E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: Arbitrat e korruptuar dhe të molepsur, do hiqen

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka qënë i ashpër në flanë e mbajtur në Asamblenë zgjedhore të gjyqtarëve. Duka pasi ka bërë një përshkrim të punës dhe mbarvajtjes së “bluzve të zeza” si dhe mbështetjen që jep dhe do të japë FSHF për ta ka shtuar tonet duke thënë se do të bëjë çështë e mundur që elementët e korruptuar dhe ata gjyqtarë që akuzohen për vendime të qëllimshme, të përjashtohen dhe ndëshkohen njëherë e mirë. Ai tha se: “ padyshim, që gjykimi është një nga elementët më të rëndësishëm dhe më delikatë në lojën e futbollit. Duke ndjekur me shumë vëmendje veprimtarinë tuaj profesinale, Federata Shqiptare e Futbollit, është munduar në të ardhmen, që të bëjë përpjekjet e saj maksimale për ta ndihmuar sa më shumë rritjen cilësore të nivelit të gjykimit, nëpërmjet kurseve, seminareve dhe kualifikimeve të ndryshme. Ne, do të përkrahim pa rezerva, çdo iniciativë në këtë drejtim, përfshi edhe aktivizimin më të shpeshtë të arbitrave, vëzhguesve dhe komisarëve shqiptarë në aktivitetet ndërkombëtare. Ashtu siç do të vazhdojmë të mbështesim, ata njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar nga kontigjenti i gjyqtarëve, që përpiqen të ruajnë korrektësinë. Përpjekjet tuaja për rritjen e nivelit të gjykimit, për përsosjen profesionale dhe për të ruajtur të pacënuar figurën e gjyqtarit, janë vlera që kjo shoqatë shpresoj, që ti vlerësojë dhe përsosë në të ardhmen. Jemi në dijeni të trysnisë dhe presionit, që ushtrohet ndaj jush. Vendimet e komisioneve dhe të gjitha organizmat e tjera, në dorë të FSHF, do të vazhdojnë të jenë të ashpra dhe të patolerueshme për të gjithë ata që duke cënuar figurën e gjyqtarit, do të cënojnë, bukurinë dhe ndershmërinë e lojës. Ka ardhur koha, që vetë gjyqtarët të kenë një qëndrim më të përgjegjshëm dhe të ndershëm për rolin që kryejnë në futboll. Pa dashur që të përziej në këtë proçes “të njomin dhe të thatin”, e gjithë “akt-akuza” disavjeçare e medias dhe e klubeve, shigjeton gjyqtarët. Dhe shpesh me të drejtë. Ka shumë vendime të Komisioneve dhe organizmave të tjera të FSHF, që kanë mbajtur qëndrim ndaj gabimeve të arbitrave. Jo rrallë ato kanë qenë të qëllimshme. Shpesh ato kanë cënuar rezultatin dhe bukurinë e ndeshjes. Ju garantoj, dhe për këtë kërkoj edhe mbështetjen tuaj, se me fillimin e edicionit të ri, edhe për gjyqtarët do të fillojë një epokë e re. E cila do të jetë gjithmonë një përpjekje për t ju larguar fenomeneve negative, gabimeve trashanike apo të qëllimshme. FSHF është e vendosuar në qëndrimin e saj, për të ruajtur ndershmërinë dhe drejtësinë në lojën e futbollit. Pavarësisht, se është e ndërgjegjshme, se, sa i takon gjykimit kjo mund të ketë kosto të rëndë. E cila mund të shkojë deri në përjashtimin e individëve të korruptuar dhe të molepsur. Askush s do të tolerohet më për gabime të qëllimshme. Aq më pak, për tentativë apo korrupsion. Futbolli do të mbetet i pastër. Për këtë duhet të punojmë të gjithë. Në këtë rast, ata që duhet të japin shëmbullin kryesor, duhet të jenë gjyqtarët. Që të meritojnë vlerësimin tonë si FSHF. Vlerësimin e publikut dhe klubeve”, përfundoi presidenti i FSHF-së Duka.

Ky lajm është publikuar: 25/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›