Kaka: "Jam i karikuar"

- Milani të mërkurën në Athinë ëndërron trofeun kundër Liverpulit, pas zhgënjimit në Stamboll dy vite më parë. Dhe Kaka mund të jetë njeriu përcaktues. Për momentin braziliani ndodhet në krye të klasifikimit të golashënuesve të Ligës së Kampioneve, me katër gola avantazh kundrejt Piter Krauc: 12 ndeshje në kompeticionin maksimal europian, 1052 minuta në fushë, 10 gola, këto janë shifrat e Kakasë, i cili është edhe lojtari që ka goditur më shumë në drejtim të portës, plot 27 herë. Por tani Kaka dëshiron të ngrejë në qiellin e Athinës trofeun e parë të Ligës së Kampioneve në jetën e tij. "Avantazhi i Milanit të kësaj faze, deklaroi Kaka, është fakti se është rritur shumë. Kaluam momentet e vështira të këtij sezoni. Alternuam periudhat e mira me ato të këqija, por u përmirësuam në momentin më të rëndësishëm të sezonit, që përkon edhe me fazën finale. Arritëm të kualifikohemi në mënyrë të jashtëzakonshme në gjysmëfinale dhe tani arrijmë në finale me motivacion të madh". Kuqezinjtë, të nisur nga turi paraeliminator, ashtu si Liverpuli, dëshiron të arrijë deri në fund, të fitojë finalen. Kaka është një pikë e rëndësishme referimi. "Motivimi im, shton ai, qëndron në faktin se arrita edhe njëherë në finale dhe kam mundësi të fitoj Ligën e Kampioneve, kjo më karikon. Të gjithë flasin për një hakmarrje të edicionit 2005. Mendoj se ajo që ndodhi dy vite më parë i përket së kaluarës, ndodhi, humbëm finalen, Liverpuli fitoi Kupën e Kampioneve dhe do ta kujtojmë gjithmonë. Por tani kemi mundësinë edhe një herë të shkruajmë një pjesë të historisë".
Shumë tension fizik dhe psikologjik për Kakanë, që pas 3 sezoneve shumë impenjues dëshiron të tërhiqet nga Kupa e Amerikës me Brazilin. Të gjitha energjitë e tij janë përqendruar në finale e së mërkurës, pasi ajo mbrëmje e mallkuar e 25 majit të dy viteve më parë nuk mund të harrohet lehtë nga Kaka, i cili synon ta fshijë njëherë e mirë e përgjithmonë atë kujtim të shëmtuar.