E Diel, 1 Nëntor 2026

Hrushovi-kinezëve: “Ju na e morët Shqipërinë”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Paris, 17 dhjetor 1962 – Bashkimi Sovjetik dhe komunistët kinezë tani janë qartazi më shumë se kurrë në prag të një prishjeje përfundimtare të marrëdhënieve mes tyre, çka do të sillte dhe ndarjen e botës komuniste në dy kampe kundërshtare. Ekspertët perëndimorë për çështjet e komunizmit, dikur kaq anonimë, sepse një gjë e këtij lloji nuk pritej të ndodhte kurrë, tani janë po kaq anonimë sa mund të evitohet edhe kjo ndarje përfundimtare. Hapat e këtij udhëtimi të tmerrshëm, fjalëshumë dhe tmerrësisht të rëndësishëm për këtë prag ndarjeje, ia vlen që ti përmbledhësh. Të parët që u denoncuan me dashakeqësi ishin kinezët – por jo me emër – në kongreset e Partive Komuniste të Bullgarisë dhe Hungarisë. Këta të fundit u përgjigjën me të njëjtat sulme të ashpra ndaj sovjetikëve – por edhe këta jo me emër – gjatë të cilave ata shtuan se marshalli Josif Broz Tito i Jugosllavisë që atëherë u prit krah hapur në Moskë, ishte një “tradhtar”. Së dyti, denoncimet ndaj kinezëve vazhduan më pas edhe në kongreset e Partisë Komuniste Italiane dhe Çekosllovake, me ndryshimin e vetëm se kësaj radhe u përmendën haptazi emrat, si nga sekretari i Partisë Komuniste Çeke, Antonin Novotni, ashtu edhe prej disa italianëve. Këto fjalime që përmendnin me emër kinezët më pas u shtypën në Moskë, duke e nxjerrë popullin rus të Moskës në rrugë për të kuptuar rëndësinë e problemit. Së treti, sulmi ndaj kinezëve vazhdoi me një vrull gjithnjë e në rritje të vetë Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste Sovjetike, Nikita S. Hrushov, në prani të “tradhtarit” Tito, gjatë seancës së fundit të Sovjetit Suprem. Pjesërisht, Hrushovi tha fjalën e tij ku akuzoi kinezët si shkaktarë të shkëputjes së Shqipërisë nga blloku i tyre. Hrushovi shtoi gjithashtu në këtë pjesë të fjalimit se, sidoqoftë, shqiptarët po silleshin si djem të vegjël të llastuar, të cilët merrnin para nga burra të rritur që mendonin se ishte një shaka e bukur kur djemtë e vegjël thërrisnin fjalë të pahijshme ndaj njerëzve të respektuar. Ai i kritikoi gjithashtu kinezët me emër, sepse kishin lejuar “pjesë imperializmi” që të “qëndronin të paprekura” në Hong-Kong dhe Makao. Sovjeti Suprem dëgjoi goditjet kundër kinezëve bërë nga shumë pasues, ndërsa mori dhe një goditje të mëtejshme nga fjalimi i “tradhtarit” Tito. Pas kësaj kinezët iu përgjigjën me publikimin e një letre sekrete ndërpartiake në Kongresin e Partisë Komuniste Çeke, duke u ankuar për sulmin e ashpër ndaj tyre dhe ndaj shqiptarëve dhe kërkuan të inatosur një takim botëror të të gjithë udhëheqësve nga të gjitha vendet komuniste. Nuk ka shumë të ngjarë që sovjetikët të pranojnë një takim të tillë. Kinezët e duan një takim, vetëm sepse duan që ai do të shërbejë për të treguar se ata kanë një farë mbështetjeje – nga koreanoveriorët, ndoshta nga vietnamoveriorët dhe nga parti të veçanta komuniste në gjysmën tjetër të lirë të botës, në Amerikën Latine e kudo tjetër. Shenja e hapit tjetër të pritshëm nga kjo ndeshje e ashpër zhargonesh është në fakt shumë larg të qenit e qartë. Megjithatë, është shumë e qartë nga ana tjetër se suvatimi i plasaritjeve edhe një herë tjetër është bërë krejtësisht i pamundur. Marrëdhënia nuk mund të përmirësohet, nëse nuk do të ketë largim të një apo dy grindavecëve që mbajnë gjallë tensionin. Dhe duke qenë se një dorëzim i tillë ka shumë pak gjasa që të ndodhë, marrëdhënia ka shumë mundësi që të shkatërrohet edhe më tej, duke rritur kështu parashikimet e një ndarjeje përfundimtare. Në këto rrethana, nis të bëhet e nevojshme të pyesësh se cilat mund të jenë pasojat e një prishjeje përfundimtare. Për kinezët një pasojë do të ishte shtimi i vështirësive ekonomike, për sovjetikët nga ana tjetër do të ishte pothuajse me siguri ndërprerja e ngarkesave të rëndësishme me vaj që importohej nga Kina. Një tjetër pasojë për kinezët do të jetë çlirimi i tyre përfundimtar nga çdo ndikim kufizues nga Moska. Në varësi të nivelit së megalomanisë në Pekin, kjo mund të sjellë rezultate shumë dramatike në Kore, Vietnam dhe kudo tjetër përgjatë kufijve me Kinën. Në Moskë ndërkohë, shpërbërja e hallkës së fundit me Pekinin me siguri që do të thotë një lëvizje shumë herë më të fortë drejt “revizionizmit” – lloji i komunizmit më shumë pragmatist dhe më pak shtypës se komunizmi, të cilin kinezët e urrejnë kaq shumë. Mbi të gjitha, ky zhvillim i gjerë do të thotë gjithashtu mundësi të mëdha dhe ndoshta sfida serioze për Perëndimin. Ky fakt, siç duhet, e bën edhe më të vajtueshëm faktin se takimi i përvitshëm i NATO-s këtu nuk ishte më shumë rezultativ dhe dobiprurës – dhe prandaj ia vlen të shkruhet diçka edhe për atë. Ai ishte thjesht një takim më shumë i përzemërt se sa pararendësit. Ti mund të jesh shumë i sigurt se shumë gjëra do të ndodhin dhe ka shumë mundësi që të ketë dhe veprime të dhunshme. Por ti nuk mund të thuash me saktësi se çfarë do të ndodhë, siç nuk mund të parashikojë kryengritjen dhe masakrën hungareze, krizën në Poloni dhe rënien e Malenkovit, Molotovit, Kaganoviçit dhe Bulganinit pas fjalimit sekret të Hrushovit që denoncoi Stalinin në vitin 1956. Ndarja mes Rusisë Sovjetike dhe Kinës Komuniste është tregues i një çarjeje më të gjerë. Që prej Kongresit XX të Partisë Komuniste Sovjetike, kur Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Nikita S. Hrushov, shprehu hapur sulmin e tij të pamëshirshëm mbi stalinizmin, dy degët kryesore të komunizmit kanë goditur njëra-tjetrën, pavarësisht përpjekjeve të studiuara dypalëshe për të dhënë përshtypjen e solidaritetit. Në Kongresin e aktual komunist në Moskë, një lumë fjalimesh që flisnin për interesat e përbashkëta të vendeve komuniste nuk kanë qenë të mjaftueshme për të fshehur konfliktin e mprehtë mes tyre. Kina dhe Shqipëria janë vendet më të pritshme për tu shoqëruar nga trazirat.
Dëshira e fortë e Nikita S. Hrushovit, për të rinisur negociatat serioze me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të jetë një nga shumë arsyet e tjera që janë sugjeruar haptazi që kur shpërtheu konflikti pas takimit të shefave të komunizmit herët verën e kaluar në Bukuresht. Të gjithë armiqtë perëndimorë kanë qenë natyrisht të etur për të mësuar origjinën e vërtetë të konfliktit kino-sovjetik, qoftë edhe për përmasat e natyrës së vetë konfliktit.
Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›