E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina kundër gripit të derrit shkakton narkolepsinë

Nga Express më 03 shtator 2011 në ora 12:18

Studiuesit finlandezë kanë konfirmuar lidhjen në mes të vaksinës kundër gripit të derrit dhe narkolepsisë, një lloj i çrregullimit të gjumit te fëmijët.

Narkolepsia paraqet çrregullim kronik të sistemit nervor, të cilin e karakterizojnë shpesh rënie të pakontrolluara në gjumë, ndërsa në raste më të rënda halucinacione ose kolapse fizike paralizuese të njohura si katapleksi.

Ekspertët finlandezë kanë vërtetuar se fëmijët që kanë marrë vaksinën kundër gripit të derrit rrezikohen 12,7 herë më shumë nga narkolepsia sesa ata që nuk janë vaksinuar, edhe pse te të gjitha rastet e shqyrtuara, ku është paraqitur sëmundja ekziston para-dispozita familjare për këtë çrregullim.

Vaksina nuk ka shtuar rrezikun nga narkolepsia te fëmijët nën moshën 4-vjeç, por as te personat mbi moshën 19-vjeç.

Në Finlandë nga narkolepsia janë sëmurë 79 fëmijë të vaksinuar kundër gripit të derrit me vaksinën “Pandemriks”, ose gjashtë në 100.000. Shumica prej këtyre fëmijëve, 76 sish, janë paraqitur katapleksi kohë pas kohe.

Lidhja ndërmjet vaksinës kundër gripit të derrit dhe narkolepsisë deri më tash është vërtetuar vetëm në Suedi.

Në Suedi, Norvegji dhe Francë aktualisht po hulumtohet mundësia e lidhjes ndërmjet narkolepsisë dhe llojeve tjera të vaksinës kundër gripit të derrave, “Arepanriks”.

Agjencia medicinale evropiane, megjithatë, vlerëson se vaksina kundër gripit të derrit nuk ka shkaktuar dëme në Finlandë, pasi që vlerësohet se në sezonin 2009/10 ka parandaluar 40.000 infektime me gripin e derrit dhe po aq edhe në sezonin 2010/11.

Rekomandim i agjencisë në fjalë është që vaksina “Pandemriks” të përdoret te personat nën moshën 20-vjeç vetëm kur mungon vaksina sezonale kundër gripit dhe atë vetëm te personat që janë në rrezik të madh nga format e rënda të gripit ose komplikimet e tij.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›