E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duelet e Armand Dukës me ministrat PD

Kur Partia Demokratike erdhi në pushtet në korrik të vitit 2005, një nga objektivat e saj, ishte dhe "pastrimi" i FSHF-së nga pinjolli i "Klani i Zemunit, Armand Duka.
LESKAJ- Ministri i parë që u konfliktua me Dukën ishte Bujar Leskaj. Deputetit të PD-së, si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve i besua pikërisht largimi i turpshëm i kreut të FSHF-së. MTKRS u shpreh disa herë gjatë muajve të vitit 2006 se nuk njihte zgjedhjet e zhvilluara, më 27 shkurt të atij viti dhe se do të këkronte thirrjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme. Tentativa u cilësua e papranueshme nga UEFA, që kishte dërguar edhe përfaqësuesit e saj për të monitoruar zgjedhjet. Cështja e ndryshimeve të statutit të FSHF-së kaloi në gjyq, ku shteti fitoi me FSHF-në. Leskaj, i shkarkuar më pas, u bë i famshmë për "gozhdën", e cila nuk i ngul kurrë Dukës.
PANGO- Psikologu Ylli Pango e dinte fare mirë misionin e tij kur erdhi në krye të MTKRS-së. Me një tjetër diplomaci, më i heshtur, por dhe më dinak, "profesori", priti rastin për të sulmuar kreun e FSHF-së. Statuti i pafirmosur ishte një rast i mirë për "Anti-Dukën" e ri. Një manovër spektakolare e ministrit, pas një bisede me drejtuesit e lartë të FIFA-s (Senes Erzik) e UEFA-s (Marsel Benz), risolli sërish në plan të parë konfliktin, për më tepër kur dhe kryeministri Berisha u pronocua në mënyrë agresive për shitje të flamurit kuqezi me rastin e dy humbjeve të kombëtares me Bjellorusinë (2-4) dhe Rumaninë (6-1). Shitje që nuk u provuan kurrë. Gjithsesi, ministri Pango duket në avantazh ndaj Dukës, pavarësisht se Shqipëria është pezulluar pa afat nga FIFA (14 mars 2008) dhe UEFA (28 mars 2006). Futja në lojë e Presidentit të Republikës, Bamir Topi pritet të sjellë edhe zhvillime të reja.
KLUBET- Befasisht në kulmin e konfliktit, mënjëherë pas pezullimit gjashtë klubet më të mëdha në Shqipëri, Partizani, Tirana, Vllaznia, Besa, Elbasani, Shkumbini, Kastriotit të mbështetur edhe nga 14 klube të kategorive inferiore, kërkuan thirrjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme për zgjidhjen e pezullimit nga FIFA e UEFA, por në katër pikat përfshihej si alternativë largimi i Dukës nga FSHF-ja. Pas deklaratës për bojkotim të kampionatit dhe shtyrjen (me marrëveshje) për 24 orë të javës së 24-t, Duka arriti të gjejë një kompromis me "rebelët". Gjithsesi, platforma "Xhani" (presidenti i Partizanit), kërkon në dhjetë pikat e saj kufizimin deri në dy mandate të presidentit të FSHF-së. Kjo mund të jetë edhe masa më efikase për t'i dhënë fund "sundimit" 8-vjecar të Armand Dukës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›