Dueli i golave, Bogu mund Ibrën: 3-2
Kur Erjon Bogdani shënoi golin e barazimit të Shqipërisë kundër Danimarkës (1-1), më 10 shtator, Suedia fitoi me Maltën (1-0) me një autogol të minutave të fundit nga Azopardi, edhe pse në fushë trajneri suedez, Lars Lagerbak, kishte në fushë një gjigant si Zlatan Ibrahimoviç. Media suedeze shpërtheu në delir pas barazimit të Danimakës në Tiranë, ndërkohë që mbuloi me dafina sulmuesin shqiptar Erjon Bogdani, duke zhvilluar edhe intervista ekskluzive me të, vetëm pak orë pasi “Er-Bomber” kishte anuluar fitoren e Danimarkës. Pikërisht, ai gol me vlerë sa finalet e Botërorit të Afrikës së Jugut për Suedinë, i ka dhënë një kënaqësi jo të vogël Erjonit e shokëve të tij – Federata Shqiptare e Futbollit akordoi me këtë rast edhe 40 mijë euro premio -, por “Princi i Epirit (nofka e tij në Itali), la pas për numri i golave të shënuar në këto eliminatore, pikërisht Zlatan Ibrahimoviçin. Bogdani, me 3 gola të shënuar – kundër Maltës, Portugalisë e Danimarkës - ndodhet i dyti në renditjen e “topscorer”-ëve të Grupit 1, duke lënë pas sulmuesin e Barcelonës, i cili nga ana e tij ka realizuar vetëm 2 gola. Kjo renditje specifike kryesohet nga Soren Larsen i Danimarkës me 5 gola. Nga ndeshja e 14 tetorit në “Rasunda Stadium” na ndajnë diçka më pak se dy javë dhe të dyja skuadrat, si Shqipëria ashtu dhe Suedia, synojnë të marrin maksimumin nga ai takim, i fundit për eliminatoret e Botërorit, Shqipëria për t’u ngjitur një vazo më lart, të katërtën, Suedia për të prerë përfundimisht një biletë direkt për në Afrikën e Jugut, apo në play-of. Gjithsesi, Bogdani e ka fituar së paku në statistika: ka mundur vetë Zlatan Ibrahimoviçin, suedezin që edhe në Tiranë nuk na shënoi dot gol, në atë barazim të bujshëm 0-0. I pyetur nga gazeta suedeze “Expressen”, në lidhje me shanset e Shqipërisë në ndeshjen me Suedinë, Bogdani u përgjigj atëherë: “Kur shënova kundër Danimarkës, nuk mendova se bëra për të ndihmuar Suedinë. Jam vetëm i lumtur se ne mund të luajmë edhe kundër një prej ekipeve më të mira në grup. Ndeshja do të jetë e vështirë, njëlloj si ajo kundër Danimarkës. Shpresoj se do të bëjmë një lojë të mirë. Nuk do të ndihmojmë Suedinë. Ne do të luajmë për të fituar”. Erjon Bogdani me golin e barazimit ndaj Danimarkës(1-1) vendosi edhe një “rekord” personal në kualifikueset e botërorëve: 7 gola, nga 12 që ka shënuar në total në 52 ndeshje me fanellën e përfaqësueses, duke qenë shënuesi më i mirë i Shqipërisë në eliminatoret e kampionateve botërore. Sulmuesi 32-vjeçar i Kombëtares dhe i Kievos në Serinë A e ka filluar karrierën futbollistike me Partizanin, para 15 vjetësh, në vitin 1994.
Renditja
Golashënuesit e Grupit 1
1. Soren Larsen (Danimarkë) 5
2. Erjon Bogdani (Shqipëri) 3
3. Sandor Torghelle (Hungari) 3
4. Nicklas Bendtner(Danimarkë) 3
5. Roland Juhász (Hungari) 2
6. Hugo Almeida (Portugali) 2
7. Zlatan Ibrahimoviç (Suedi) 2
8. Kristian Pulsen (Danimarkë) 2
9. Nani (Portugali) 2
10. Kim Kallstrëm (Suedi) 2
2 Tetor 2009