Shkëndija lehtë “notoi” mbi Vardar

RESHAT IBRAHIMI
Shkup, 3 prill – Futbollistët e Shkëndijës kanë shënuar një fitore shumë të rëndësishme në luftë për ekzistencë, në takimin me Vardarin, të cilin e mposhtën me rezultat 1:0. Golin e vetëm të ndeshjes e ka shënuar sulmuesi Argjent Beqiri, i cili pas krosimit të Idrizit e realizoi golin e parë në fanellën e kuqezinjve. Kjo ndodhi në minutën e dytë të takimit. Pas golit të shënuar nikoqirët lëshuan edhe shumë raste të tjera, të cilat nuk arritën t'i konkretizojnë. Në anën tjetër Vardari rrallë herë iu është kanosur portës së Guxhufit, i cili me lehtësi ndali orvatjet e Burhan Emurllahut. Pas takimit Argjent Beqiri ishte i lumtur për fitoren dhe golin e tij të parë në bluzën kuqezi. "Unë edhe para takimit isha optimist se do të fitojmë, sepse kjo ishte zgjidhja e vetme e jona. Të gjithë lojtarët kemi qenë në nivel dhe mendoj se meritë e kemi mposhtur Vardarin, i cili më nuk është sikur dikur që ka qenë. Fitorja ishte e pastër, pasi angazhimi ynë nuk ka munguar në asnjë cast. Pas ndeshjes të gjithë u ndamë të kënaqur, përfshirë këtu stafin teknik dhe drejtuesit e klubit. Tash fituam, por kujtoj se këtu s'duhet të ndalemi, por të vazhdojmë të radhisim rezultatet e mira në kampionat", ka thënë njëri nga lojtarët më të mirë të ndeshjes, Beqiri. Edhe mbrojtësi Erhan Selimi tha se Shkëndija ka fituar me meritë, në ndeshjen kryesore me Vardarin, dhe se ekipi i tyre do të vazhdojë me suksese në takimet e ardhshme. Fitore shumë me rëndësi ka shënuar edhe Bashkimi në përballjen me Pobedën e Prilepit. Golat për "bardhezinjtë" nga Kumanova, për të cilët ishte kjo fitorja e parë në sezonin pranveror, i kanë shënuar Stojanoviq (37') dhe Kallaba (48'). Vlen të theksohet se Bashkimi në fillim të takimit huqi një penallti (min. 16'), të cilën nuk e realizoi Konjanovski. "Më në fund fituam. Ishte koha fundit që të arkëtojmë tri pikë, të cilat na i shtojnë shpresat se mund të luftojmë për mbijetesë në elitën e futbollit të Maqedonisë", tha mbrojtësi Skender Ismaili. Ndërsa skuadra e Milanos ka thyer tersin si mysafir, duke mposhtur Sileksin me rezultat 1:0, me golin e Manevskit. Kështu me këto tre pikë të reja Milanos, pothuajse askush nuk mund t'ia rrezikojë vendin e dytë, pasi konkurrenti për këtë pozitë, Vardari ka përjetuar disfatë në Tetovë.