E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piramida, të njëjtën fasadë edhe pas rikonstruksionit

• Piramida, ish-muzeu i diktatorit Enver Hoxha, e emërtuar në vitin 1992 si Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, do të shndërohet së shpejti në një qendër të madhe arti.ANILA MEMANë fillim të marsit, çekanët e parë do të nisin në këtë godinë të projektuar më parë nga një grup arkitektësh nën drejtimin e Pranvera Hoxhës dhe Klement Kolanecit. Fasada nuk do të ndryshojë. As ylli mbi piramidë nuk do të ekzistojë më si simbol. Ndërkohë që 13 mijë metra katrorët që përbëjnë gjithë godinën e përuruar në vitin 1988, do të vihen tërësisht në funksion të artit. Një teatër dramatik prej 500 vendesh dhe një qendër e arteve pamore do të zënë sipërfaqe më të mëdha të kësaj ndërtese historike. Për ministrin e Kulturës, Ylli Pango, i cili dje në një konferencë për shtyp bëri me dije fituesit e këtij projekti dhe fillimin e punimeve, shndërrimi i piramidës është një nga investimet më të mëdha që prek vitet e fundit, prej kryesisht 700 milionë lekëve të reja. Piramida, mban të njëjtën fasadë “Brenda 16 muajsh do t’i jepet Tiranës dhe gjithë Shqipërisë teatri i madh dhe qendra e arteve pamore brenda Piramidës. 4 mijë metrat katrorë mbi të cilën është e ndërtuar Piramida, brenda së cilës ndodhen kanale televizive, kafe, zyra apo ambientet që janë shfrytëzuar për panaire të ndryshme, do të kalojnë në dispozicion të fillimit të rikonstruktimit të pjesës së brendshme për ta kthyer në gjigandin e madh kulturor”, shprehet Pango, sipas të cilit me gjithë këto subjekte, qofshin private apo në varësi të QNK-së, kanë gjetur mirëkuptimin e duhur. Sipas tij, për këtë projekt kanë marrë pjesë 14 kompani të huaja dhe shqiptare. Ndërkohë projekti për të ndërtuar qendrën kulturore është fituar nga firma franko-amerikane “Louis Berger” në korrik të 2007-ës, ndërsa në muajin nëntor u shpall tenderi për zbatimin e tij që u fitua nga firma “ORION SA & AK & ART”, firmë greke në bashkëpunim me dy firma shqiptare. Ndërkohë sipas arkitektit Kristi Andoni, piramidës i kishte ardhur koha që të rikonstruktohej. “Ne do të respektojmë të gjitha kushtet dhe statusin e Piramidës, sikurse nga pikëpamja e jashtme nuk do të ketë ndryshime, për të cilën ka pasur edhe diskutime. Por fasadës do t’i vendoset një veshje e dytë, e cila zgjidh problemin e hidroizolimit dhe termoizolimit, meqenëse brenda tij do të jetë teatri, i cili është i ndjeshëm ndaj shqetësimeve të akustikës”, shpjegon Andoni projektin e sapozbuluar. Statusi i galerisë dhe teatritAndoni bën me dije se për teatrin do të ketë dhoma aktrimi, prove, dhoma rekuizite, ndërkohë galeria e arteve do të jetë në pjesën e nëntokës. Kinemaja ekzistuese do të mbetet siç është, vetëm do të marrë tjetër formë, ndërkohë për sa i përket ambienteve në xhepa të veçantë do t’ju jepen funksione të ndryshme, bën me dije arkitekti. Brenda Piramidës do të funksionojnë librari, biblioteka, apo qoftë edhe ambiente të vogla tip kabareje. Ndërkohë holli kryesor do të shërbejë si holl i madh shpërndarjeje. “Për sa i përket statusit të Galerisë Kombëtare, ajo do të mbetet siç është galeri bashkë me fondin e saj, ndërkohë Teatri Kombëtar ka pasur probleme në mirëmbajtje, strukturë. Ai nuk do të shkojë dëm, do ta kemi si pjesë e Teatrit Kombëtar, por në këtë rast fiton shansin për t’u rikonstruktuar”, shpjegon Andoni. Ç’do ndodhë me 80 punonjësit e QNK?!Por pas gjithë këtij rikonstruktimi, në pikëpyetje mbeten tetëdhjetë punonjësit e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, një institucion me vetëfinancim. I pyetur për këtë çështje, drejtori i QNK-së, Mujo Buçpapaj, është shprehur se ende nuk është vendosur se çfarë do të bëhet këto 16 muaj me punonjësit e këtij institucioni. “Ne do të flasim me ministrin për sa i përket këtyre muajve, pasi këta 80 punonjës, duke filluar që nga drejtues sektorësh, specialistë, marangozë, punëtorë skene, paguhen nga vetëfinancimi i institucionit. Këto kohë nuk do të ketë vjelje qirash dhe ne nuk do të kemi të ardhura, por do të bëhen marrëveshje midis qendrës dhe ministrisë që nga buxheti i shtetit duhet të kalojë një fond i veçantë për punonjësit, i cili duhet të fillojë që në muajin mars”, shprehet Buçpapaj. QNK-ja këto kohë ka vjelë qiratë e ambienteve që nuk i kalojnë 300 metra katrorët, ndërkohë qiratë e ambienteve më të mëdha se kjo sipërfaqe i kalojnë Ministrisë së Ekonomisë. Piramida Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, ish-muzeu Enver Hoxha, u përurua më 1988. “Piramida” u projektua nga një grup arkitektësh nën drejtimin e Pranvera Hoxhës dhe Klement Kolanecit. Deri në vitin 1991 ka funksionuar si muze, këtë funksion objekti e humbi në vitin 1992, kur u emërtua QNK. Konceptimi voluminoz i objektit ka në esence përpjekjen e një simbioze arkitektonike midis memorialit dhe simbolit, simbolet e yllit e të shqiponjës në plan dhe altimetri, shkrihen në siluetën e piramidës–memorial.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›