Lika rrëfen jetën në qytetin “e frikshem”

Jetmir Halilaj (Panorama Sport)
Groznei në rusisht përkthehet "i frikshëm", por Ilion Lika, portieri i Kombëtares shqiptare që luan me skuadrën e këtij qyteti, FC Terek Groznei thotë të kundërtën e saj. Ai jeton prej dy muajsh në qytetin cecen dhe ndihet mjaft mirë në këtë vend. Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", ish gardiani i Dinamos dhe i Elbasanit rrëfen jetën e tij në Rusi duke thënë se dëshira e tij është që kjo eksperiencë t'i shërbejë si një trampolinë për t'u transferuar në një klub të madh.
Lika si po kaloni te skuadra juaj e re?
Ndihem mirë, sepse këtu më kanë pritur shumë mirë. Kemi zhvilluar deri tani tre ndeshje në dy nga të cilat unë kam luajtur si titullar, ndërsa tek tjetra mungova për shkak se kisha një shqetësim në gju. Megjithatë tani jam mirë dhe besoj se në takimin e radhës do të luaj nga minuta e parë.
Po me rusishten si keni ecur?
Për të qenë i sinqertë deri tani kam mësuar vetëm pak fjalë, sepse shumicën e kohës kam komunikuar në anglisht me stafin dhe shokët. Më ka ndihmuar fati që në të kaluarën kam pasur të huaj në skuadër dhe disa terma futbolli në anglisht i di mirë, por kjo nuk mjafton. Madje drejtuesit e klubit më kërkuan që un të filloja ndonjë kurs rusishteje, pasi shumica e lojtarëve të formacionit bazë janë rus ose ukrainas dhe nuk dinë mirë anglisht dhe unë duhet të mësoj sa më parë rusishten. Portieri ka rol dirigjenti në fushë dhe unë duhet të mësoj sa më shpejt të komunikoj me ta.
Në Shqipëri kur përmendet fjala Groznei ose Ceceni gjëja e parë që të vjen ndërmend është një vatër e nxehtë konflikti....
E vërtetë është, sepse edhe unë kështu mendova në fillim, por është krejtësisht e kundërta. Groznei është një qytet shumë i qetë dhe njëkohësisht shumë më i vogël se Tirana. Këtu mund të shkosh nga njëri skaj i qytetit, në skajin tjetër brenda pesë minutave me makinë. Njerëzit e ndjejnë shumë futbollin, por edhe kushtet janë shumë të ndryshme, sepse këtu investohet shumë për këtë sport dhe jeta futbollistike ka një tjetër ritëm. Megjithatë edhe këtu kur iu përmend Shqipërinë, fillojnë i lidhin gjërat me ngjarjet e vitit 97-të, ose me Kosovën dhe unë me rusishten time të calë e kam të vështirë t'ua shpjegoj se gjërat kanë ndryshuar.
Sa prej shokëve të skuadrës kanë njohuri për vendin tonë?
Një pjesë e mirë e tyre janë ballkanas, nga Bullgaria nga Maqedonia apo nga Kroacia dhe dinë shumë gjëra për vendin tonë. Ndërsa pjesa tjetër, por sidomos rusët thuajse nuk e kanë idenë se ku bie Shqipëria.
Aktualisht ku ndodheni?
Jam në një lokal me menaxherin tim dhe me drejtorin sportiv të klubit, po pimë një kafe.
Si e bëjnë kafen aty?
Tmerrësisht të keqe (qesh). Më ka marrë malli për kafen e Shqipërisë, madje këtu kafen e bëjnë më të keqe edhe se në Turqi.
A ju ka marrë malli për Shqipërinë?
Po, shumë. U bënë dy muaj që jam këtu dhe sigurisht që më mungon familja ime dhe njerëzit e mi. Javën e ardhshme pres që të vij këtu edhe bashkëshortja ime dhe mezi po e pres. Shpesh herë kisha dëgjuar se futbollistët që luajnë jashtë Shqipërisë bëjnë jetë të paparë, por nuk është ashtu, sidomos kur je në fillimet e tua, pasi ka shumë vështirësi. Megjithatë nuk jam penduar që kam ardhur këtu, sepse ndryshimi në aspektin profesional është i dukshëm.
Keni ndërmend të qëndroni gjatë aty, apo shpresoni që kjo eksperiencë t'iu shërbejë si një trampolinë për të shkuar në një skuadër më të mirë në të ardhmen?
Sigurisht që shpresoj që të më shërbejë si një trampolinë. Shpresoj që këtu të bëj paraqitje sa më të mira dhe të mund të transferohem në ndonjë klub të Moskës, ose në ndonjë skuadër të nivelit të lartë në Evropë.
1
FC Terek Groznei është skuadra e parë e huaj për Ilion Likën. Portieri 28-vjecar deri tani kishte luajtur vetëm me skuadrën e Dinamos dhe Elbasanin. Gjatë viteve të fundit ai është cilësuar si një nga portierët më të mirë të kampionatit shqiptar.
3
Pikë ka grumbulluar skuadra e FC Terek Grozneit gjatë tre javëve të para të kampionatit rus dhe renditet në vendin e dhjetë. Javën e ardhshme skuadra do të luajë kundër CSKA Moskës dhe ka shumë gjasa që Lika të luaja nga minuta e parë.
210
Mijë banorë ka qyteti i Grozneit që është edhe kryeqyteti i Cecenisë. Ai ndodhet në pjesën juglindore të Rusisë. "Është një qytet i qetë dhe i bukur. Temperaturat janë normale dhe kjo është shumë e rëndësishme, sepse mendoja se do ishte shumë ftohtë", tha Lika.
Udhëtimet
Për të luajtur një ndeshje në transfertë në Rusi të duhet të bësh shpesh herë disa orë udhëtime me avion. "Kjo është një nga gjërat që nuk më pëlqen, sepse udhëtimet e shpeshta dhe të gjata asnjëherë nuk i kam pasur qejf. Megjithatë nuk kam se cfarë të bëj, duhet të mësohem edhe me këtë sistem", tha portieri i Kombëtares shqiptare.
Kombëtarja
Lika nuk ishte në listën e lojtarëve që duhet të luanin kundër Moldavisë më 26 mars. "Mendoj se atë listë nuk e kishte përpiluar trajneri Han, por Federata dhe është normale që kjo të ndodhë, pasi ai nuk e njeh mirë skuadrën. Megjithatë unë jam i bindur që do të rifitoj vendin në përfaqësuese, sepse po punoj maksimalisht dhe vec kësaj trajneri më pa vetë gjatë zborrit në Turqi", tha Lika.
Batuta për Elbasanin:"Mungoja unë, ndaj humbën"
I pyetur për ecurinë e dy ish-skuadrave të tij, Dinamo dhe Elbasani, Lika ka preferuar të bëjë komente vetëm për këtë të dytën. "U cudita kur mora vesh që Elbasani ishte mundur nga Tirana që ishte më nëntë lojtarë. Nuk isha unë, prandaj humbën ata...(qesh). Me të vërtetë m'u duk e pabesueshme, por gjëra të tilla edhe ndodhin në futboll. Më vjen keq për shokët e mi të skuadra e Elbasanit dhe për tifozët e mrekullueshëm që ka kjo skuadër, pasi unë e di mirë se si janë ndjerë pas asaj ndeshjeje. Shpresoj që ata të korrigjojnë gjithcka në javët e mbetura dhe të marrin pjesë në Kupat e Evropës", tha Lika.