E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjet e varfra, në gusht marrin shtesën

Autori i Lajmit: red.
Shtesa prej 10 % e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë do të shpërndahet në gusht. Sipas burimeve nga Shërbimi Social Shtetëror tashmë fondi prej 150 milionë lekësh i miratuar pak ditë më parë nga qeveria po shpërndahet në njësitë vendore. Familjet
Sipas këtij vendimi, do të jenë rreth 93 mijë familje, të cilat do të përfitojnë nga rritja e ndihmës ekonomike. Kështu projektvendimi përmirëson nivelin tavan të masës së ndihmës ekonomike që nevojitet për mbulimin e nevojave të familjeve të varfra nga 7.000 në 7.500 lekë në muaj, por nga ana tjetër ngarkon inspektoriatin e ndihmës ekonomike të verifikojë gjendjen social-ekonomike të të gjitha familjeve përfituese dhe kjo do të bëhet në disa institucione.
Rritja
Kështu sipas llogaritjeve ndihma ekonomike rritet me 5 mijë lekë të vjetra për çdo familje përfituese dhe sipas tyre në këtë mënyrë do të përfitojnë më shumë pagesë familjet që kanë një numër të madh anëtarësh në përbërjen e tyre, siç janë familjet rome dhe familjet e tjera të varfra me shumë anëtarë. Rritja do të bëhet sipas një vendimi të marrë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit të bërë nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, për një shtesë në fondin e ndihmës ekonomike me 150 milionë lekë.
Kriteret
Ndërsa përsa i takon kritereve për të përfituar ndihmë ekonomike, sipas Ministrisë së Punës, kjo do të fillojë nga vlerësimi i varfërisë së familjeve që kanë më pak se 2 dollarë në ditë shpenzime për frymë për mbulimin e nevojave jetësore të tyre. Inspektoriati i ndihmës ekonomike do të ushtrojë kontrolle të rrepta për të verifikuar në mënyrë ekzakte gjendjen ekonomike të familjeve përfituese në nivel qëndror dhe rajonal.
Fondi
Sipas të dhënave gjatë vitit 2008, fondet për ndihmën ekonomike të miratuara nga buxheti i shtetit ishin 3.3 miliardë lekë nga 2.6 miliardë, për vitin 2007. “Kjo ishte një rritje e ndjeshme e ndodhur në këto tetë vitet e fundit. Me rritjen e këtyre fondeve, për herë të parë krijohet mundësia për të mbështetur më mirë nevojat e familjeve të varfra që përfitojnë nga programi i ndihmës ekonomike", kanë pohuar drejtuesit e Ministrisë së Punës.
Inflacioni
Sipas këtyre të fundit, kjo rritje e pagesës sociale parashikon që familjet e varfra të mbrohen nga rritja e çmimeve të ndodhur këtë vit. Me këtë shtesë fondi, rezulton se masa e ndihmës ekonomike për familjet në nevojë do të rritet me rreth 10 për qind. Kjo rritje mbulon jo vetëm inflacionin, por krijon mundësi edhe për një përmirësim të mëtejshëm të nivelit të pagesës për këtë kategori sociale. Me këtë rritje, çdo familje do të marrë 10 për qind më shumë ndihmë ekonomike në muaj, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të këtij viti.
Shpërndarja
Nga ana tjetër, Ministra e Punës ka marrë të gjitha masat për shpërndarjen e fondit për çdo njësi vendore, ashtu siç tashmë janë çelur fondet për vendimet për indeksimin e pagesave të Personave me Aftësi të Kufizuara dhe kategorive të tjera përfituese, me qëllim që efektet të mos vonojnë për përfituesit. Nga data 1 gusht ato do të gjenden pranë çdo bashkie apo komune. Sipas këtij vendimi, do të jenë rreth 93 mijë familje, të cilat do të përfitojnë nga rritja e ndihmës ekonomike, dhe kjo pas shtesës së buxhetit për to me 150 milionë lekë.
Punësimi
Gjatë këtij viti një tjetër vendim që është marrë për familjet e varfra ka qenë edhe punësimi i tyre në komunitet. Sipas këtij vendimi, personat të gjitha njësitë vendore janë të detyruara që shpërndarjen e Ndihmës Ekonomike ta kushtëzojnë çdo muaj me pjesëmarrjen e personave të aftë për punë të familjeve aplikonte në punë komunitare me kohë të pjesshme, disa ditë në muaj. Në këtë mënyrë do të realizohet transparenca në shpërndarjen e fondeve, duke realizuar edhe një kontroll me të plotë nga të gjithë pjesemarrësit lidhur me punësimin në punë informale, emigracionin etj.

Asistenca për të paaftët
Të paaftët për punë përfitojnë 75 për qind të pagesës së papunësisë. Pagesa më e ulët është për personat e aftë për punë, por që nuk janë të punësuar. Për këta persona pagesa është 25 për qind e pagesës së papunësisë. Sipas të dhënave ndihma ekonomike aktualisht shkon në 100 mijë lekë në muaj, ndërsa me rritjen prej 10 për qind, ajo mund të shkojë deri në 110 mijë lekë për familje. Nga ana tjetër, specialistët sqarojnë se “kjo shumë nuk është e njëjtë për të gjitha familjet, pasi llogaritet në bazë të numrit të personave të familjeve”. Ndërkohë që një familje e madhe nuk përfiton më shumë se një familje vogël edhe pse të gjithë pjesëtarët e saj mund të jenë të papunë, pasi është vënë një pagë tavan, prej 11 mijë lekësh, pra kjo është shuma maksimale që do të marrë një familje e varfër.
Dokumentet për të përfituar asistencën
1. Deklaratë “tip” për gjendjen social-ekonomike të familjes, e cila plotësohet nga kryefamiljari një herë në vit
2. Deklaratë “tip” që plotësohet detyrimisht çdo muaj nga kryefamiljari dhe anëtarët madhorë të familjes
3. Certifikatë e gjendjes familjare, ku shënohet data e regjistrimit në regjistrin themeltar dhe vendbanimi i mëparshëm
4. Dokument pronësie lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme (Kadastra) për tokat bujqësore, duke shënuar sipërfaqen dhe kategorinë e tokës. Deklarata “tip” përgatitet sipas modeleve të përcaktuara nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Pagesa mujore e ndihmës ekonomike jepet në formën e një kësti mujor (në lekë).

Legjislacioni
Përfituesit e ndihmës ekonomike Përfitues të ndihmës ekonomike janë:
1) Familjet në nevojë
2) Jetimët mbi 25 vjeç të papunë, të cilët janë në kujdestari ose nën kujdestari.
3) Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh dhe që u përkasin familjeve në nevojë.
Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike
Ndihma ekonomike që përfitojnë familjet në nevojë është e plotë dhe e pjesshme:
Ndihmë ekonomike të plotë përfitojnë familjet ose individët që nuk kanë të ardhura nga:
a) veprimtari ekonomike
b) programe të ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore ose ndonjë sistem tjetër i mbrojtjes shoqërore
c) kapitali
d) pjesëtarët e familjes që janë në emigracion
Ndihmë ekonomike të pjesshme përfitojnë familjet që kanë të ardhura të pamjaftueshme nga:
a) toka
b) bagëtia, shpendët, bletët, vreshtaria dhe kopshtaria
c) pensionet dhe të ardhura të tjera.
Neni 4
1. Ndihma ekonomike u jepet familjeve të shtetasve shqiptarë që kanë të ardhura të pamjaftueshme ose nuk kanë të ardhura e burime materiale jetese nga:
a) veprimtaria ekonomike;
b) sigurimet shoqërore ose ndonjë sistem tjetër sigurimi;
c) kapital.
2. Persona që nuk janë shtetas shqiptarë, mund të përfitojnë ndihmë dhe përkujdesje shoqërore pasi të kenë banuar 10 vjet në Shqipëri.
Ky lajm është publikuar: 25/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›