E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lordi Anthony Giddens në Shqipëri

Fatos Tarifa, PhD 

Jo fizikisht, por intelektualisht, sociologu më i famshëm në kohën tonë dhe një ndër emrat më të shquar në shkencat sociale të kohës që jetojmë, Anthony Giddens, ka “ardhur” disa ditë më parë në Shqipëri si një mik i nderuar i studiuesve shqiptarë të shkencave sociale dhe, veçanërisht, i Universitetit Europian të Tiranës. Ky universitet, përveç tre revistave akademike që ka filluar të botojë në gjuhën shqipe: Polis, Economicus dhe Jus & Justicia, do të ketë këtej e tutje në katalogun e botimeve të tij edhe një revistë akademike ndërkombëtare në gjuhën angleze, titulluar Sociological Analysis (Analiza Sociologjike).
Kjo revistë, e cila deri pak kohë më parë redaktohej dhe botohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka tani redaksinë e saj në Universitetin Europian të Tiranës, edhe pse ajo do të vazhdojë të botohet si një revistë akademike në Shtetet e Bashkuara dhe do të shpërndarë kryesisht në SHBA dhe në Evropë (pra edhe në Shqipëri). Përveç disa studiuesve shqiptarë të njohur në fushën e shkencave sociale, në Bordin Editorial të kësaj reviste bëjnë pjesë sociologë amerikanë dhe evropianë ndër më të shquarit në kohën tonë, profesorë të sociologjisë dhe të shkencave sociale në disa prej universiteteve më të famshëm të botës. Disa prej tyre janë: Jon Elster dhe Saskia Sassen (Columbia University), Michael Burawoy (University of California, Berkeley), Amitai Etzioni (George Washington University), Arne Kalleberg dhe Judith Blau (University of North Carolina, Chapel Hill), Georgina Born (University of Cambridge), Pepper Schwartz dhe Daniel Chirot (University of Washington), Craig Calhoun dhe Barbara Heyns (New York University), Claus Offe (Hertie School of Government, Berlin), George Ritzer (University of Maryland), Douglas Kellner (University of California, Los Angeles), Lisa Keister (Duke University), Erik Orin Wright (University of Wisconsin, Madison) etj.
Disa ditë më parë, kësaj liste emrash të shquar iu shtua edhe emri i sociologut më të famshëm në botën e sotme, Lordi Anthony Giddens, i cili pati mirësinë të pranojë ftesën tonë për të qenë Kryetar Nderi (Honorary Chairman) i revistës Sociological Analysis.
Cili është Anthony Giddens? Lordi Giddens ka kryer studimet universitare në University of Hull dhe në London School of Economics & Political Science (LSE). Në vitin 1974, Giddens fitoi gradën PhD në sociologji nga University of Cambridge. Pas kësaj ai nisi karrierën akademike në University of Leicester dhe më vonë në University of Cambridge, ku u bë Profesor i Sociologjisë. Nga viti 1997 deri në vitin 2003, Anthony Giddens ishte Drejtor i London School of Economics. Në vitin 2002 ai u nderua me Çmimin e lartë “Prince of Asturias” për shkencat sociale. Giddens është nderuar me grada akademike honorifike nga 15 universitete ndër më të njohurit në botë dhe është, veç të tjerash, anëtar i Akademisë Amerikane të Shkencave dhe i Akademisë Kineze të Shkencave Sociale. Aktualisht, ai është një “Fellow” për jetë në King’s College, Cambridge. Në maj të vitit 2004, Giddens u bë anëtar i Dhomës së Lordëve në Parlamentin britanik.
Anthony Giddens është një ndër sociologët më produktivë në kohën tonë, autor i rreth 40 librave, të cilët janë përkthyer dhe botuar në 40 gjuhë, përfshirë edhe gjuhën shqipe. Libri i tij Sociologjia, botuar për herë të parë nga Polity Press më 1989 dhe ribotuar deri më sot 5 herë, përdoret sot si tekst bazë i sociologjisë në Universitetin Europian të Tiranës dhe në Universitetin e Tiranës. Ulrich Beck, sociolog i shquar gjerman, i cili aktualisht jep mësim në London School of Economics, e ka cilësuar këtë libër si “tekstin më të mirë të sociologjisë në botë”, ndërsa Anthony Elliott, duke bërë fjalë për këtë libër dhe autorin e tij, shkruan se “Nuk ka asnjë njeri tjetër në planet, i cili të na ketë informuar rëndësinë praktike dhe politike të sociologjisë si Anthony Giddens”.
Giddens e nisi rrugën e formimit të tij në shkencat sociale me bindjen se roli i sociologjisë dhe të kuptuarit teorik dhe metodologjik të jetës shoqërore duhen riekzaminuar mbi bazën e një interpretimi kritik të autorëve klasikë (Durkheim, Marx, Weber). Libri i parë i tij, Kapitalizmi dhe Teoria Sociale Moderne (Capitalism and Modern Social Theory), vazhdon të ribotohet edhe pas 30 vjetësh që kanë kaluar nga koha kur ai u publikua për herë të parë. Shumë nga librat e tij janë bestseller akademikë. Giddens është teoricieni social më i lexuar në ditët tona dhe, sipas gazetës së njohur britanike The Guardian, “sociologu më i cituar në kohën tonë”. Idetë e tij mbi mënyrën se si duhen studiuar dukuritë dhe problemet e shoqërisë dhe si duhet dhënë mësim sociologjia dhe shkencat sociale në përgjithësi kanë pasur dhe kanë një ndikim shumë të madh në shumë vende të botës.
Një ndër kontributet më të shquar që Anthony Giddens ka dhënë në fushën e sociologjisë është teoria e tij e strukturimit, e cila ka të bëjë me të kuptuarit e marrëdhënieve midis individëve njerëzorë dhe rrethanave në të cilat ata jetojnë e veprojnë. Giddens argumenton se sociologët duhet ta studiojnë dhe interpretojnë shoqërinë duke u fokusuar nga njëra anë në institucionet dhe strukturat e gjera të saj dhe, nga ana tjetër, në mënyrën se si këto struktura interpretohen nga njerëzit, të cilët janë pjesë e tyre. Duke u divorcuar nga teoritë sociologjike tradicionale, Giddens argumenton se janë njerëzit dhe jo aq institucionet komplekse të shoqërisë ata që bëjnë të mundur zhvillimin shoqëror. Duke filluar nga vitet 1990-të, Giddens është fokusuar në problemet e modernitetit, të globalizimit dhe politikës dhe sidomos në efektet e jetës moderne në jetën sociale dhe personale të njerëzve. Pikëpamjet e tij mbi këto çështje reflektohen në kritikën e tij ndaj postmodernizmit dhe në diskutimin prej tij të një rruge të tretë në politikë.
Edhe pse meritat dhe kontributin më të madh Anthony Giddens i ka në fushën e sociologjisë, vepra e tij është tepër e gjerë dhe përfshin trajtime dhe ide të rëndësishme në fusha të tilla si psikologjia, sociolinguistika, ekonomia, studimet kulturore dhe politika. Përqasja ndërdisiplinore ka mundësuar që Giddens të trajtojë një gamë të gjerë problemesh që kanë të bëjnë me modele teorikë të përdorur në shkencat sociale, me të cilat ai shpjegon zhvillimin e shoqërisë njerëzore në nivel lokal, kombëtar dhe global.
Influenca që ka pasur dhe vazhdon të ketë Anthony Giddens në politikë është shumë e madhe. Liderë politikë nga vende të Azisë, Amerikës Latine dhe Australisë, si edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë kanë kërkuar dhe vazhdojnë të kërkojnë këshillat e tij për një “rrugë të tretë” në politikë. Idetë e tij mbi “rrugën e tretë” Giddens i ka shtjelluar veçanërisht në librat Rruga e tretë: Rinovimi i social demokracisë (The Third Way: The Renewal of Social Democracy), botuar më 1998, dhe Rruga e tretë dhe kritikët e saj (The Third Way and Its Critics), botuar në vitin 2000. I konsideruar shpesh si “udhërrëfyesi shpirtëror” i ish-kryeministrit britanik Tony Blair, këshilltar i të cilit ai u bë, Giddens ka pasur dhe vazhdon të ketë një ndikim veçanërisht të madh në evoluimin e Laburistëve të Rinj në Angli.
Ky është, me pak fjalë, Lordi Profesor Anthony Giddens, i cili këto ditë u bë mik i Universitetit Europian të Tiranës në cilësinë e Kryetarit të Nderit të revistës Sociological Analysis që botohet në këtë universitet. Me emrin dhe kontributin e tyre, Giddens dhe të gjithë ata sociologë të shquar amerikanë dhe evropianë që përbëjnë bordin editorial të kësaj reviste, janë një inspirim dhe përkrahje jo vetëm për UET-in dhe për mua vetë si kryeredaktor i revistës në fjalë, por edhe për të gjithë ata studiues shqiptarë të shkencave sociale, të cilët dëshirojnë të bashkëpunojnë me revistën Sociological Analysis. Vetë kjo revistë, në të cilën botojnë studimet e tyre sociologë nga çdo kontinent i botës, e cila redaktohet në Tiranë, kompozohet grafikisht në Toronto, prodhohet dhe shpërndahet në North Carolina, Tennessee dhe Pennsylvania të Shteteve të Bashkuara dhe lexohet kudo, është një fakt fare i thjeshtë që tregon se në ç’masë është globalizuar shoqëria e sotme, të cilën Giddens, Sassen, Etzioni, Ritzer, Turner, Weinstein dhe të tjerë sociologë të shquar, bashkëpunëtorë të kësaj reviste, na ndihmojnë ta kuptojmë edhe më mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›