Duhet të kesh mendje dimri...
Përfytyroni një mot dëbore pak para muzgut dhe një njeri që buzë një pylli ka ndalur dhe diç përpiqet të dëgjojë në atë heshtje. Është koha kur era vjen e reshtet, bardhësia e dëborës që në ato minuta lëkundet mes dritave dhe hijeve dhe zgjedh më në fund këtë të fundit ose më saktë, akoma sapo e kanë zgjedhur që të anojë nga grija, një palë sy dreri bore sapo humbën nëpër thellësi të pyllit dhe njeriu i çliruar nga çdo detyrim human vendos më në fund të përqendrohet tek asgjëja “që është”. Kjo situatë në dukje pak e çuditshme, është thelbi i asaj që ndodh në trurin e poetit ndërsa shkruan, ku afrimi i boshllëkut apo asgjësë nuk duhet kuptuar si fundi i poemës, përkundrazi si fillimi i saj, përderisa poezia më shumë se cilido art tjetër, synon “tjetrën”, të panjohurën e së panjohurës. Ndaj dhe përderisa dimër, vështruesi, apo siç i pëlqente Rimbaud-së “përgjuesit”, nuk i mbetet tjetër, veç të ketë edhe ai mendje dimri për të zbuluar atë që as nuk e di dhe as nuk e përfytyron: dhe është kjo sepse ky përgjim fal kënaqësi të pamasa. Gjithë këtë arsyetim poetik e gjen të zbërthyer mjeshtërisht te poezia “Njeriu prej bore”, e shkruar nga një biznesmen amerikan para afro shtatëdhjetë vjetësh e që quhet Wallace Stevens. Shkak për këtë shkrim mund të ishte bërë cilado shtysë, por meqë Parid Teferiçit si përkthyes i Wallace Stevens “Mendje dimri-Poezi të zgjedhura” (botim i “Poeteka”) iu botua libri, atëherë shkaku bëhet i fortë. Më tha para ca kohëve Paridi: “Mirë që do të botohet, se kam nja dymbëdhjetë vjet me këtë poet dhe kam frikë se mund të më marrë edhe njëherë sa kaq”. Ia qava hallin, meqë edhe unë di disi nga këto punë dhe ia ktheva se përsa vjet u more me Stevens-in, po aq kohë pas botimit tënd nuk do të ketë përkthim tjetër. Po pse kjo stepje e përkthyesit? Po, sepse kush e ka lexuar të paktën një poezi të këtij amerikani të çuditshëm e të vetmuar, do ta kuptonte menjëherë frikën që të shtie Stevens-i me celebraritetin, ekstravagancën, mistikën dhe një sarkazëm të mezikapshme që kornizon çdo poemë, duke të vënë pas çdo leximi te mëdyshja e pashqitshme: Ta ketë seriozisht? Me karrierë të shkëlqyer si jurist në Nju Jork dhe më pas si zëvendëspresident i kompanisë më të madhe të sigurimeve në Hartford, Wallace Stevens ndërsa iu përkushtua profesionit të vet, e ndoqi nga larg jetën letrare amerikane. Epo në ato shëtitjet e veta të stërgjata, ku me këmbë e ku me tren, ai kompozonte (fjalë më e qëlluar), ndofta më mirë se askush tjetër, poemat e klimës amerikane. Mes vetes edhe modernizmit Stevens mbajti përherë një palë syze të errëta, sepse me të drejtë kishte bezdi nga rrezatimet verbuese moderniste. Poemat e tij janë krejtësisht të imunizuara nga influencat e bashkëkohësve të tij Eliot, Pound, Frost, Williams, Moore etj., që ndërkaq më shumë kishin marrë në qafë, sesa ndihmuar poetë nga anekënd botës, aq më tepër amerikanë. Nga një rastësi apo përllogaritje gjeniale, Stevens e filloi karrierën e vet prej poeti kur i pati mbushur të dyzetat dhe bumi i modernistëve kishte rënë ca, dhe me dështimin e librit të parë priti edhe dhjetë syresh të tjerë për t’u bërë poeti më i lexuar dhe më i vlerësuar i Amerikës. Misteri i këtij poeti është fakti sesi mundi të bashkërronte me të biznesmeni dhe njeriu i letrave, si mund të kompozohen me një lehtësi të pashoqe struktura poetike që do të hapnin mijëra vende pune për kritikët letrare nën okelion e industrisë “Stevens”? Apo edhe misteri tjetër: si mundi të jetonte gati dyzetë vite pa prekur grua, ndonëse i martuar me një grua të fisme, por krejt të palumtur dhe larg çdo joshjeje? Ky mister fiziologjik merr menjëherë një përgjigje metafizike: ai rrojti me përfytyrim, dhe meqë ky rast i ngjan tmerrësisht shumë rastit tjetër madhor “Eliot”, atëherë përgjigja merr vërtet kuptim të thellë. Ajo që vlen të përmendet si kontribut madhor i Stevens-it në poezinë amerikane dhe botërore, është fakti se ai i mëshoi konceptit të vet për poezinë, që poezia është jo vetëm fiksioni më i lartë, por është edhe fiksioni final. Nuk thotë që poezia shpëton botën, por thotë që poezia është një realitet që i përputhet këtij realiteti. Aftësinë e zbulimit poetik Stevens e vë te një njeri çfarëdo, një fermer, një tregtar, një piktor, një mësues, një djalosh etj. Poezia e tij është një shpresë që vjen për të gjithë ata që kanë probleme me leximin e poezisë, por kjo sipas parimit “Plumbit me plumb”, pasi Stevens është poeti më i vështirë në botë po nise “ta zbërthesh”. Sekreti i vetëm kur ta takoni këtë burrë në shqipen e rilindur të Teferiçit, është që lexojeni jo për të gjetur kuptime apo domethënie. Kërkoni ndonjë kënaqësi leximi apo përfytyrimi. Për këtë i shkroi edhe Stevens-i.