E Diel, 1 Nëntor 2026

Hidrocentralet kanë mbrojtur Shkodrën nga përmbytje më të mëdha

Autori i Lajmit: Denisa KonaPedagog në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe njëherësh inxhinier me përvojë të gjatë në projektimin dhe zbatimin e projekteve të veprave hidro-teknike me vlerë të veçantë për bujqësinë. Dr. Dhimitër Vogli i ka ndjekur me vëmendje ngjarjet e ditëve të fundit, madje ka qenë në grupin e thirrur të specialistëve për të inspektuar gjendjen në zonën e Lezhës dhe për të parë gjendjen e argjinaturave. Për gazetën “Ballkan” ai tregon jo vetëm për situatën e krijuar dhe rrugët e daljes prej saj, por edhe për situatën e krejt sistemit hidro-teknik vitet e fundit, të veprave të artit, sikurse quhen veprat e ngritura në shërbim të Bujqësisë dhe të mbrojtjes nga përmbytjet. Por fati i madh ka qenë se hidrocentralet e vegjël të shumtë për bujqësinë që janë me qindra, nuk kanë sjellë situatë problematike përmbytjesh. Nga ana tjetër, ai tregon për vlerën që kanë pasur bonifikimet, për të cilat duket se ekziston një debat ndërkombëtar.

-Na tregoni pak për eksperiencat e punës suaj, veprat industriale ku keni marrë pjesë…
Kam punuar një kohë të gjatë në zbatim, kryesisht në fushën e Maliqit, bonifikimin e Maliqit në fazën e dytë, pastaj një kohë të gjatë në Institutin e Bonifikimeve si projektues, si përgjegjës sektori dhe vitet e fundit për 12 vjet nga viti 78 deri në 90n, kam qenë drejtor i Institutit të Projektimit të Veprave të Kullimit dhe të Ujitjes. Ne merreshim kryesisht me studimin dhe projektimin e veprave të kullimit dhe të ujitjes ku hynin bonifikimet, rrjeti i brendshëm, mbrojtja nga ujërat e jashtme, gërryerjet dhe përmbytjet nga lumenjtë dhe përrenjtë e tokave bujqësore dhe qëndrave të banuara, përfshirë edhe qytetet.

-Të gjitha këto që quheshin vepra të bonifikimit, kanë pasur të bëjnë me përmbytjet?
Po, edhe për përmbytjet, por jo vetën për to. Në këtë kohë kemi projektuar mbi 150 rezervuarë. Eshtë projektuar rezervuar për ujitje, është bërë bonifikimi i Velipojës, bonifikimi i Karavastasë së vogël, është bërë rikonstruksioni i bonifikimit të Thumanës, rritja e kapacitetit të hidrovorit të dytë, e hidrovorit të Hoxharës etj. Instituti trajtonte mes tyre edhe mbrojtjen nga lumenjtë, sistemimin e përrenjve kanalet kullues, edhe për mbrotjen e qyteteve nga përmbytjet, edhe për përdorimin e ujërave me efikasitet për ujitje. Ne kemi trajtuar situatat për përmbytjet e Shkodrës, Elbasanit, Përmetit, Lushnjes…

-Situata më e fundit e përmbytjeve, a ishte diçka e papritur, apo ashtu siç gjërat shkonin, do të ndodhte edhe kjo?
Është edhe diçka e parashikuar, sepse nivelet e këtyre rezervuareve të hidrocentraleve ishin në nivele të larta, ndërkohë që rreshjet vazhduan me intensitet të lartë, shkrirja e borës po ashtu, kështu që u krijuan disa faktorë njeherësh, që detyruan të bëheshin shkarkime nga këto rezervuare. Këto janë njohur edhe më parë në këto përmasa, mbase edhe më të mëdha. Pra, dua të them se kjo nuk ka qenë hera e parë dhe në këtë kuptim, nuk është diçka e jashtëzakonshme.

-Kur ka ndodhur përmbytja më e madhe që mbahet mend?
Kanë ndodhur raste që është dashur të bëhen shkarkime në hidrocentrale të shoqëruara me përmbytje. Dhe dihet që, përmbytjet fillojnë në zonën e Shkodrës, fusha e Prushit, Dajç, Daragjat, pastaj në krahun e djathtë të Bunës kemi Muriqanën, Obotin etj.

-Kjo situatë u paraqit si prag katastrofe dhe është hera e parë që përballemi me një cilësim të tillë zyrtar të situatës si dhe me një interesim për të thirrur specialistët që ishin harruar…
Kjo situatë është marrë më seriozisht, por edhe më parë ka patur situata të tilla. Këtë herë situata ishte e tillë në nyjën e liqenit të Shkodrës, Drinit bashkë me Bunën, që është një nyje hidroteknike shumë e vështirë, sepse veç ujërave që dalin nga liqeni i Shkodrës, që vijnë nga Drini, janë edhe dy përrenj shumë të fuqishëm, përroi i Kirit dhe përroi i Gjadrit që sjellin sasira të mëdha uji. Dhe të gjitha këto sasi grumbullohen poshtë urës së Bahçallëkut. Buna, në gjendjen që është sot, nuk është e aftë që të marrë një prurje më të madhe se 1500-1600 metra 3 /sekondë. Kështu që kur vjen një prurje, qoftë kjo nga Drini, e kombinuar edhe me ujin që del nga liqeni, kjo prurje do të kalojë në shtratin e Bunës, ndërsa pjesa tjetër do të përmbytë në të dyja anët; qoftë në anën e djathtë në drejtim të Obotit dhe të Murriqanit, qoftë në anën e majtë në drejtim të Dajçit, Daragjanit, Shirqit e kështu me radhë…

-Pse nuk është parashikuar, nuk janë marrë masa për të përballuar një prurje e tillë, që është e madhe, por jo e jashtëzakonshmne?
Duhet të kihet parasysh një gjë: Para se të ndërtoheshin hidrocentralet, këtu e gjithë sasia që vinte nga Drini, qoftë edhe nga përrenjtë, krijonte përmbytje shumë më të mëdha sesa përmbytjet që shohim sot, të cilat kanë ndodhur disa herë në vit.

-Kur kanë ndodhur këto përmbytje, për cilën kohë është fjala?
Kjo ka qenë nga vitet 60-65, para se të ndërtoheshin hidrocentralet. Ndërtimi i hidrocentraleve mbi Drin që grumbullojnë rreth 3-4 miliardë metër kub ujë, e ka reduktuar shumë prurjen e lumit Drin, njëkohësisht ka përmirësuar shumë edhe përmbytjet që ndodhin në Ultësirën e Shkodrës, duke i bërë më të rralla.
Ne kemi qenë institute që trajtonim masat që duheshin të merreshin për rastet e përmbytjeve, për ndërtimin e argjinaturave, për rrjetin e kanalizimeve që duhet të tërhiqnin ujërat që vinin nga përmbytjet, etj. Kurse Instituti i Hidrocentraleve që merrej me projektimin e hidrocentraleve, trajtonte edhe prurjet e ujit që vinin nga Drini. Ndërtimi i hidrocentraleve solli përveç përmirësimit të gjendjes në zonën e NënShkodrës, solli edhe përmirësim të niveleve në Liqenin e Shkodrës. Praktikisht, në liqenin e Shkodrës nuk arrihen më ato nivele maksimale që arriheshin para ndërtimit të hidrocentraleve. Tani nuk arrihet më kuota 10 apo 10.5, por arrihet deri në kuotat 8 apo 8.5 metra mbi nivelin e detit. Por sot, nga ana tjetër, nga tokat që kanë dalë, që janë fituar nga deti, kanë filluar ndërtimet pa kriter dhe janë edhe ato një faktor për këto përmbytje që shohim tani.

-Ju keni qenë në Lezhë në mesjavë. Duke krahasuar problemet në dy zonat; Shkodër dhe Lezhë, cilat janë specifikat e tyre?
Lezha nuk ka pasur probleme të mëdha. Kishte rritje të baticës së detit, duke kapërcyer argjinaturat. Ato tani u riparuan dhe nuk ka më probleme.

-Në rast rreshjesh të dendura, a do të ketë sërish probleme në Lezhë?
Probleme nga deti nuk do të ketë më, por nëse në Lezhë do të ketë sasira shumë- shumë të mëdha të rrjeshjeve, mund të ketë përmbytje orare apo ditore maksimumi, në fushë, sepse hidrovorët që janë ndërtuar në këtë zonë, katër hidrovorë, janë projektuar që të tërheqin një prurje të caktuar shirash, që një herë në 5 vjet mund të dalin mbi nivelin e tokës. Por kjo do të jetë një gjendje e përkohshme, nëse hidrovorët do të jenë në gatishmëri, nëse nuk do të ketë ndërprerje të energjisë, kanalet të jenë të hapura etj. Dhe konkretisht, hidrovorët janë në gatishmëri që të gjithë. Kur shkova atje, nuk kishte më ujë në sipërfaqe, fshatarët nuk kishin ndonjë problem. Problemi kishte qenë se argjinaturat bregdetare nuk e kishin përballuar baticën shumë më e madhe nga sa e kishim parashikuar. Ne zakonisht e kemi marrë baticën 0.7.-08, me një tolerancë 50-60 cm që merrej parasysh kur bëhej argjinatura, ndërsa kjo baticë kishte qenë mbi 1 ndoshta edhe 1.5 kuotë absolute mbi nivelin e detit.
Ndërsa përmbytjet në Shkodër kanë tjetër origjinë. Kanë lidhje me sasinë e ujit që vjen nga hidrocentralet. Kjo sasi uji që del sot nga hidrocentralet mbi 1000 m3/sek, është e detyrueshme për të ulur nivelet për kushtet ku jemi.

-Hapja e portave që ka ndodhur këto ditë, ka zgjeruar zonën e përmbytjes. Çfarë kanë parashikuar specialistët se do të ndodhte, në rast të mos-hapjes së portave? Pra, a ishte kjo e vetmja alternativë që kishte mbetur?
Qëkur është bërë projekti i hidrocentraleve, kështu janë parashikuar, që në raste të prurjeve të jashtëzakonshme, duhet të hapen portat, të mbahen nivele të caktuara.

-Kur quhet prurja e jashtëzakonshme? A ka një kufi tregues shifrash?
Prurjet e jashtëzakonshme janë shumë të rralla. Të dhënat i kanë specialistët e hidrocentraleve, por një gjë është: Në Feirzë niveli i ujit duhet të ishte 290, ndërkohë që shkoi në 293 metra kub dhe ky trimetërsh duhet të ulet. Që të ulej duhej të bëheshin shkarkime në Fierzë. Kur bën shkarkime në Fierzë, duhet të bësh edhe në Koman, edhe në Vaun e Dejës. Duhet ti bësh të kombinuara se nga Fierza deri në Koman kemi prurje të tjera, në Vaun e Dejës vijnë prurje të tjera rreshjesh nga pellgu i vet shimbledhës.

-Ditë më parë u dëgjuan zëra të caktuar, pas hapjes së portave të hidrocentraleve, se shteti po na mbyt. A ishte kjo e keqja më e vogël që kemi zgjedhur?
Historikisht, ato zona janë përmbytur. Thashë që ato zona po përmbyten shumë më pak se më parë. Edhe sot, përmbytjet nuk kanë qenë kërcënuese për jetën. Por në një kuptim, masat duhet të merreshin, sepse mund të ndodhë që dikush të bjerë në një kanal, që nën ujë nuk e dallon më se ku bie. Niveli me vazhdimin e shkarkimeve nuk ka për tu ngritur mbi një metër. Sado rreshje të bien, sepse uji do të përhapet në një zonë shumë të madhe dhe niveli nuk do të ngrihet shumë. Pastaj, në krye të kësaj pune janë vënë specialistët që po llogarisin shkarkimet se çfarë problemesh krijohen, bie fjala kur shkarkon 1500 metra kub në sekondë, çfarë nivelesh krijohen. Këto po bëhen me kujdes duke mbajtur situatën nën kontroll.

-Si e kanë llogaritur specialistët pasojën e shkarkimit të një sasie të caktuar uji nga hidrocentralet? Si dalin shifrat? Eksperimetnohen këto situata në miniaturë?
Specialistët kanë përvojën e duhur për të llogaritur sipërfaqet e përmbytura si dhe kohën në të cilën do të qëndrojnë të përmbytura,por për këtë duhen të dhëna të sakta për sasinë e rreshjeve prurjet e lëshuara nga Hidrocetralet dhe nivelet e krijuara në fushat e përmbytura.

Ky lajm është publikuar: 11/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›