Gramozi shton radhët edhe me dy sulmues
Është kthyer Mukaj, i cili luajti edhe sezonin e kaluar, ndërsa Klaudjan Ahmetaj vjen nga Greqia dhe duket një blerje e goditur
Pas gati 20 ditësh stërvitje, trajneri Ilir Qirjako ka filluar të bëjë llogaritë për mënyrën si kanë ecur punët. Që nga e hëna ai duket tepër i kënaqur, duke parë mobilizimin e lojtarëve dhe harmonizimin e reparteve. Tashmë problemet janë zgjidhur, sepse edhe sulmi do të ketë fytyrë të re gjatë fazës së dytë. Me Gramozin janë bashkuar dje edhe dy sulmues.
I pari është Mukaj, i cili ka luajtur edhe sezonin e kaluar me ekipin kolonjar, kurse sulmuesi tjetër vjen nga Greqia dhe quhet Klaudjan Ahmetaj. Ai është i datëlindjes 30.4.1986 dhe ka luajtur me ekipin Korintos. Ahmetaj është 1.92 m i gjatë dhe, me atë që ka treguar në stërvitje, mund të quhet një nga blerjet më të mira që ka bërë Gramozi.
Qirjako Për Sportin shqiptar, trajneri Ilir Qirjako shpreh bindjen se rifillimi i kampionatit do ta gjejë gati ekipin që ai drejton. Deri tani, të them të drejtën, kam qenë pak i frikësuar, por kam dy ditë që jam qetësuar, sepse ekipi është kompletuar, edhe pse merkatoja jonë nuk është mbyllur.
Jam shumë i kënaqur edhe për ecurinë e stërvitjes. Kemi punuar mirë gjatë gjithë kësaj periudhe, duke i rritur gradualisht ngarkesat, ndërkohë që sinjale mjaft të mira kanë ardhur edhe nga ana taktike, nga harmonizimi i reparteve. Pra, lojtarët që kemi pasur në dispozicion i janë përgjigjur mirë asaj që ne kemi kërkuar, është shprehur trajneri Qirjako.
Seleksionimi Trajneri kolonjar bën të ditur më tej se do ta bëjë seleksionimin më vonë, pasi priten lojtarë të tjerë. Nuk mund të jap asnjë mendim për momentin. Seleksionimin do ta bëjmë javën e ardhshme, kur të kenë ardhur edhe lojtarët e tjerë që na kanë premtuar. Sigurisht, na duhet që të jemi shumë të vëmendshëm, sepse nuk duhet të mbajmë lojtarë që nuk na nevojiten.
Dua të sqaroj se lojtarët vendas do të qëndrojnë të gjithë, edhe 5 të ardhurit nga ekipi i të rinjve, pasi ata janë e ardhmja e Gramozit, ka përfunduar numri 1 i stolit kolonjar, Ilir Qirjako.
