E Diel, 1 Nëntor 2026

Fritzi Owens “Si na shpëtoi Mbreti Zog nga kampet naziste”

Autori i Lajmit: Redaksia
Gjyshe Fritzi, deri tani e njohur për gatimet e saj, bëri debutimin e saj të parë kinematografik në moshën 85-vjeçare. Në të vërtetë kishte pritur plot 70 vjet për ta bërë një gjë të tillë. Por kjo nuk ka të bëjë me dëshirën e saj për të qenë një yll Hollivudi. Ajo donte të tregonte një histori shqiptare. Historinë se si Mbreti shqiptar, Zogu i shpëtoi atë dhe familjen e saj nga persekutimi nazist. Fritzi Owens, është një nga protagonistet e dokumentarit “Shtëpia e Zotit”, një nismë e fotografit Norman H. Gershman për të sjellë në dritë historinë e myslimanëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në veçanti shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë e Evropës nga vdekja e sigurtë. “Këta myslimanë në këtë vend të vogël bënë diçka të mrekullueshme”, thotë Gershman. E përcjellë fillimisht përmes fotografive, më tej përmes një libri, e tani në një dokumentar, historia e shqiptarëve ka tërhequr mjaft vëmendjen mes amerikanësh. “The Wall Street Journal” i ka kushtuar këtij dokumentari një hapësirë të konsiderueshme në faqet e saj. Dhe këtë e ka bërë përmes njërës prej protagonisteve të dokumentarit, 85-vjeçares Fritzi Owens, e cila ka një histori personale për të treguar. Por jo një histori tw zakonshme, por një histori me mbretër e mbretëresha.
Fritzi Weitzman (Owens) është një nga të shpëtuarat. Ajo ishte 13 vjeçe dhe jetonte së bashku me të motrën dhe prindërit në Vjenë, ku kishin një studio fotografike. Në vitin 1938 forcat hitleriane filluan mbledhjen e burrave hebrenj dhe dërgimin e tyre në kampet e përqendrimit. Hebrenjtë me dokumente kishin mundësinë të linin Austrinë e pushtuar e të shkonin në vende të tjera. Siç tregon e moshuara, i ati i saj dhe e motra kishin mundësi të siguronin dokumente e të shkonin në Amerikë. Por Fritzi dhe e ëma nuk u pajisën me dokumente dhe emrat e tyre u vendosën në listat e pritjes, ku duhet të qëndronin për 5-10 vjet. “Situata po ashpërsohej”, tregon Fritzi. “Im atë nuk donte të largohej në Amerikë pa time më”. Kështu që ata prisnin një mrekulli. Ajo çka dihet është fakti që gjatë Luftës së Parë Botërore, i ati i Fritzit pati rastin që gjatë një shërbimi ushtarak të miqësohej me shqiptar të fesë myslimane, i cili më vonë do të bëhej mbreti i Shqipërisë. Ata u takuan sërish pas luftës, kur rastësisht kishin shkuar të dy në Operën e Vjenës. Më pas, në mes të dhunës së tmerrshme që nisi kundër hebrenjve vienezë, Mbreti Zog i dërgoi të atit të Fritzit dokumentet për të gjithë anëtarët e familjes Weitzman, duke i garantuar kalim të sigurt në Shqipëri. Fritzi dhe dymbëdhjetë të afërmit e saj emigruan në Shqipëri. Menjëherë pasi familja Weitzman mbërriti në Shqipëri, Mbreti Zog i ftoi në pallatin e tij në Tiranë. Atje, ai i kërkoi babait të Fritzit ti realizonte një portret zyrtar mbretëror.
Në më pak se një vit, ajo dhe e ëma morën dokumentet, që mundësonin largimin e gjithë familjes drejt Amerikës në vitin 1939. Vetëm dy vjet më parë, në gusht të vitit 2007, Ruth, një prej fëmijëve të Fritzit bisedon me një mik të sajin, Stu Huck, i cili po përgatitej për të lënë qytetin për tre javë, për të ndihmuar fotografin Norman Gershman gjatë një udhëtimi nëpër Shqipëri. Ajo mbeti e mahnitur. “Jam rritur me historitë e Mbretit Zog, mbretëreshës Geraldinë dhe të Shqipërisë”, i thotë ajo. Kaq u desh që ajo të komunikonte vetë me Gershmanin, madje qysh atë ditë. “Jam duke kërkuar në gjithë botën njerëz që janë strehuar nga shqiptarët myslimanë dhe ja ku na qenka një prej tyre pikërisht këtu”, mësohet ti ketë thënë Gershman. Pas një bisede telefonike, Gershman dhe Fritzi planifikuan takimin e tyre në Nju Jork. “Shtëpia e Zotit” tregon se si Gershman, zbuloi shqiptarët heroikë, hebrenjtë e shpëtuar dhe pasardhësit e tyre për librin e tij, “Besa: Myslimanët që shpëtuan hebrenjtë në LDB”, i cili u botua vitin e kaluar nga Syracuse University Press. Fritzi nuk është protagonistja e vetme e dokumentarit, por përmes shënimeve, që ajo dhe Herb kanë mbajtur gjatë viteve të jetës së tyre, ishin në gjendje të ndihmonin Gershman, me studimin e tij. Realizuesit e dokumentarit janë mrekulluar nga mënyra se si ata kanë ruajtur kujtimet e tyre, por edhe shumë objekte, duke i ndihmuar të ndërtonin një histori gati të harruar. “Për 70 vjet me radhë jam përpjekur ti tregoj botës se çfarë bëri Mbreti Zog”, thotë ajo.
Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›