E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Duan dru, jo thupra”(!)

Martin Leka 

Pardje dhe dje, top-lajmi më i rëndësishëm i mediave ishte përkatësisht një deklaratë e zëdhënësit të ambasadës së SHBA-ve në Tiranë dhe një deklaratë e përfaqësisë së ambasadorëve të BE-së në Tiranë. Objekti i tyre ishte i njëjtë: tërhiqej vëmendja e qeverisë për mosndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, përkatësisht të organit të akuzës, prokurorisë.
E gjitha ndodhi pasi dy ministra të qeverisë, ai i Drejtësisë (për paradoks e ironi quhet “i drejtësisë”) dhe ai i Brendshëm, kishin ushtruar presion mbi organin e akuzës.
“Sebep” për këtë luftë të re mes qeverisë e drejtësisë u bë një Damir Fazlliç, boshnjaku milioner me pasaportë angleze dhe mik i kryeministrit tonë. Ishte aq mik, sa vetëm për të pohuar këtë gjë, pra besnikërinë e tij ndaj mikut, nuk e kishte për gjë të prenotonte avion privat nga Londra në Tiranë e kthim. Këtij i thonë mik(!) (Po fundja, kush nuk do ta bënte këtë investim e shpenzim nëse janë të vërteta nderet që i janë bërë këtij miku nga “miku”?!...)
Kaq pra, u desh që gjithë politika të trazohej e bashkë me të, të shqetësoheshin edhe ndërkombëtarët. Këta, pra ndërkombëtarët, mbikëqyrin me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri dhe për kohën dhe vendin që zë vendi ynë në axhendën ndërkombëtare, kjo merr rëndësi të veçantë. Themi kështu, pasi Shqipëria është vetëm një hap larg anëtarësimit të plotë në NATO dhe disi më larg BE-së. Për këtë arsye, monitorimi është i pashmangshëm dhe këtë, më shumë se kushdo, duhet ta dijë qeveria.
Mirëpo për paradoks, ndodh e kundërta. Eshtë pikërisht qeveria e cila në vend që të tregohet e kujdesshme, e matur, bën të kundërtën. Të ishte ndonjë problem që ka lidhje me reformat, ndoshta do të kishte pak sens, të paktën për ata që nuk kuptojnë e nuk marrin vesh nga këto punët e reformave. Por kur gjithçka ndodh vetëm për krenarinë dhe tekat e një biznesmeni të huaj, të pasuruar me paratë e taksapaguesve shqiptarë, kjo po që nuk ka sens. Madje të duket shumë e trashë dhe e paskrupullt. Për më tej, nëse kryeministri e deklaroi hapur miqësinë e tij me Damir Fazlliç, të duken groteske figura si ajo e ministrit të Drejtësisë e ca të tjerë(a)ve, të cilët, për të kënaqur shijet e shefit të qeverisë në këmbim të vazhdimësisë së karrierës së tyre (paaftësisë së tyre), bëjnë deri shkelje ligjore, duke ndërhyrë e ushtruar presion mbi organin e prokurorisë.
Kaq pra u desh, një udhëtim disa orësh i një qytetari të huaj të panjohur më parë për publikun, që të bëjë “gjurulldinë” e radhës në këtë shtet, ku në vend të ligjit dhe seriozitetit, në vend të demokracisë e shtetit të së drejtës, sundojnë klanet dhe padrejtësitë. Kaq u desh që disa qeveritarë të paaftë të humbin ekuilibrin dhe të tregojnë të vërtetën, thelbin e qeverisjes, thelbin e demokracisë së brishtë të përzier në një “konglomerat” paaftësie, papërgjegjshmërie, servilizmi, korrupsioni.
Por vetëm kaq u desh që ndërkombëtarët, siç kanë bërë shumëherë, të nxjerrin “thuprat” ndaj qeverisë. Këtë radhë, ata paralajmërojnë mosndërhyrje në punët e prokurorisë, sidomos në një situatë ku ky organ ka disa çështje “VIP” në hetim dhe që mund t’i kushtojnë shumë qeverisë së koalicionit të djathtë.
Duhet theksuar me të madhe fakti, se ndërkombëtarët janë gjithnjë mjaft të informuar për gjithçka ndodh në këtë vend. Ata gjithnjë nxjerrin “thuprat” paralajmëruese kundër qeverisë, siç kanë bërë edhe në të shkuarën, kur kjo del nga binarët e demokracisë e shtetit të së drejtës.
Por, në rastin për të cilin po flasim e për një qeveri, që duket e ka mbushur kupën, ndaj saj duhet “dru”, jo “thupra”!…  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›