E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka ne kërkim të trajnerit te 19-te kuqezi

Dash Frashëri
Edhe pse janë të shumtë në numër – shifra e kandidatëve i ka kaluar të 40-tët – askush nuk e ndjen veten se do të jetë kryetekniku i bankinës kuqezi të lënë bosh nga kroati Oto Baric, i cili dha dorëheqjen menjëherë pas humbjes së thellë me Rumaninë (6-1) edhe pse më parë kishte arritur në parim një akord me presidentin e FSHF-së, Armand Duka për të drejtuar edhe për dy vitet e ardhshme Shqipërinë. Gjithsesi, se fundi emri me i besueshem eshte ai trajnerit austriak Hans Krankl, ndihmes i te cilit ka qene edhe Slavko Kovacic. Ish-tekniku i Kamerunit, gjermani Vinfrid Shefer, njëherësh edhe kandidati kryesor mediatik për të marrë drejtimin e përfaqësueses shqiptare edhe pse u përmend se do të vizitonte dy herë Shqipërinë, 57-vjecari nuk erdhi në bisedime me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbolli. Fillimisht Shefer kishte rënë dakord për një takim me presidentin e FSHF-së, Armand Duka në hotel "Berlin Plazza" në Vjenë, por takimi dështoi pasi Duka u nis me urgjencë drejt Shqipërisë, ndoshta edhe për shkak të situatës së krijuar, ku Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha deklaroi ashpër se Kombëtarja shqiptare ka shitur flamurin dhe dinjitetin e saj në dy ndeshjet e fundit. Herën e parë, Shefer pritej të kontaktonte në Tiranë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, më 2 dhjetor, por sipas arsyes së publikuar në media, Shefer nuk udhëtoi drejt vendit tonë së bashku me menaxherin grek Jorgos Kazianis, pasi federata nuk i preu biletën e udhëtimit. "Nuk është detyrimi ynë të paguajmë biletën e një prej kandidatëve për postin e Kombëtares", - u shpreh zëdhënësi i FSHF-së, Lysjen Nurishmi. "Ai si gjithë të tjerët kanë shprehur dëshirën për të punësuar në rolin e trajnerit të Kombëtares dhe kjo është një praktikë normale". Edhe pse fiksua një takim i dytë, disa ditë më pas, sërish Shefer për arsye ende të paditura nuk denjoi të vinte në Shqipëri. "Ne kontaktojmë direkt me menaxherin e tij dhe jo me trajnerin, por arsyet e mosmbërritjes së tij nuk i di", - sqaroi Nurishmi. Në morinë e emrave të ardhur në FSHF-së përmes e-maileve (rreth 30 kandidatë) por dhe lidhjeve të menaxherëve, midis italianëve Zakeroni, Zenga, Maifredi, Materaci, Orsi, Baxho, Macone apo dhe portugezit Miguel Araujo, rumunit Konstandinu dhe emrash të tjerë të panjohur, presidenti Duka është më i prirur për pistën gjermane. Listës së gjatë të emrave të mbërritur me a-mail në Federatën Shqiptare të Futbollit i është shtuar së fundi edhe emri i një tjetër trajneri gjerman, Horst Kelp, ndihmës trajneri i Franc Bekenbauerit. Në listën "gjermane" është edhe Reinhod Fanz, ish-trajneri i Hanoverit të Lalës dhe Karlsruhes së Edmond Kapllanit, i cili i është ofruar vetë përfaqësueses shqiptare të futbollit. Tekniku ka telefonuar personalisht bashkëpunëtorin e Dukës në fushaten e zgjedhjes se trajnerit kuqezi, Ajet Xeka, duke i kërkuar ketij të fundit një shans për të drejtuar skuadrën. Edhe gjermani Volfgang Sidka, që në të shkuarën ka drejtuar skuadrën e Verder Bremenit dhe Bahreinit besohet se është një kandidaturë serioze. "Të gjithë kanë dërguar CV-të e tyre. Më pas do të jetë presidenti ai që do të vendosë për fillimin e kontakteve me ta, por disa prej tyre janë të skualifikuar qysh sa kanë dërguar e-mailin, pasi nuk kanë bindur me të dhënat apo kanë qenë të panjohur", - thotë zëdhënësi i FSHF-së. Shqipëria ka rënë një një grup me skuadra të forta në shortin e Botërorit 2010: Portugali, Suedi, Danimarkë, (përfshirë edhe Hungarinë e Maltën) por që nga pikëpamja d dhe të ardhurat nga shitja e të drejtës televizive do të jenë të reduktuara (deri në 1.2 milion euro), bosi i futbollit shqiptar është i bindur se për të gjetur një pasardhës të denjë të Otos (75-vjecari vendosi një standard në Shqipëri) duhet edhe të sakrifikojë financiarisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›