E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e ka ndryshuar botën

Autori i Lajmit: Nga Halil Matoshi
Tri procese paralele po ndodhin aktualisht rreth Kosovës dhe që të tria dëshmojnë se sa ka ndërruar bota. Në Prishtinë një agjent i SHIK-ut ngjalli debatin e madh kombëtar të etikës së pushtetit dhe shtroi dilemën qytetare në është etike të jetohet mes vrasësve apo të duhet që të nisë procesi i dekriminalizimit të shoqërisë përmes fuqizimit të gjyqtarit të pavarur. Në të tria këto procese populli është objekt dhe jo subjekt, prandaj i bihet kot në qafë. Nëse ky vend nuk këndellet për ta bërë ndarjen përfundimtare dhe brilante me krimin dhe të krijojë mekanizma shoqërorë që të sëmurët mentalë ti vendosë në azile, vrasësit në burgje, ndërkaq qytetarët në pozitën prej nga mund tia besojnë lirinë ligjit, riciklimi i krimit nuk do të ketë të ndalur, derisa do ta gërryejë edhe vetë idenë e shtetit dhe idenë e lirisë. Vrasjet rëndom janë bërë në emër të popullit, prandaj sikur po kërkohet një gjykim popullor i tyre, një përligjje e tyre që e përjashton gjyqtarin e pavarur. Në anën tjetër, njëkohësisht me procesin në GJND, ku pala kosovare mbron shtetin e ri, një organizatë që për ironi e mban emrin “Vetëvendosje”, ka nisur një proces krejt të kundërt, denigrimin dhe zhvlerësimin e këtij shteti, gjithnjë duke u thirrur në emër të popullit, i cili, në mjerim e padituri, i frikësuar dhe i zhgënjyer i lutet një Zoti për shpëtim. Derisa lëvizja “Vetëvendosje” heq flamurin e shtetit për ta hedhur atë në koshin e mbeturinave dhe vendos një tjetër flamur, flamurin historik të shqiptarëve, si parashenjë se bashkëndiejnë me popullin dhe gjithnjë në emër të popullit, tallet me vetë procesin e pavarësisë dhe përballjes në GJND me kundërshtarët e saj. “Vetëvendosja” është tallur me ata që flasin në emër të Kosovës në Hagë e që janë bartës të pushtetit legal, si dhe me secilin qytetar kosovar që mbron idenë e shtetit të ri si garant të lirisë së tij. Dhe, sipas kësaj logjike, po tu dilte dikush përballë, ata do ta përligjnin edhe vrasjen, njëjtë si në CD-në inkriminuese, që tashmë u bë pronë e publikut. Vrasja dhe vdekja si dhe lehtësia e padurueshme e të folurit për to, prej Kuvendit e deri në kafene, prej Qeverisë e deri në media, pra e tërë Kosova tash e dhjetë vjet është pronë e zotave të luftës, kurse qytetari i shpronësuar jo vetëm nga resurset e saj, por edhe nga pronësia ndaj trupit dhe jetës së tij, frymon në hapësirë për jetë të zhveshur, pra është përjashtuar nga vendosja politike dhe është hedhur tej, në biopolitikë.
Procesi i tretë po ashtu ndodh në emër të popullit, (vërtet ndesh të drejtën mes dy popujve dhe dy konteksteve të lirisë) duke e involvuar tërë planetin.
A do të shërbejë Kosova për ndërrimin e Kartës së OKB-së dhe rikonfigurimin e saj?
Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj sipas kontinuitetit të saj konstitucional (si pjesë përbërëse e federalizmit jugosllav) dhe pas një Konference ndërkombëtare të thirrur nga Grupi i Kontaktit (fuqitë e mëdha) në Rambouillet si dhe pas një procesi legal negociatash të thirrura KS i OKB-së dhe pas një propozimi gjithëpërfshirës (Martti Ahtisaari) për statusin e Kosovës, të sponsorizuar nga KS i OKB-së...
Mendimi këshillëdhënës i Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë nuk do të jetë decidiv që thotë “po” ose “jo”, “për” ose “kundër” pavarësisë së Kosovës, besohet se ai do të jetë ose jo-konkluziv, vetëm do të shtrojë teza dhe antiteza ose edhe nuk do të japë fare një vendim, ose një verdikt i hapur që do të shërbejë si një debat i publik planetar, që do të vazhdojë me vite. Tezat dhe antitezat e këtij debati do të sillen rreth pyetjeve pse dhe në cilat raste është i ligjshëm secesioni nga shteti amë (nga aspekti i së drejtës ndërkombëtare shtet amë cilësohet shteti nga i cili është shkëputur një rajon) në bazë të parimit të vetëvendosjes së kombeve, jashtë kontekstit kolonial dhe sipas Kreut VII të Kartës së OKB-së. Çfarë është vetëvendosja zhdëmtuese dhe a do ta ndryshojë kjo vetë Kartën e OKB-së dhe kontekstin westphalian të së drejtës së shteteve?
Kosova pra do të bëhet një rast shkollor, që do të hapë debatin e madh të juristëve, filozofëve dhe ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, për studime të mëtejme të evoluimit të së drejtës ndërkombëtare. Rasti i pavarësisë së Kosovës, tashmë “i paketuar” si sui generis vërtet është rast i vetëvendosjes zhdëmtuese që e ka ndryshuar botën, së këndejmi edhe politikën e jashtme. Teorikisht është e mundur që GJND – pasi të ketë dëgjuar argumentet e të gjitha palëve, të refuzojë të japë mendimin këshillëdhënës. Aty nuk do të ketë përgjigje të prerë po ose jo, për apo kundër – thjesht – sipas japonezit do të jetë e nevojshme të lexohet dhe të studiohet. Në takimin me gazetarët kohë më parë kryegjyqtari i GJND-së, japonezi Ovada, kishte theksuar se është "normale" që vendimin e gjyqit "ta pranojë" Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e cila edhe e ka kërkuar mendimin e kësaj gjykate. Se a do të veprojë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së sipas këtij vendimi këshillëdhënës të gjyqit, varet nga vetë ajo, dhe e njëjta vlen edhe për shtetet e veçanta, të cilat do të vendosin pastaj veç e veç që të marrin vendime politike për njohjen ose mosnjohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Rrjedhimisht po të merrte e drejta e Kosovës një mendim pozitiv, ajo shumë shpejt do të bëhej anëtare e OKB-së.
Derisa mbrojtja serbe në GJND pretendon se Kuvendi i Kosovës nuk kishte të drejtë të shpallte pavarësinë dhe se OKB-ja është dashur ta anulonte këtë vendim, kosovarët në anën tjetër argumentojnë se shpallja e pavarësisë është një çështje e kontinuitetit konstitucional, e jo punë e së drejtës ndërkombëtare, kështu që gjykata nuk ka se pse të japë fare opinionin e saj. Sipas mbrojtjes kosovare, Kosova kishte të drejtën e vetëvendosjes, po aq sa ish-republikat jugosllave, duke qenë pjesë konstitutive e federalizmit jugosllav. Në këtë ndeshje teorike, opinioni i gjykatës, së pari nuk është i obligueshëm, e nëse jepet, ai do të jetë i dykuptimtë, duke qenë se qasjet për parimin e të drejtës së shteteve e jo të popujve të rrezikuar por edhe ato për parimin e vetëvendosjes së kombeve varësisht nga kulturat, civilizimet dhe ideologjitë, janë të ndryshme. Do të jetë shumë interesante për vrojtuesit sidomos për diplomatët dhe ekspertët e të drejtës ndërkombëtare, të dëgjohen dy konceptet diametralisht të kundërta mes SHBA-së që mbështesin vetëvendosjen zhdëmtuese në rastin e Kosovës dhe Rusisë që mbetet gardiani i fundit i parimit të pacenueshmërisë së integritetit të shtetit. Më tetë dhjetor do të ndeshen këto dy koncepte që do ta ndërrojnë me gjasë tërë debatin në këtë fushë, veçanërisht pas vendimit të Rusisë për ta njohur sovranitetin e provincave gjeorgjiane, Abkhazi dhe Oseti Jugore – sigurisht, duke u thirrur në vetëvendosjen zhdëmtuese, pasi që sipas pretendimeve ruse, qytetarët e këtyre dy provincave i ishin nënshtruar dhunës nga shteti amë - Gjeorgjia, ngjashëm sikurse Kosova – dhe ky pozicion i ri i Rusisë e ka dobësuar ndjeshëm kundërargumentin rus në këtë çështje. Prandaj, duket sheshit, pavarësimi i këtyre dy provincave e ka fuqizuar pozicionin e Kosovës në përballjen ndërkombëtare karshi qëndrimit “njet”.
Në anën tjetër, edhe nëse gjykata merr një vendim kundër Kosovës, pavarësia e saj është e pakthyeshme, sepse vullneti politik i shumicës së qytetarëve në Kosovë është i pakthyeshëm. Mirëpo, Serbia nuk ka kërkuar nga GJND-ja mendim se a ka të drejtë Kosova të ndahet nga Serbia dhe të jetë e pavarur, por pyetja është shtruar me një dhelpëri: thjesht nëse Institucionet e Përkohshme Qeverisëse të Kosovës kishin të drejtë ligjore për ta shpallur pavarësinë. Por ministri i Jashtëm kosovar shpalljen e pavarësisë e ka shpjeguar në Hagë pra GJND-së jashtë kontekstit të IPVQ-ve, si vullnet i popullit të Kosovës, pos serbëve. Paçka nëse GJND-ja gjen se nuk kishin këtë të drejtë? SHBA-ja në partneritet me fuqitë Perëndimore dhe BE-në janë sponsorizues dhe garant të ruajtjes së pavarësisë së Kosovës. Sidoqoftë mendimi këshillëdhënës i GJND-së do të iniciojë debat të rreptë edhe në vetë Kombet e Bashkuara për të iniciuar rikonfigurimin e organizatës, sidomos në drejtim të gjetjes së përgjigjes se cili do të jetë mekanizmi që parandalon vrasjet në masë (rasti i Kosovës) dhe si mund ta ndryshohet OKB-ja, në mënyrë që ajo të ketë një shans të vërtetë për përballjen me sfidat globale që janë para nesh?
Nëse OKB-ja vazhdonte të ishte organizatë ndërkombëtare për shpërndarjen e ndihmave humanitare, amerikanët thanë më 24 mars 1999 “jo plugje por shpata!” duke e shpëtuar Kosovën nga gjenocidi, sepse Serbia tashmë kishte nisur fushatën e vrasjeve në masë, kurse OKB-ja ofronte negociata me zotat e luftës. Kosova në GJND do të hapë pikërisht këtë debat të madh etik, planetar, për parandalimin e vrasjeve në masë e që do të vlejë si një nga vlerat e përbashkëta, pra edhe për vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë, të cilit do tia besojnë lirinë e tyre qytetarët, për të dalë nga rrethi vicioz i krimit, pra për dekriminalizimin e shoqërisë kosovare. Kosova e ka ndryshuar botën por a do të ketë shans ta ndryshojë veten e saj. (Botohet me shkurtime. halil.matoshi(at)kohaditore.com)

Ky lajm është publikuar: 04/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›