E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka i dërgon Sallajt pasaportën me helikopter

Nga Express më 03 shtator 2011 në ora 12:02

Ndeshjen e parë si kuqezi e ka luajtur më 20 qershor 2011 në miqësoren që Shqipëria zhvilloi në Argjentinë. Megjithatë, për të bërë të mundur që Agonit Sallaj të luante ndeshjen e parë zyrtare me përfaqësuesen, ishte e nevojshme që pasaporta e tij të dërgohej me helikopter.

Mbrojtësi i përfaqësueses U-21 u aktivizua në formacionin titullar nga trajneri Artan Bushati, për sfidën e parë kualifikuese në Euro 2013 kundër Polonisë. Edhe pse kishte luajtur me Kombëtaren A dhe ka zhvilluar 5 ndeshje miqësore me ekipin U21, Sallaj ende nuk posedonte dokumentin identifikues të Shqipërisë.

Pasaporta e 19-vjeçarit, që luan te FC Biel-Biene në kategorinë e dytë zvicerane, ishte gati vetëm pak orë përpara ndeshjes, ku kuqezinjtë “e vegjël” debutonin në Grupin 6. Në mënyrë që Sallaj të luante, edhe sepse nuk mjaftonte koha për udhëtimin me makinë nga Tirana në Korçë, për transportimin e pasaportës së tij është shfrytëzuar një helikopter i marrë me qira nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

Ky i fundit ishte i pranishëm në ndeshjen e parë të U-21 të Bushatit, ndërsa kishte zgjedhur të udhëtonte me helikopter që të arrinte në kohë edhe sfidën në “Qemal Stafa” ndërmjet Shqipërisë dhe Francës, në kualifikueset e Euro 2012.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›