Skema e grabitjes së bankës nga maskat
Sulmohet në mes të ditës filiali i bankës NBG. Autorët-arkëtares: Na jep të gjitha paratë, ose do të të vrasim
Tre persona të armatosur dhe të maskuar grabisin 1.5 mln lekë në bankën që ndodhet në autostradë
TIRANË- Tre persona të armatosur dhe me maska grabisin në mes të ditës filialin e një banke në autostradën Tiranë-Durrës. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, në filialin e bankës NBG që ndodhet në kilometrin e 9 në autostradën Tiranë-Durrës, kur tre persona ende të panjohur kanë grabitur rreth 15 milionë lekë të vjetra. Sipas punonjësve të bankës, personat kanë qenë të armatosur dhe me maska. Nën kërcënimin e armës, grabitësin kanë mundur të marrin një sasi parash dhe më pas janë larguar duke iu shpëtuar dhe prangave të policisë. Kjo e fundit, pasi është lajmëruar nga punonjësit e bankës mbërriti menjëherë për të bërë këqyrjen e provave. Burime nga policia thanë se deri në orët e vona të mbrëmjes u shoqëruan disa persona si të dyshuar kryesorë të ngjarjes, por pasi u morën në pyetje ata u lanë të lirë për mungesë provash. Burimet zyrtare të policia së Tiranës thanë se po punohet për të identifikuar autorët e grabitjes.
Grabitja
Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, në ambientet e brendshme të filialit të bankës NBG që ndodhet në kilometrin e 9 në autostradën Tiranë-Durrës, janë shfaqur tre persona të maskuar dhe të armatosur. Tre personat janë shpërndarë në hollin e bankës, duke ruajtur njëri-tjetrin, ndërsa njëri prej tyre i është afruar arkëtares duke i kërkuar paratë. Klientët e bankës dhe punonjësit nuk kanë lëvizur dhe folur, duke ndjekur me frikëudhëzimet e grabitësve. Këta të fundit i kanë drejtuar tytën e automatikut arkëtares, duke i kërkuar paratë, në të kundërt, do ta vrisnin. Pa bërë rezistencë, punonjësja u ka dhënë paratë që kishte në arkë grabitësve, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi. Vjedhja me armë ndodhi brenda pak minutash, ndërsa autorët mundën të largoheshin me një automjet duke iu shpëtuar prangave të policisë. Të alarmuar punonjësit e bankës lajmëruan policinë, vetëm atëherë kur grabitësit ishin larguar nga ambientet e brendshme të bankës.
Policia
Të parët që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes ishin forcat e komisariatit të policisë nr.6, të cilët u lajmëruan nga punonjësit e bankës. Më pas për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes mbërritën oficerët e seksionit kundër vjedhjeve me armë pranë policisë së Tiranës. Oficerët morën në pyetje punonjësit e bankës të cilët ishin dëshmitarë të grabitjes me armë. “Sipas punonjësve të bankës, autorët ishin tre, të maskuar dhe me automatikë në dorë. Nën kërcënimin e armëve ata mundën të merrnin një sasi parash. Nga dëshmitë e mbledhura deri më tani mësohet se grabitësit janë të moshës rreth 25-30 vjeç” -thanë për “Shekullin” burimet policore. Të njëjtat burime shtuan se ende nuk janë parë filmimet e kamerave të sigurisë dhe pritet që ato të ndihmojnë për identifikimin e autorëve. Deri në orët e vona të mbrëmjes policia ka verifikuar disa automjete që përafroheshin me makinën që u përdor nga grabitësit për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Por policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve ndërsa shton se po punohet për të arritur sa më shpejt në identifikimin dhe kapjen e tyre. Ndërkohë që pasditen e djeshme, punonjësit e bankës kanë mundur të bëjnë një bilanc paraprak për të përcaktuar shumën e grabitur. Kështu paraprakisht dyshohet se grabitësin mundën të merrnin rreth 15 milionë lekë të vjetra, megjithatë ende nuk është përcaktuar shuma e saktë.
PRECEDENTI
Vjedhja tek “Zogu i Zi”
Rreth një muaj më parë, një person i armatosur dhe me maskë mundi të grabiste një sasi parash në filialin e bankës Raiffeisen, pranë “Zogut të Zi” në Tiranë. Ngjarja ndodhi në mes të ditës kur një person i moshës 25-vjeç nën kërcënimin e një pistolete mundi t’i merrte arkëtares një shumë parash prej 300 mijë lekësh të reja.Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe pas hetimeve të para mundi të ndalonte një të dyshuar, i cili u la i lirë pak orë më vonë. Megjithëse seksioni i vjedhjeve me armë hetoi intensivisht për këtë grabitje ende nuk ka mundur të gjejë autorin.