E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sedorf, njeriu i finaleve dhe rruga e ekipeve drejt finales

- Klarens Sedorf do të luajë në Athinë finalen e pestë të Ligës së Kampioneve gjatë karrierës së tij. Kampioni holandez, tashmë në moshën 31 vjec, është duke përjetuar një moment të jashtëzakonshëm të formës dhe është i vetmi lojtar që ka fituar tri Kupa të Kampioneve me tre skuadra të ndryshme: Ajaksin, Realin e Madridit dhe Milanin. "E kaluara është e kaluar. Më pëlqen të shkruaj historinë e futbollit dhe, për ta bërë, duhet të jesh gjithmonë në maksimumin e formës me skuadrën tënde dhe për këtë dëshiroj të jem në gjithmonë kompetitiv në nivele maksimale deri në fund të karrierës sime". Këtë vit Sedorf, njeriu-rekord i kuqezinjve, u tregua deciziv në ndeshjet kundër Bajernit të Munihut dhe Mancester Junaitid. Për Sedorf nuk bëhet fjalë për një hakmarrje pas zhgënjimit të Stabollit dy vite më parë, e kaluara për të tashmë është arkivuar. Kampioni holandez mendon vetëm për fitoren e tij të katërt në një finale të Ligës së Kampioneve. "Për mua është e njëjta gjë, vazhdon Sedorf, dëshiroj të luaj finalen dhe të fitoj Kupën e Kampioneve. Fakti që Liverpul jep një vlerë të ndryshme në këtë takim është për mua një motivim më shumë për të fituar".
Klarens, akoma në formë dhe shumë i motivuar pas 14 vitesh në futbollin profesionist, ka një sekret: kurrë mos shiko pas. "Nuk dua të ndryshoj asgjë pasi Kupa e Kampioneve të dy viteve më parë shkoi në Liverpul. E vetmja gjë që duhet bërë tani është të fitojmë këtë ndeshje, dhe fakti që do të luajmë sërish kundër Liverpulit do të na krijojnë një mundësi që t'i lehtësojmë tifozët nga ndjenjat e këqija dhe kujtimet e shëmtuara të së kaluarës". Sedorf, mbajtës i një rekordi të vecantë në Champions, mund të kthehet në një legjendë nëse skuadra e tij do të fitojë në Athinë të mërkurën. "Nga kjo pikëpamje është një histori pa fund dhe, sic e thashë më parë, kur nuk do të zbres më në fushë, do të kem kohën për të parë pas dhe të bëj një bilanc". Por sido që të ndodhë të mërkurën, Klarens Sedorf do ta mbyllë karrierën e tij kuqezi, më 30 qershor 2011.

Bastet, barazimi më i kuotuar

Finalja e Ligës së Kampioneve nuk luhet vetëm në tapetin e stadiumit "Olimpik" të Athinës, por dhe në kompanitë më të mëdha të basteve. Barazimi është rezultati më i kuotuar nga puntuesit, ku në sy bie ai 0-0, dhe pas tij 1-1, që vlen në kuotën 6.50. Në agjencinë e basteve "Agicos" për rezultatin 1-0 në favor të Milanit mund të fitosh 7 herë më shumë, ndërkohë që fitorja e Liverpulit po 1-0 varion nga 7.50 deri në 9.00, që do të thotë nëse vendos 1 euro mund të fitosh 7.50 apo 9.00 euro. Dy gola në favor të njërës apo tjetrës skuadër vlerësohet me 11.00 dhe 12.50 për 2-0 të Milanit, ndërkohë që kush ka vendosur Liverpulin si fitues me rezultatin 2-0 do të fitojë 15-18 herë më shumë.

Stadiumi i finales

Stadiumi "Olimpik" i Athinës është ndërtuar në vitin 1982 dhe u riprojektua nga arkitekti spanjoll Santiago Kalatrava për Lojërat Olimpike të vitit 2004. Stadiumi ka një kapacitet prej 71030 vendesh dhe kostoja e rikonstruksionit të tij kushtoi 206 milionë euro. Juventusi humbi 0-1 në Kupën e Kampioneve kundër Hamburgut në vitin 19863, ndërsa Milani fitoi me Barcelonën 4-0 në vitin 1994. Milan-Liverpul është finalja e parë që do të luhet në Athinë pas rikonstruksionit. Stadiumi ishte ndërtuar fillimisht për kampionatet europiane të atletikës së lehtë në vitin 1982 dhe njihej gjerësisht me emrin "Spiridon Luis Stadium", emër i marrë nga fituesi i maratonës së parë olimpike të vitit 1896. Në vitin 1987 aty u zhvillua finalja e Kupës së Kupave, ku Ajaksi fitoi 1-0 me Lokomotivën e Lajpcigut.

FORMACIONET E MUNDSHME

Liverpul: 25-Pepe Reina; 3-Stiv Finan, 5-Daniel Ejxhër, 23-Xhemi Karager, 6-Xhon-Arne Ris; 8-Stivën Xherard, 20-Havier Maskerano, 14-Xabi Alonso, 32-Buduijn Zenden; 15-Piter Krauc, 18-Dirk Kajt
Milan: 1-Dida; 44-Masimo Odo, 13-Alesandro Nesta, 3-Paolo Maldini, 18-Marek Jankulosvski; 8-Xhenaro Gatuzo, 21-Andrea Pirlo, 23-Masimo Ambrozini, 10-Klarens Sedorf; 22-Kaka, 11-Alberto Xhilardino.
Gjyqtar: Herbert Fandel, Gjermani
TRAJNERËT

ANCELOTI

Trajneri i Milanit është italiani Karlo Anceloti, 47 vjec (në qershor mbush 48), e nisi karrierën si drejtues i Rexhinës në Serinë B. Pas drejtimit të Parmës (Seria A) për dy sezone, Anceloti u ul në stolin e Juventusit për tre kampionate. Te Milani tekniku është në sezonin e pestë.

BENITEZ

Liverpuli drejtohet nga spanjolli Rafael Benitez, 47 vjec (i mbushi më 16 prill). Rafa, ish-lojtar i Realit të Madridit, ka drejtuar klubet spanjolle: Valladolid, Osasuna, Extremadura, Tenerife, Valencia. Te Liverpuli drejtin nga viti 2004. Ka fituar Ligën e Kampioneve dhe Kupën e Anglisë.

FINALET E EKIPEVE

MILANI

Milani luan finalen e 11 dhe e ka fituar Kupën e Kampioneve në vitet 1963, 1969, 1989, 1990, 1994 dhe 2003. Kuqezinjtë humbën finalet e viteve 1958, 1993, 1995 dhe 2005 me Liverpulin. Vetëm Reali i Madridit ka diskutuar më shumë finale, plot 12 të tilla.
LIVERPULI

Kjo është finalja e shtatë e Liverpulit në Ligën e Kampioneve ku ka arritur ta fitojë atë pesë herë: 1977, 1978, 1981, 1984 dhe 2005. Finalja e vetme e humbur e tyre është ajo e vitit 1985. Liverpuli në vitin 2005 trofeun e fitoi me Milanin me penallti.

DREJT FINALES

MILANI

Milani eliminoi "Crvena Zvezda" në paraeliminatore. Në fazën e grupeve Milani bëri pjesë në Grupin H me AEK, Lilën dhe Anderlehtin. Në fazën e një të tetave eliminoi Sëlltikun, në cerekfinale Bajernin dhe në gjysmëfinale Mancester Junaitid.

LIVERPULI
Liverpuli mposhti izraelitet e Makabi Hajfa. Në fazën e grupeve Liverpuli ishte me PSV Eindhoven, Gallatasaraj dhe Bordo. Në raundin e parë Liverpuli eliminoi Barcelonën. Në cerekfinale u kualifikua me PSV Eindhoven dhe në gjysmëfinale me Celsin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›