E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e dyfishtë, ceremoni të ndara për shkaqe sigurie

 

Polici Hazir Sallahu dhe viktima e tij, Anila Laze, u përcollën në orare të ndryshme në Tufinë. Flasin fqinjët e Lazes

 

TIRANË- Polici dhe gruaja me të cilën ai bashkëjetonte prej dy vjetësh janë përcjellë në banesën e fundit të ndarë. Ditën e djeshme janë zhvilluar në orare të ndryshme ceremonitë mortore të 45-vjeçarit Hazir Sallahu dhe 34-vjeçares Anila Laze. Çifti do të prehet në varrezat e Tufinës dhe për arsye sigurie, ceremonitë u kryen në distancë kohore prej disa orësh larg njëra-tjetrës. Polici i objekteve, Hazir Sallahu vrau gruan me të cilën bashkëjetonte prej dy vjetësh, Anila Lazen, dhe më pas qëlloi edhe veten. Policia pas hetimeve të para deklaroi xhelozinë si shkakun kryesor të vrasjes së dyfishtë. Sipas policisë, Sallahu dyshonte se Laze e tradhtonte me një tjetër person. Por ndryshe deklaratës së policisë, shprehen fqinjët e viktimës të cilët tregojnë se ajo nuk njihej si një vajzë imorale, por ajo kërkonte të ndahej nga bashkëjetuesi i saj dhe prej disa kohësh jetonte tek familja e saj që banon pranë vendit ku ndodhi krimi, në rrugën e “Porcelanit” në Tiranë. Ndërkohë që të afërmit e policit, i cili ishte dhe shkaktari i tragjedisë nuk pranojnë të flasin. Asnjëri prej tyre nuk pranon të tregojë për shkaqet që mund të kenë detyruar Sallahuntë qëllojë mbi gruan me të cilën bashkëjetonte dhe më pas të vriste veten pranë trupit të saj. Krimi brenda familjes ndodhi dy ditë më parë në rrugën e “Porcelanit” në kryeqytet. Anila Laze është përballur në rrugë me policin Hazir Sallahu me të cilin bashkëjetonte dhe pas një bisede të shkurtër mes tyre kalimtarët e rastit kanë dëgjuar një mori kërcënimesh prej policit. Ky i fundit i kërkonte 34-vjeçares të kthehej me të, por refuzimit të saj ai i është përgjigjur me kërcënime. “Do të vish me mua se ndryshe do të vras” por pavarësisht kërcënimit me vdekje sërish Laze nuk ka pranuar kërkesën e policit i cili ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar tri herë në drejtim të saj duke e lënë të vdekur në vend. Pasi ka parë gruan të përpëlitej e gjakosur në trotuar, 45-vjeçari vinte rrotull ndërsa nuk ka denjuar të largohej. Pak sekonda më pas kur dëshmitarët po diskutonin për të lajmëruar policinë, Sallahu është larguar vetëm pak metra larg trupit të 34-vjeçares dhe ka qëlluar veten me pistoletë. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes vetëm pak minuta më pas ku gjeti në trotuar trupat e pa jetë të çiftit pak metra larg nga njëri-tjetri. Policia deklaroi paraprakisht se dyshimet se Laze e tradhtonte Sallahun dyshohet të ketë qenë dhe shkaku që solli tragjedinë.

SHERRI

Hazir Sallahu i ka dalë në rrugë gruas me të cilën bashkëjetonte prej dy vjetësh dhe i kërkonte asaj të kthehej në shtëpi. Sherri mes tyre është dëgjuar nga shumë kalimtarë të rastit në Porcelan

VRASJA

Rezistencës së Anila Lazes, polici i Objekteve i është përgjigjur me tre plumba. Pasi ka parë gruan të mos japë shenja jete, Sallahu ka qëlluar veten, për të mos rënë në duart e policisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›