E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majkëll Xhekson, përsëri në gjykatë

Këngëtari Majkëll Xhekson do të dëshmojë në Gjykatën e Lartë të Londrës për të përgënjeshtruar zërat se ka prishur një kontratë muzikore të lidhur me një sheik arab. Pritet që ylli i muzikës të shfaqet në sallën e gjyqit javën e ardhshme, pasi avokati i tij tha për mediat se këshilltarët mjekësorë i kishin dhënë të gjitha garancitë që udhëtimi nuk do t‘i shkaktonte këngëtarit asnjë problem shëndetësor. Ai pritet të mbërrijë në Angli në fundjavë dhe të dëshmojë të hënën pasdite.

Motivi për të cilin Majkëll Xhekson do të dëshmojë në gjyq është akuza e bërë ndaj tij prej birit të dytë të Mbretit të Bahrainit, Sheikut Abdulla Bin Hamad Bin Isa Al-Khalifa, sipas të cilit këngëtari nuk i është përmbajtur një kontrate të nënshkruar mes të dyve. Sheiku ka bërë me dije se kishte rënë dakord me këngëtarin për të prodhuar së bashku një album, koncerte dhe një autobiografi. Biri i mbretit dëshmoi para trupit gjykues të enjten dhe pranoi se Xhekson ishte person "mjaft i brishtë emocionalisht", por vërejti se megjithatë artisti mbetej njeri "i shkëlqyer".

Ai konfirmoi gjithashtu se gjatë kohës kur këngëtari gjendej nën gjykim për abuzim seksual karshi disa të miturve, në vitin 2005, i kishte dërguar Majkëll Xheksonit fillimisht 350 mijë dollarë e më pas edhe 1 milion dollarë të tjerë. Por nuk e pranoi pretendimin e palës tjetër, se ato para qenë dhurata. Shpjegoi para trupit gjykues se "ato para i dërgova për t‘i ardhur Majkëllit në ndihmë, dhe se shumë herë ai më siguroi që do të m‘i kthente", thotë djali i dytë i Mbretit të Bahrainit.

Ylli i muzikës u ftua në Bahrain nga sheiku dhe qëndroi atje gjashtë muaj. Xhekson ka hedhur poshtë pretendimet e sheikut, duke deklaruar se nuk ekzistonte kurrfarë kontrate e vlefshme mes të dyve. Ai shtoi se kishin folur veç për projekte dhe se paratë që kishte marrë nga biri i mbretit qenë veç dhurata.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›