Nën hetim
Falimentimi i bankës amerikane të investimeve “Vëllezërit Lehman” dhe blerja e Grupit Ndërkombëtare Amerikan (AIG) pak ditë më parë, shkaktoi një krizë të vërtetë financiare, që tronditi bursat dhe tregjet e mbarë botës. E ndërsa këto të fundit po e marrin veten pas goditjes, dikush dyshon tek shkaqet e krizës së tyre financiare. Kështu, Byroja Federale e Hetimeve, FBI, e gjendur nën presion për të zbuluar mbi aktivitete të mundshme kriminale në tregjet financiare, ka vendosur të zgjerojë hetimet e saj mbi mashtrimet e korporatave pas ngjarjeve që ndodhën në 10 ditët e fundit. Lajmi u bë publik dje nga e përditshmja “Herald Tribune”, e cila citon zyrtarë të FBI-së. Kjo e fundit sipas gazetës, ka hapur hetime paraprake për mashtrim të mundshëm nga katër korporatat gjigante në qendër të krizës së fundit: gjigantët financiarë të kredive për shtëpi: “Fannie Mae” dhe “Freddie Mac”, banka “Lehman Brothers” dhe AIG. “Është mëse logjike të mendosh që këto kompani do të hetohen, pasi ka shumë pyetje dhe dyshime mbi falimentimin e tyre”, - tha një zyrtar i qeverisë amerikane, duke folur në kushte anonimati për “Associated Press”. Zyrtarë të FBI-së thanë se numri në total i hetimeve në sektorin financiar që po kryhen nga byroja është 26, dy më shumë se shifra e raportuar vetëm një javë më parë nga drejtori i FBI-së, Robert Myller III. Numri i hetimeve ishte vetëm 21 në fund të korrikut, por byroja nuk ka bërë publike pjesën më të madhe të objektivave të saj në këto hetime. Myller tha se FBI-ja do të ndjekë këto hetime hap pas hapi në të gjithë zinxhirin e korporatave, për t’u siguruar që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë. Përveç çështjeve të korporatave të mëdha, byroja deklaroi se ka dhe 1400 hetime të hapura për kompani të vogla dhe individë që dyshohen për mashtrim të kredive për shtëpi. Megjithatë, FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë janë vënë nën presion nga kritikët, të cilët thonë se hetuesit duhet të hetojnë më thellë në sektorin financiar, për të gjetur shkaqet e vërteta të krizës. Por prokurori i përgjithshëm, Majkëll Mukasei, ka refuzuar thirrjet për të krijuar një “Task forcë” kombëtare si ajo e vitit 2002, që u ngrit me qëllim për t’iu përgjigjur falimentimit të gjigantit të energjisë “Enron”. Mukasei deklaroi në muajin qershor, se kriza e kredive për shtëpi është një “fenomen ndryshe” dhe një problem më i lokalizuar. Në një hetim kryesor të këtij muaji, prokurorët amerikanë në Nju Jork akuzuan për mashtrim dy menaxherë të bankës së investimeve “Bear Stearns”, e cila thuajse falimentoi në mars të këtij viti, para se të blihej nga banka rivale “J.P. Morgan Chase”. Kur prokuroria nxori njoftimin, vetë zëvendësprokurori i përgjithshëm, Mark Filip, pranoi se kriza e kredive që përfshin një sërë veprimesh kriminale ka rezultuar shkatërruese për familjet amerikane.