KOLEKSIONI, Aurel Plasari “zbulon” librat me gërma ari të Bushatllinjve
Petrika GROSI
Për herë të parë në publik, janë ekspozuar pasditen e djeshme në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë disa nga 150 ekzemplarët më përfaqësues të Bibliotekës së Bushatllinjve. Librat e përzgjedhur nga dr. Plasari i përkasin botës orientale (arabe, turke, perse etj.) ndërkohë që më i vjetri prej tyre daton në kohën e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Mes të tjerash, e veçanta e një pjese të këtyre librave janë edhe shkronjat prej ari apo grafikat, gjithashtu të arta, të cilat i dekorojnë dhe ilustrojnë këto botime. Kaligrafia dhe puna e bërë për të lidhur këto vepra duken të mrekullueshme. Sipas dr. Aruel Plasarit, edhe Parisi e ka vlerësuar shumë këtë koleksion që shpërfaq kulturën e trashëguar nga orienti. “Në bibliotekën e Vakëfit ka pasur afro 3 mijë volume jurisprudence dhe libra të ndryshme, teologji dhe tekste shkencore (matematikë, fizikë, astronomi, filozofi e histori) prej të cilave spikasin disa ekzemplarë që edhe në botën orientale ishin të rrallë.” Kështu do të shprehej Hamdi Bushati në librin e tij “Shkodra dhe motet”, mbi të cilin është bazuar edhe studiuesi Plasari, për të hulumtuar mbi Bibliotekën e Bushatllinjve. Të gjithë librat e bibliotekës së Bushatllinjve vuloseshin me vulën personale të Mustafa Pashës, të cilën ai ia kishte dërguar bibliotekës nga jashtë. Për më tepër detaje mbi këto libra, vlerat dhe historikun e tyre zhvilluam intervistën që vijon me drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari.
Dr. Plasari, jeni shprehur më parë se kishit shumë dëshirë që të realizonit një ekspozitë me Bibliotekën e Bushatllinjve dhe ja ku e arritët qëllimin, duke e finalizuar sot idenë tuaj. ǒdo të thoshit lidhur me këtë?
Ishte një nga dëshirat e mia të kohëve të fundit çelja e kësaj ekspozite duke qenë se pata rastin të njihem gradualisht me këto koleksione dhe vlerat e tyre të rralla dhe nga ana tjetër, duke qenë se kam pasur kontakte me Bibliotekën Nacionale të Parisit, për të cilën dorëshkrimet dhe librat e bukurshkruar orientalë ishin tepër të çmuar. Arrita kështu në konkluzionin se këto libra janë një pasuri e madhe për Bibliotekën tonë dhe duhet të ekspozoheshin patjetër për publikun. Sigurisht, këto vepra nuk janë si librat e tjerë të bibliotekës dhe rruhen me kushte e në parametra më specifike. Gjithsesi, publiku taksapagues ka të drejtën e tij që të shuajë kureshtjen shkencore, duke u njohur me to. Në këtë kuptim, pavarësisht nga vështirësitë që mund të kemi me mjediset e pakta dhe sallën e ekspozitave të përhershme që na mungon, vendosëm që ta organizojmë këtë ekspozitë me modesti. Prej dhjetë vitesh kjo është një praktikë e njohur dhe tashmë numërojmë rreth 20 ekspozita të tilla në Bibliotekën Kombëtare.
Mes autorëve, përshkrimeve, datave dhe shumëllojshmërisë së librave, nuk mund të mos na bënin përshtypje ato libra, të cilët përmbajnë vende-vende shkronja dhe ilustrime prej ari...
Janë librat me miniatura ose librat e dekoruar me ngjyra, vizatime dhe ilustrime ku si element dekorativ është përdorur edhe ari. Jemi të vetëdijshëm se një nga kërshëritë e qytetërimit të sotëm europian është ajo estetike, sidomos për këta lloj librash që janë prodhuar në një kohë kur orienti ishte në kulmin e shkëlqimit. Është interesant fakti se si vlera e tyre estetike vjen duke u rritur.
Ju, si njohës i mirë i librave, a keni dijeni nëse vazhdojnë të prodhohen edhe sot e kësaj dite libra të tillë, me gërma dhe gravura ari?
Në këtë cilësi dhe në këtë mënyrë, jo, sot nuk bëhen më libra. Kjo është dhe aryeja që në teknikat e bibliotekonomisë, rruajtja dhe klasifikimi i këtyre librave kanë parametra të veçantë. Këto koleksione quhen vlera të rralla dhe në kategorinë e tyre hyjnë botimet që datojnë para vitit 1800. Pas kësaj periudhe, libri nuk ishte më një vepër arti por u fut në teknologjinë e përgjithshme të botimit të tij. Kjo ndodhi edhe në botën orientale dhe atë islame. Një proces i tillë solli që pas 1800-s të humbin këto kritere të librave më bukurshkruar me dekore ari. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk ka përjashtime. Madje, ato mund t’i ndeshim si në botën orientale ashtu dhe në Europë dhe në Amerikë. Ka botime me shkronja ari që mund të jenë shumë të kufizuara dhe që bëhen nga autorët për t’ua ndarë miqve të tyre.
Po elementi kohë, a e bën më të vlefshëm këtë koleksion të Bibliotekës së Bushatllinjve?
Pa dyshim që edhe elementi kohë e bën të rëndësishëm por ai nuk është deçiziv. Mes këtyre librave ka dorëshkrime që janë të zakonshëm dhe nuk paraqesin ndonjë element të veçantë, sikurse ka edhe ekzemplarë që përmbajnë vlera historike, kaligrafi të veçantë apo edhe miniatura, të dekoruara me ngjyra dhe me ar.
Ari përdorej vetëm në botimet teologjike?
Jo. Ari përdorej si element dekori edhe në libra të tjerë, si librat e Sadi Shirazit. Nisur nga kjo, mendoj se shtrati i madh i një poeti vlerësohej dhe matej edhe nëpërmjet këtyre botimeve luksoze.
Sa do të kushtonte sot një botim i tillë?
Nuk mund ta vlerësojmë sepse për këtë duhet gjykuar më parë në bazë të informacionit të rrjeteve të bibliotekave botërore. Ne jemi antarësuar në Rrjetin e Bibliotekave Europiane dhe shpesh atij i referohemi, ndonëse ky sistem nuk është botëror.
Cili është libri më i vjetër që gjendet në koleksionin e mbetur nga Biblioteka e Bushatllinjve?
Është një libër fetar që daton mes viteve 1430-1450. Megjithatë, libri më i vjetër nga Bushatllitë është një libër i kohës së Skënderbeut. Sigurisht, biblioteka e Bushatllinjve nuk ka ekzistuar në atë kohë por ky libër është blerë më pas siç ndodh dhe sot, kur blejmë libra të vjetër.
Së fundi, Biblioteka e Bushatllinjve ka pasur një larmi librash dhe autorësh. Pse keni vendosur në këtë ekspozitë vetëm botime në gjuhën arabe?
Sepse ato janë më të veçantat. Autorët dhe filozofët europianë gjenden në botime të shumta dhe ribotime që janë bërë herë pas here, ndaj menduam se interesi për to është më i vogël.
2 Tetor 2009