Si erdhi Armand Duka në krye të futbollit

Armand Duka ishte një njeri i panjohur më parë në botën e futbollit, por me kandidimin e tij të parë ai arriti t'i imponohej Asamblesë Zgjedhore (2003) duke marrë shumicëm e votave në raport me kandidatin tjetër, Mehdi Bushatin. Por si erdhi Duka në majën e futbollit shqiptar. Starova tregon: "Një nga përkrahësit që i kanë dhënë suport Dukës isha dhe unë, pavarësisht se Duka nuk kishte lidhje me futbollin. Përse? Nisur edhe nga fakti se ne kishim president Mico Papadhopullin (sot president nderi i FSHF-së), atëherë në pension, por me kontribute si sportist e teknik. Ne kërkuam që të kishim përkrahjen edhe të një njeriu që të bënte me biznesin". Por në ngjitjen me "ashensor" të biznesmenit që kontrollon disa nga kompanitë më të nëdha në vend ndikoi edhe një faktor shumë domethënës. "Koincedencë ishte edhe fakti që vëllai i tij ishte ministër i Bujqësisë (Agron Duka) dhe prej tij ne përfituam tokën në Kamëz ku është ngritur Kompleksi Sportiv i FSHF-së. Në atë kohë erdhi në Shqipëri edhe Blater (president i FIFA-s) dhe Platini (zëvendëspresident i FIFA-s) dhe vendosëm që projekti "Goal" të zbatohej në qytetin "Studenti", por një rektor nuk pyeti as për kryeministrin e asaj kohe, (Ilir) Meta, dhe as për kryetarin e Bashkisë, Edi Rama. E kishte shteti për detyrim ta gjente tokën, ndërkohë që FIFA jepte vetëm paratë".
Starova ruan bindjen e tij të plotë për "llojin" e atij që duhet të drejtojë shoqatën më të madhe sportive në Shqipëri, që numëron plot 52 klube të tre kategorive të futbollit. "Në përgjithësi, të gjithë presidentët e klubeve janë biznesmenë, pasi dhe klubet mbahen duke paguar. Unë mbetem gjithmonë i idesë që presidentët e federatave të jenë biznesmenë, për të dhënë edhe kontribut nga bizneset e veta. Nuk më rezulton, që Duka të ketë dhënë nga financat e veta, përkundrazi. Të jesh numri "1", kur nuk ke ardhur nga bota e futbollit, dhe nuk i jep gjë futbollit nuk më duket e drejtë".
Kur Armand Duka mposhti Mehdi Bushatin, një emër i madh i futbollit shqiptar, por dhe një drejtues i dikurshëm i FSHF, tashmë në anëtar i Komiteti Ekzekutiv, të gjithë prisnin "revolucionin Duka", për të ngritur edhe "klanin" e tij në federatë. Emra të rinj u punësuan në selinë e futbollit shqiptar, por të tjerë kishin filluar të ndjenin "ftohtë" nga prania e bosit të ri dhe impulsiv të FSHF-së.
"Si u ftohën marrëdhëniet e tua me Dukën? Qëndrimi i tij u duk që në ditët e para. Unë duhet të isha krahu i djathtë i presidentit. Ai më eliminoi menjëherë, duke më cuar në një kategori tjetër, e duke vënë në krahun e tij du zëvendëspresidentë, një majtas dhe një djathtas. Natyrshëm erdhi edhe ftohja jonë, pasi më zhveshi nga detyrat, duke mos pasur më asnëj përgjegjësi. S'mund të kënaqesha me këtë gjendje", - thotë Starova.
Por, si arriti Duka të dominojë të gjithë strukturën e federatës dhe në mënyrë kaq të shpejtë? Starova është i sinqertë: "Shumë thjesht. Ngarkoi pesë veta për të rregulluar statutin, duke i hequr të drejtat sekretarit, për t'ia dhënë Komitetit Ekzekutiv, e më pas për t'i transferuar vetes së vet, duke i lënë anëtarët të ngrejnë vetëm dorën".
Në fakt, presidenti i FSHF-së është pozicion honorifik në federatë, dhe veprimtarinë e përditshme gjithëvjetor e drejton aparati administrativ. Por Duka (nuk merr as rrogë) arrin të kontrollojë me dorë të hekurt ("sht!, po vjen ai", dëgjohet në koridoret e selisë në rrugën "Labinoti". "Të gjitha detyrat i ka marrë ai dhe, për më tepër është i mbrojtur nga statuti, duke ia atribuar vetes dhe Komitetit Ekzekutiv. Duke qenë ekzekutesë ata nuk ka kush t'i kontrollojë", - përfundon Starova.
Fituesi i madh
Armand Duka ia ka dalë dy herë të fitojë direkt në Asamblenë Zgjedhore të Federatës Shqiptare. Në vitin 2002, ai mposhti kandidaturën e Mehdi Bushatit, ndërsa në vitin 2006 ai rivalizoi me dy kandidatë: menaxherin Edmond Haxhiaj dhe ish-anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Salvador Kacaj. Gjatë punimeve të Asamblesë në hotel "Tirana International" u fol edhe për një vendosjen e një bombe, por alarmi rezultoi fals. Fitorja e dytë e Dukës rriti dukshëm influencën e tij, duke i dhënë edhe një përmasë tjetër, atë të pathyeshmit.