lekët e kompensimit, ia kanë prishur atë dhunshëm. Përballë kësaj gjendjeje, përfaqësuesit e firmës pohojnë se çështjen e shpronësimeve e zgjidh qeveria, pasi ata duan që të ecin përpara me projektin.
Topalli: Durrës-Kukës, si Shqipëria e 2020-ës
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, fton deputetët e opozitës që të mos bojkotojnë, por të vijnë e të shohin nga afër punimet e rrugës Rrëshen-Kalimash. Kryeparlamentarja Topalli së bashku me një grup deputetësh të maxhorancës, inspektoi nga afër dje punimet e rrugës Rrëshen-Kalimash. Duke u shprehur me superlativa për këtë vepër madhore, Topalli ftoi opozitën që të marrë mundimin për të parë nga afër këtë vepër gjigande. "Për të gjithë ata që nuk e kanë vizituar veprën që realisht bën krenar çdo qytetar të Shqipërisë, ju përsëris dhe një herë ftesën, dhe për faktin se rruga që do të lidhë portet tona me Kosovën dhe me Evropën Juglindore është me katër korsi. Është Shqipëria me katër korsi në të gjithë infrastrukturën e saj. Ndaj dhe unë mendoj se kjo na bën krenarë, kjo na bën evropianë. Kjo është Shqipëria e 2020-ës dhe ne kemi rendur dhe kemi shkurtuar kohën tonë në të gjitha projektet tona", deklaroi Topalli. Sipas saj, deri më tani kanë përfunduar mbi 50% e punimeve. Grupi i deputetëve të shoqëruar nga Topalli vizituan punimet në urat nr. 4 dhe 6, ku kjo e fundit është 360 metra e gjatë. "Personalisht mua më duket diçka e pabesueshme që për një vit të realizohen 27 ura që zënë një gjatësi prej 14 kilometrash, që për një vit të bëhen 2 tunele me nga 5.5 kilometra. Unë gati-gati nuk i besoj syve, që shoh se një tunel i këtyre përmasave, me gjithë gjigantizmin e tij të jetë në Shqipëri. Është vështirë të imagjinohet se si një ndër zonat më të braktisura apo më të prapambetura, të kthehet në një ndër zonat më moderne nga pikëpamja infrastrukturore", tha Topalli.