Duka: Pango të vërtetojë akuzat
• Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka kërkuar ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, që të sqarojë akuzat që ka bërë në adresë të Federatës së Futbollit dhe presidentit të saj disa muaj më parë në zyrat e FIFA-s dhe UEFA-s.Jetmir Halilaj “Edhe pse me një ndryshim, statuti u firmos dhe kjo është shenjë pozitive. Unë besoj se Pango do t’i plotësojë edhe dy kushtet e tjera. Së pari, të sqarojë akuzat që ka bërë ndaj Federatës së Futbollit dhe presidentit e më pas të tërheqë edhe auditimin, për të cilin, Ministria e Financave insiston, por që realisht është i paligjshëm”, tha Duka. Tani është kreu i FSHF-së ai që sulmon, duke përfituar nga fakti që deri tani në zyrat e organizmave ndërkombëtarë të futbollit nuk ka mbërritur asnjë provë, megjithëse krerët e FIFA-s dhe të UEFA-s kanë kërkuar fakte në lidhje me akuzat që i janë bërë Dukës, pas dy humbjeve të Shqipërisë me Bjellorusinë dhe Rumaninë. FIFA dhe UEFA kanë paralajmëruar se nëse gjatë këtyre ditëve nuk do të ketë tërheqje nga ana e MTKRS-së, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s mund ta përjashtojë Shqipërinë. Megjithatë kreu i Federatës së Futbollit u shpreh optimist për sa i përket marrëdhënieve mes shtetit dhe institucionit që ai drejton. “Nuk besoj se do të ndodhin gjëra të jashtëzakonshme në datën 14 mars. Drejtuesit e MTKRS-së deri tani kanë dhënë sinjale se janë pro zgjidhjes së këtij problemi, kështu që unë besoj se nuk do të ndodhë ndonjë gjë e jashtëzakonshme. I mirëkuptoj vërejtjet që ka bërë ministri në statut dhe me aq njohuri sa kam, mund të them se janë thjesht çështje interpretimi”, ka thënë Duka. Në të njëjtën situatë është edhe Spanja, pasi statuti i Federatës spanjolle bie ndesh me ligjin e sporteve. FIFA dhe UEFA janë gati të përjashtojnë edhe Spanjën, nëse qeveria e këtij vendi nuk ndryshon ligjin. Në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s nuk përjashtohet mundësia që anëtarët e organit vendimmarrës më të lartë të këtij institucioni të përjashtojnë Shqipërinë.Cana: Do e mbyll si mbrojtësMesfushori i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, nuk di se në cilën skuadër do ta përfundojë karrierën, por e di në çfarë roli do ta bëjë atë. Kapiteni i Olimpikut të Marsejës ka pohuar se sezonet e fundit të karrierës do t’i kalojë duke luajtur në rolin e qendërmbrojtësit. “E di shumë mirë se karrierën time do ta përfundoj si qendërmbrojtës, kjo është e pashmangshme. Kjo tashmë është e fiksuar në kokën time, është shprehur Cana për mediat franceze. Por, përderisa jam ende i fortë fizikisht, dua të jem mesfushor”. 24-vjeçari, në ndeshjet e fundit është aktivizuar në rolin e qendërmbrojtësit nga ana e trajnerit Erik Gerets dhe është treguar shumë i aftë sipas mediave franceze. Hasi, ofertë për zv/trajnerBesnik Hasi gjatë verës së këtij viti mund të fillojë karrierën si trajner. Ish-mesfushorit të Kombëtares shqiptare i është ofruar posti i ndihmëstrajnerit në skuadrën ku është duke u aktivizuar, Cercle Bryzh. Këtë e ka bërë të ditur dje uebsajti belg “sport.be”. “Trajneri i Cercle Bryzh, Glen De Boeck, i ka ofruar Besnik Hasit postin e ndihmësit të tij për sezonin e ardhshëm. Mesfushori është ende nën kontratë si lojtar, por ka thënë se do ta shqyrtojë ofertën”, shkruhej në artikullin që i kushtohej shqiptarit. Futbollisti 36-vjeçar, Hasi, me Cerclen ka kontratë deri në qershor të vitit 2009. Ai iu bashkua kësaj skuadre në qershor të vitit të kaluar. Bogdani-Salihi, titullarëErjon Bogdani luajti si titullar në ndeshjen e djeshme kundër Fiorentinës, por Livorno u mund nga skuadra vjollcë me rezultatin minimal 1-0. Bogdani pati dy raste të mira për të shënuar në minutat 37 dhe 51, por nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Hamdi Salihi ka parë skuadrën e tij të shkatërrohet dje nga Rapidi i Vjenës, teksa kjo e fundit ka fituar 4-0 ndeshjen kundër Riedit ku luan shqiptari. Sulmuesi shkodran, i cili javën e kaluar shënoi 2 gola kundër Austria Karnten nuk ka mundur të evitojë humbjen e skuadrës së tij, madje as të shënonte golin e nderit në disfatën e djeshme të Riedit. Shqiptari luajti 90 minuta në ndeshjen e djeshme.