Fakulteti Ekonomik i Kukësit sot hap dyert për 79 studentët e parë
Gjithçka është bërë gati për datën 10 dhjetor, kur do të startojë rrugën e vet Fakulteti Ekonomik i Kukësit, i dyti në Shqipëri pas atij të Sarandës. Në ceremoninë e rastit do të marrë pjesë dekani i Fakultetit Ekonomik të Tiranës, Dhori Kule.
Viti i parë akademik i filialit të Fakultetit Ekonomik në Kukës do të nisë me 79 studentë, duke lënë jashtë rreth 100 aplikues Burime të Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Kukës tregojnë se çdo aplikues i është nënshtruar provimit me zgjedhje, siç është bërë me shkollat e tjera të larta dha ka pasur mjaft studentë që nuk kanë mundur të kapin pikët e mundshme për ta fituar të drejtën e regjistrimit. Kapaciteti fillestar për vitin në vazhdim është deri në 100 studentë, mbështetur edhe në vendimin përkatës të qeverisë që bën të mundur edhe financimin e organikës së duhur.
Burime të Bashkisë së Kukësit, e cila prej dy muajsh është marrë me plotësimin e infrastrukturës së fakultetit, tregojnë për gazetën "Shqip" se lidhur me godinën e fakultetit dhe auditorët është plotësuar deri në orenditë më të imëta, por asgjë nuk është paraparë për trajtimin hotelier të studentëve.
"Gjithçka do t‘u nënshtrohet rregullave të tregut. Studentët duhet ta zgjidhin në mënyrë private strehimin", tha një drejtues i arsimit në Bashkinë e Kukësit. Mësohet ndërkohë që shumica e studentëve që nisin vitin e parë akademik të Ekonomikut në Kukës janë nga Kukësi, Hasi dhe Tropoja.
Fakulteti Ekonomik i Kukësit, bashkë me Fakultetin privat të Infermierisë, që është hapur gjithashtu këtë vit, përbën ngjarjen më të madhe arsimore për rajonin e verilindjes.
Vite më herët, Kukësi ka pasur një filial për fushën e arsimit në degën Gjuhë-Letërsi, i cili ka funksionuar me sistem korrespondence. Drejtues të Fakultetit Ekonomik të Tiranës, të Bashkisë së Kukësit dhe vetë qeveria e kanë argumentuar këtë hap si një hallkë lidhëse akademike mes Tiranës dhe Prishtinës e nxitur dhe e sjellë në rend të ditës me rrethanat e reja gjeopolitike dhe kryesisht me autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë.