E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka: “Gabimet e gjyqtarëve, njerëzore”

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, vlerësoi me nota pozitive punën e bërë nga gjyqtarët gjatë këtij edicioni, pavarësisht se klubet e futbollit të të gjitha kategorive në shumë raste janë shprehur të pakënaqur për arbitrimet e “xhaketave të zeza”. Gjyqtarët i janë nënshtruar një analize të hollësishme të punës së tyre në një mbledhje të mbajtur në ambientet e Federatës së Futbollit. Presidenti Duka dhe drejtuesit e Sektorit të Garave kanë evidentuar problemet e hasura deri më tani, sidomos pas akuzave të rënda të ardhura nga disa klube kundrejt bluzave të zeza. Disa gjyqtarë pritet tu nënshtrohen edhe masave të FSHF-së për gabimet e rënda të evidentuara. Bosi i FSHF-së i bëri deklaratat për median përpara analizës së punës së gjyqtarëve për fazën e parë të këtij edicioni, duke pohuar se, sipas opinionit të tij, gjykimi nuk ka qenë i keq. “Do të shqyrtojmë punën e gjyqtarëve me specialistët, do të korrigjojmë ato që nuk ka shkuar mirë për të pasur gjykime më të mira në të ardhmen. Nëse do të jepja opinionin tim, mendoj se gjykimi gjatë këtij viti nuk ka qenë i keq, nuk ka qenë faktor kryesor në renditjen e skuadrave në klasifikim”.

Gabimet

Presidenti i futbollit shqiptar përdori terma rutinë në vlerësimin e aktivitetit të “bilbilave”, duke pranuar në një farë mënyre edhe ekzistencën e gabimeve të kryera prej tyre. “Nuk mund të mohoj që ka pasur gabime, por kam bindjen personale se kanë qenë gabime njerëzore. Absolutisht që FSHF-ja ka marrë masa në çdo lloje fushe, kështu edhe për gjyqtarët kur ka gabime, janë marrë masa gjatë gjithë kohës. Sot nuk është dita për të marrë masa. Sot është dita për të analizuar e për të sensibilizuar, duhet bërë më shumë për tu ndërgjegjësuar.

Trukimet

Në lidhje me hetimin e hapur nga UEFA për dy klubet shqiptare, Tirana e Vllaznia, dhe akuzat e presidentit të Tiranës, Refik Halili, Duka deklaroi: “E kam ndjekur me shqetësim hetimin që ka nisur UEFA. Jemi njoftuar prej tyre. Nuk është mirë që ne të jemi nën hetim. Pastaj këto përpjekje të njerëzve për të larguar hetimin nga ata që duhet të hetohen për interesat e veta janë larg vëmendjes sime”.

Gjyqtarët

Gjatë 12 javëve janë zhvilluar në total 72 ndeshje, kanë gjykuar gjithsej 13 gjyqtarë, ku numrin më të madh të ndeshjeve të drejtuar e ka Lorenc Jemini (9 ndeshje), i ndjekur nga Albano Janku dhe Sokol Jareci (8 ndeshje). Gjyqtarët janë akuzuar shpesh nga klubet apo presidentët e tyre për paaftësi në drejtimin e ndeshjeve, por dhe akuza për blerje nga klube të ndryshme. Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, akuzoi gjyqtarët se “shiten për dy mijë euro”, ndërkohë që presidenti i nderit i Apolonisë, Koço Kokëdhima, një prononcim gjatë rubrikës sportive “Skaner Kampionat” në televizionin “Alsat”, hodhi akuza të ashpra në adresë të gjyqtarëve: “Ata, gjyqtarët blihen, paguhen, rekrutohen duke tradhtuar përgjegjësinë që kanë në detyrën e tyre, si dhe duke vrarë besimin për një garë të pastër”.
Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›