E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dueli i Athinës

- Në raport me finalen e Stambollit të dy viteve më parë, dy skuadrat finaliste, Milani dhe Liverpuli, kanë ende një pjesë të madhe të lojtarëve që luajtën më 25 maj 2005. Tetë nga 11 lojtarët e Milanit priten të jenë sërish në formacionin startues, ndërsa nga Liverpuli do të jenë nëntë futbollistë. Gjithsesi, duke parë dy skuadrat më në hollësi, ato janë të detyruara të zbatojnë të tjera detyra taktike, pasi janë ndërruar disa nga lojtarët e roleve kyce. Nëse do të shohim kuqezinjtë në finalen turke, sulmi përbëhej nga dyshja Shevcenko-Krespo, ndërkohë që në finalen greke, Milani mund të luajë me një "pykë" të vetme, Inzagi ose Xhilardino me Kaka dhe Sedorf pas shpine. Edhe sulmi i të "Kuqve" është revolucionarizuar. I vetmi që ka luajtur në finalen e Stambollit është Luis Garsia, i cili e përfundoi sezonin para kohe për shkak të një dëmtimi. Në vitin 2005, në krah të spanjollit ishte Milan Barosh. Tani dy "grykat e zjarrit" të Benitez quhen Piter Krauc dhe Dirk Kajt. Krauc, dy metra i lartë, këmbë të gjata, kroset për të janë si oksigjeni. Nga ana tjetër, holandezi Kajt, ish-lojtari i Fejenordit, mund të shfrytëzojë edhe "vrimën" më të vogël për të shënuar, mund të luajë edhe si sulmues i parë apo i dytë pa asnjë vështirësi. Në mbrojtje Milani i Stambollit kishte si mbrojtës qendrorë Stam dhe Nestën, ndërkohë që në Athinë rolin e holandezit të larguar mund ta luajë kapiteni Paolo Maldini, një nga mbrojtësit me një eksperiencë të rëndësishme, sidomos në nivelin ndërkombëtar.
Edhe qendra e mbrojtjes të formacionit të Rafa Benitezit ka një emër të ri: 22-vjecari danez Daniel Ejxhër në sezonin e parë të tij në "Anfield" e detyroi një ekspert si Sami Hipia të qëndrojë larg fushës së betejës. Përsa i përket lojtarëve të krahëve, atyre që janë në gjendje të mbrojnë dhe të sulmojnë, Odo e Jankulovski të Milanit dhe Finan e Ris të Liverpulit mund të shndërrohen shumë të rrezikshëm në fazën ofensive.
Në mesfushë Milani, ashtu si dy vite më parë, do të besojë vetëm të regjia e Pirlos, ndërkohë që Liverpuli ka dy të tillë, Ksabi Alonso dhe alternativën Maskerano. Argjentinasi i ardhur nga Riverplate ka të njëjtin egoizëm si Gatuzo dhe është i pari që do të provojë të mbulojë Kakanë, ndërkohë që Gatuzos pa dyshim që do t'i ngarkohet markimi i rreptë i Xherard.
Kaka dhe Xherard janë dy nga futbollistët me më shumë klas dhe të aftë për të marrë rolin e liderit dhe për të garantuar një shfaqje spektakolare. Kaka vlerësohet si një artist i topit, ndërsa Xherar mund të luajë në të gjitha rolet, madje edhe në portë nëse do t'i kërkohej.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›