FSHF, sot pikat mbi “I”

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së do të zhvillojë sot (ora 11:00) mbledhjen e shumëpritur për analizën e rezultateve të ekipit Kombëtar në fushatën kualifikuese Euro 2008 dhe në mënyrë të vecantë dy ndeshjet e fundit Shqipëri-Bjellorusi ( të hunbur 2-4 në Tiranë) dhe Rumani-Shqipëri (të humbur 6-1 në Bukuresht). 11 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv do të dëgjojnë një relacion të detajuar të hartuar nga Shpëtim Duro, ndihmësi shqiptar i ish-trajnerit kroat Oto Baric. Rreth këtyre dy ndeshjeve janë bërë shumë akuza për shitje të tyre për interesa të një grupimi "mafioz" si nga kryeministri i vendit, Sali Berisha ashtu dhe nga ministri përgjegjës i Sporteve, Ylli Pango. Në mbledhje do të shqyrtohen edhe procedurat për tenderin e pritshëm për shitjen e të drejtës televizive të transmetimit jashtë territorit të Shqipërisë dhe të reklamave të ndeshjeve te ekipit Kombëtar shqiptar të Futbollit "A" për kampionatin Botërore 2010. Jashtë vëmendjes nuk do të jenë edhe diskutimet në lidhje me grandin e akorduar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve për klubet e futbollit për vitin 2007.