Duhet ndaluar programi berthamor iranian
Duke folur në një intervistë për shërbimin e Iranit, senatori amerikan Xhozef Liberman ka thënë se nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ata që kërcënohen nga armët bërthamore të Teheranit, por e gjithë bota arabe dhe Evropa. Është shpresuar se sanksionet do të dobësojnë ekonominë e Iranit dhe do të krijojnë një lloj presioni, por, për fat të keq, nuk kanë pasur rezultatin që kemi pritur”, ka thënë Liberman. Irani këmbëngul se pasurimi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe nuk synon krijimin e armëve atomike. Liberman ka thënë se ekziston një konsensus i përgjithshëm se Irani tashmë ka pasuruar mjaft uranium, për të krijuar pesë armë të vogla bërthamore. Sipas tij, vendet si Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë aksione më drastike kundër Teheranit, sesa sanksionet e deritashme. “Ne po shkojmë në një pikë, ku do të ketë vetëm dy zgjidhje, jo vetëm për SHBA-në dhe Izraelin, por edhe për vendet e tjera. Ose do të rrimë duarkryq dhe do të lejojmë Iranin që të bëhet një fuqi bërthamore, ose do të detyrohemi të ndërmarrim disa aksione ushtarake për të vonuar apo shkatërruar atë program”, është shprehur Liberman. Po sipas fjalëve të tij, nuk ka kuptim që të pritet derisa Irani vërtet të posedojë armë bërthamore, për të ndërmarrë veprime ushtarake. “Ne duhet të jemi gati, nëse gjithçka tjetër dështon – sanksionet ekonomike, diplomacia etj”, ka thënë senatori amerikan. Ai tha se i përket udhëheqjes iraniane që të bëjë zgjedhje korrekte dhe të angazhohet me komunitetin ndërkombëtar. Sipas tij, anëtarët e të dyja palëve politike në Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe populli amerikan, duan paqe me Iranin, por nëse Irani nuk përgjigjet me ndryshimin e programit bërthamor, perspektivat e veprimit të ushtrisë amerikane janë të larta.